Libri ’48 piano’ nga Arbër Selmani do të promovohet edhe në Tiranë

22 Qershor, 2022 - 10:30 pm

Të hënën libri më i ri me poezi nga shkrimtari Arbër Selmani do të promovohet në hapësirën e BERK në Tiranë, përcjell KultPlus.

Libri “48 piano” u promovua edhe në Prishtinë në Kino Armata. Ky libër është dedikim i Selmanit për babain e tij si dhe përmban edhe njërën prej poezive më të dashura të autorit.

‘…kur vdiq baba,
krejt orenditë e shtëpisë i kam rrotullu e nuk e kam gjetë
morra avion, e as në shtetin tjetër për të nuk kishte vend
i mblodha dromcat e mërzisë dhe i kapa bashkë, i përthekova…

…kur vdiq baba,
u ula buzë lumit të lotëve të mi
dhe qava…’

Njoftimi i plotë:

BERK ju fton përzemërsisht në promovimin e librit ‘48 piano’ të autorit Arbër Selmani, në date 27 qershor, prej orës 19:00, në hapësirën e BERK.

Në ngjarje do të ketë bashkëbisedim mes autorit dhe përkthyeses Aida Baro.

Arbër Selmani është poet e gazetar nga Prishtina. Libri ‘48 piano’ përmban poezi dhe prozë poetike të cilat autori i ka shkruar në një periudhë 12 vjeçare. Ky është libri i katërt i autorit. Arbër Selmani është fitues i çmimit të parë për poezi në festivalin ‘Tirana Gate 2021’, ndërsa është përkthyer në gjuhën angleze, serbokroate, turke, sllovene, frënge, gjermane dhe italiane.

Në mesin e shkrimeve në libër është edhe poezia ‘Kur vdiq baba’, një himn i dashurisë dhe vuajtjes, por edhe shkrime tjera si ‘Zoti shëron’, ‘M’i sillni 48 piano’, ‘E kam vendosur burrin në shitje’, ‘Kirillin e vranë’ dhe ‘Nanën e laj me shumë kujdes’.

Libri është botuar në Prishtinë ku edhe u promovua javën e parë të qershorit, ndërsa është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme