Llugë në kohë murtaje

24 Prill, 2020 - 11:27 am

           

Nga Jusuf Buxhovi

Kajmekami, i futur midis Ibrahim Pashës dhe Izet Agës, dukej i zymtë. Na vidhte me shikim dhe prapë i kthehej letrave që mbante në dorë sikur aty ta kapte fillin e atyre që duhej të na i thoshte gjatë atij takimi që na kishte thirrur me ngut. Dikur ia la letrar para Ibrahim Pashës dhe tha se tash e tutje do të kishim punë me të.
“Fermani po shkilet”, foli gjenerali kërcënueshëm.
Mbas një pushimi të shkurtër, gjithnjë me shikimin kah unë dhe Sheh Alia, shtoi se nga Reka e Hasi në sheher futën tebdil festaqinjë të shumtë. Nëpër kisha e teqe flasin sikur fermani është me sherr dhe se duhet me e kundërshtue me heqjen e mbylljes. Thonë se Gjakova dhe Malësia janë ndarë për t’u shkatërruar tinëzisht dhe çmos…
“Ne po luftojmë me vdekjen, ndërsa këta shpifin sikur ne nuk bëjmë tjetër pos hapim varre të fshehura… Dikush këtu po lyp sherr. Hyqymeti nuk do të rrijë duarkryq!”
Lam Mula po ziente. Mbase do të shpërthente, por ishte Sheh Alia i Teqes së Madhe, që si përherë, Ibrahim Pashës i tha se shtëpitë e zotit ishin të hapura për të gjithë. Ndërsa shqetësimi për të keqen që po na kërcënon nuk është kurrfarë armiqësie…
“Shpifjet e tilla kanë për qëllim revoltën deri në shpërthim dhe kryeneçësinë kundër fermanit… Ne nuk hamë barë!…”
Në fund Ibrahim Pasha, gjithnjë me atë shikimin kërcënues tha se dikush po kërkon llugë, por ajo ia ha kokën…
“Ne e dimë se kush hedh gurin dhe fsheh dorën…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme