Macja në oborr

22 Qershor, 2021 - 2:50 pm

Nga Besa Kalaja

Atë ditë u zgjova si zakonisht. Lava dhëmbët dhe pasi koka po me kruhej keq sa që mendova mos kisha pleshta, hyra dhe bëra një dush. Gjatë dushit e krova e e krova aq shumë kokën sa në disa pjesë po me rridhte gjak. Dreq o punë, mu desh që atë gjak ta ndal disi, por në disa fije floku më kishte mbetur e madje edhe tharë gjaku. Nuk e ngacmova më pasi duart po më dridheshin nga inati. Që ta merrja vetën me të mirë, shkova në kuzhinë dhe i bëra një kafe të hidhët e te rëndë vetes. Po aq hidhët e kisha edhe shpirtin dhe nuk e kisha vënë re që po shikoja nga dritarja një mace që po ngjitej e zbriste si për inatin tim në pemë. Aq zhdërvjelltë dhe aq shpejt sa nuk po e shihja me sy. Më nuk po e dija a ishte macja apo mua po me merreshin mendtë. Hapa dritaren dhe po i bërtisja maces apo asaj që unë po mendoja se ishte macja. Hej ti, i thashë, mos luaj me mua sepse do të vij aty dhe do të të mbys me gurë. Nuk u ndal, bile me bëhej se ajo po ngjitej e zbriste edhe më shpejt. Nuk mu durua mbylla dritaren me vrull, xhami u thye, po vrapoja drejt derës. Ne hyrje të shtëpisë nuk pashë asnjë gur me të cilin do të mund ta gjuaja. Për më keq u bë edhe më e shpejtë po edhe ngjyra i ndryshoi. Nga brenda më dukej e bardhë e tani dukej krejt e hintë. Nuk ishte koha të mendoja për ngjyrën e saj, më duhej ta largoja më shpejt sa s’më kishin lënë mendtë. Shkova te fqinji trokita fort në derë. Ai doli i përgjumur. Çfarë u bë komshi? më pyeti krejt i shkujdesur. E shikova në fytyrë, gati më shkoi mendja ta pyes, pse kush jeni ju?. Nuk arrita ta pyes sepse ai më rroku nga krahu dhe më tha që kishte përgatitur kafe dhe sandviç dhe unë pa telashe mund të haja me të. Edhe gruan nuk e kam këtu më tha duke ma bërë me sy. Nuk arrita të bëj asgjë iu nënshtrova i tëri atij. Më shërbeu kafen në një filxhan te bukur dhe sandviçët më tha që i ka bërë vetëm me perime sepse i ishte tekur kohëve të fundit që të ushqehej shëndetshëm. Sa fillova të marrë vetën dhe të kuptoj pse kisha shkuar te ai më bëri një pyetje befasuese. Ajo gruaja më nuk po vjen te ti, pse? Desha ta pyes cila grua, po koka nuk po më punonte. Aha ajo, dola shpejt e shpejt nga situata, ka gjetur një vend pune jashtë këtij qyteti. Me vuri dorën në krah dhe po më ngushëllonte. Dorën e kishte të fortë dhe me muskuj po ashtu e kishte mbuluar të tërën me tatuazhe. Ha mos më shiko ashtu, më bërtiti. Nuk mundem i thashë dhe me mundim po i kërkoja se mos kishte gurë në oborr. Qeshi si i marrë. Për çfarë të duhen më pyeti pasi kishte mbajtur barkun duke qeshur. I thashë se doja të trembja një mace që po me endej në pemë e po me shqetësonte shumë. Pema ra ne toka, pasi disa herë i kisha rënë me sëpatë, macja me nguli thonjtë në fytyrë. / KultPlus.com

Të ngjajshme