7 Gusht, 2025 - 11:30 pm
Një botim i ri pritet të dalë nga shtypi në ditët në vijim, duke sjellë për herë të parë një studim të thelluar mbi figurën e Pietro Marubbit, themeluesin e studios së parë fotografike në Shqipëri dhe një nga figurat më të rëndësishme të artit pamor të shekullit XIX.
Libri titullohet “Pietro Marubbi dhe lindja e studios së parë fotografike në Shqipni” dhe është rezultat i 12 vjetëve kërkime të autorit Dr. Luçjan Bedeni, si pjesë e punës së tij doktorale,shkruan KultPlus.
Botimi sjell dokumente dhe të dhëna të panjohura më parë nga arkivat italiane, ruse, turke, kroate dhe britanike, që hedhin dritë mbi identitetin, jetën dhe rrugëtimin e Marubbit nga Italia në Dalmaci, Greqi dhe më pas në Shkodër, ku ai do të vendoste themelet e një tradite fotografike që do të ndikonte brez pas brezi.
Libri përfshin gjithashtu një rishikim kritik të rolit të Marubbit në artin pamor shqiptar, duke e paraqitur atë si më shumë se një fotograf – si arkitekt, piktor, mësues dhe vizionar, që solli një formë të re të të parit në shoqërinë shqiptare të kohës.
Redaktuar nga Dr. Primo Shllaku dhe i pajisur me dizajnin grafik të Nita Salihu Hoxhës, botimi përgatitet nga “Studio Permanent” dhe do të dalë në shtyp nga “Viprint”.
Ky libër pritet të jetë një referencë e re e rëndësishme për studiuesit e historisë së artit, fotografisë dhe trashëgimisë kulturore shqiptare./KultPlus.com