Letra e Vorea Ujkos për Dritëro Agollin

29 Prill, 2018 - 3:03 pm

Firmo 26/10/1981

I dashur Dritëro

Unë e ndiej largësinë nga ju . Jam gjithmonë i detyrueshëm për mikëpritjen vëllazërore dhe nuk di si t’ia shpërblej mëmës Shqipëri . Po unë e di se ti je i kënaqur kur unë i shërbej atdheut . Unë jam poet si edhe Ti je poet .Po , je poet . Kam rilexuar në këto ditë “Nënë Shqipëri” e më qan shpirti dhe m’u mbush me gëzim . Ajo është historia gjeologjike , panoramike , legjendare, heroike, filozofike, kombëtare, politike, shoqërore, popullore e gjithë Shqipërisë. E ti askurrë s’je spektator por jeton me çdo çast të kësaj historie, je i ngatërruar me çdo ngjarje dhe mishëron në vjershat dashurinë për atdheun , ndjenjën e dëshirat e njeriut shqiptar.

E gjithçka janë mish e gjak . Ti je plot nerva , zemër e tru. Je i rreptë dhe i butë , krenar i përvuajtur , i përflaktë e i akullt, serioz e sarkastik , i trishtuar dhe i gëzuar. Nëse isha një romantik do të thoja engjëll e demon. Me ty Shqipëria bëhet zemra e botës.

Mes dy malesh me dëborë Ka një trim vetullhollë O ju korba, mos më ngani Sytë e zez ju mos m’i hani…

Sigurisht ashtu këndonte De Rada e kjo është një raspodi e shkëlqyeshme arbëreshe.

Cila letërsi vallë e ka këtë perlë?

E tashti si kritik do të doja që Dritëroi ta shpinte vëmendjen , që askurrë s’është skeptike, por përherë serioze dhe e angazhuar , rreth temave të njeriut e të jetës, rreth temave të Lorkës , Pasternakut, Nerudës, Quasimodos, Montales, etj Do të ishte një ndërprerje mes luftës, pushimi i luftëtarit . Jam i bindur se do të fitosh çmimin Nobel .Ndryshe i vë zjarr Suedisë. Tani jam duke shkruar një kritikë mbi Dritëro Agollin , por nuk e harroj poezinë. Akoma nuk e kam lexuar as te Drita as te Nëntori poezinë që të kam kushtuar. Pse? Vallë s’të pëlqeu? Tuk-tuk ! Hape!Jam unë! As kamarad, as tavarish . Hape!

Jam Vorea Ujko e zemrën e kam të bardhë. Bëjani qejfin poetit.

“Drita” kërkon përshtypjet e mia për vendin tonë. Le t’i shkruajnë të huajt. Për mua Shqipëria është mëma e nuk shkruhen mbresa mbi mëmën . Mëma këndohet. Ti më kupton. Asgjë akoma nga vëllezërit Kosovarë . Unë i kam shkruar Esadit por nuk kam pasur përgjigje. Falënderime për Llazar Siliqin që shkruan bukur për arbëreshët. Të fala të përzemërta Vehbiut, Fatmirit , Ismailit , Fatosit , Aleksit , partizanit Andrea, Spahiut, Ibrahim Fehmiut, Bardhylit , Nasho Jorgaqit , L.Qafëzezit etj

Kur do të takohemi ? Qofsh i lumtur me familjen!

Të përqafoj , Vorea Ujko

Të ngjajshme