“Makiavelizmi”

12 Gusht, 2021 - 9:00 pm

“Të gjithë të vlerësojnë për atë që dukesh. Pak e kuptojnë se çfarë jeni”.

Shkrimtari, historiani, burrështeti dhe filozofi italian, është një nga personazhet themelore të Rilindjes.

Ashtu si Leonardo da Vinçi, Makiaveli konsiderohet shembull tipik i përfaqësuesit rilindës. Jetoi në kapërcyellin e shekujve XV dhe XVI, Makiaveli ishte një nga mendimtarët më të mëdhenj politik të të gjitha kohërave. Atij i detyrohemi për perceptimin e ndarjes së politikës nga morali dhe feja. Parimi i tij kryesor ishte, që kushdo që mban pushtetin, në formën e një republike apo principate, duhet të përdorë të gjitha mjetet për të garantuar mirëqenien dhe integritetin e shtetit. Koncept që është zvogëluar në thënien e famshme: “Qëllimi justifikon mjetet” (edhe pse asnjëherë e shqiptuar nga Makiaveli). Si rrjedhojë, politika ka një detyrë shumë të lartë, por tërësisht tokësore: t’i japë njerëzimit institucione të afta që t’u garantojë atyre një rend të mirë civil.

Makiaveli, autori i kryeveprës “Princi”, është një gjuhë e shpejtë dhe virtuoze, si vetëtima e natës apo reflektimi verbues i shpatës në diell; një përdorim i paparë i të folurit fiorentin që ujit gjithë italishten moderne: gjuha është e saktë, e qartë, e mprehtë. Tek ai gjejmë njëherazi brevitat e latinëve thyer me leximin e Tacitit dhe Tit Livit; shpirti praktik i burrështetasit, i cili s’ka kohë të humbasë në filozofitë e pafundme; dëshira e zjarrtë për t’u ngjitur sa më pranë realitetit – nuk është rastësi që Makiaveli parapëlqen të prekurit e panoramës, të cilën e konsideron shumë të largët. Jean Giono me të drejtë thekson se Makiaveli është një nga teoricienët e rrallë politikë (në mos i vetmi), për të cilin klima dhe stinët, peizazhet dhe ugaret mbartin një rëndësi thelbësore. Makiaveli shprehet: “Nata, shiu, balta, moçali, era, korija, ura, kodra, dielli, rrafshina”; sikur fytyrën e vërtetë të vendit ta sodiste me fragmente, përmes historisë dhe politikës.

Mbetet fakt që Makiavelin e shtyu halli të bëhej “shkrimtar politik”, po njëherazi edhe për t’u marrë me diçka në humbëtirën e internimit dhe fushatës së tij (ishte Sekretar i Kancelarisë në Republikën Fiorentine dhe e gjeti veten të përjashtuar nga çështjet në kohën e restaurimit Medicis), por edhe për t’u rikthyer në favor të të fuqishmëve të momentit. Kështu, të shkruarit u përjetua nga fiorentini si një parantezë dhe një kthesë. Ironi e historisë: do të shkruajë deri në fund të jetës së tij dhe pikërisht kthesa e detyruar do ta shndërrojë në një shkrimtar të pavdekshëm.

Makiavelizmi

Ndikimi i ushtruar nga mendimi politik i Makiavelit ka qenë i jashtëzakonshëm dhe vazhdon të jetojë në botën bashkëkohore. Nga njëra anë, konsiderohet mik republikan i lirisë, nga ana tjetër, një armik i betuar i parimeve të shëndosha të moralit dhe fesë. Nga kjo tendencë e dytë vërshuan rrymat e kritikës së mendimit të tij të reduktuar në makiavelizëm, për të cilën qëllimi justifikon mjetet. Sot makiavelizmi është sinonimi i politikës së forcës, të paskrupullt e të pamoralshme, në dobi të së cilës të gjitha mjetet janë të mira. Hipoteza bazë e kësaj teorie është se çdo njeri e di çfarë do dhe se, sipas kritereve të arsyeshme, zgjedh mjetet që i shërbejnë më mirë realizimeve të synimeve të tij. Qe filozofi i parë që hartoi teorinë e racionalizimit praktik, duke i kthyer shpinën mendimit mesjetar. Në një kohë kur mendimi mesjetar i linte fare pak hapësirë lirisë së vendimit të individit, madje nuk kishte të drejtë të vendoste kundër urdhrit të Krijimit, pra kundër shpëtimit të tij, njeriu i Rilindjes është thellësisht i pushtuar nga ndjenja e jetës: ai mund dhe duhet të vendosë vetë si individ, për atë që është më e mirë dhe e drejtë për të.

De Sanctis, studiuesi që e ka komentuar më së miri, thoshte: “Ai na godet befasisht dhe na përhumb në mendime”. Makiaveli nuk ka kohë të hapërdahet në të mirat dhe të këqijat e regjimeve të ndryshme ideale, siç bën çdo filozofi politike që nga Aristoteli; ai heq dorë nga qëllimi normativ i mjeshtërve të skolastikës, duke parapëlqyer të analizojë dhe të vlerësojë ekzistuesen pa iu referuar botës së prapavijës. Refuzimi i çdo teorie të drejtësisë, të çdo vlerësimi moral, dëshira për të përqafuar realitetin, duke e përshkruar me përpikërinë më të mirë të mundshme, pikërisht atje e gjejmë tharmin e shkencës së re politike. Shkenca politike makiaveliane, ashtu si shkencat shoqërore disa shekuj më vonë, nis nga realja dhe jo nga parimet. Natyrisht, për Makiavelin, mbërritja tek vërtetësia efektive e çështjes nuk do të thotë që të hedhim poshtë mësimet e historisë në favor të të vetmit aktualitet. Përkundrazi, pa orvatjen e funksionimit të pikëpamjes, tabloja e të tashmes do të përngjante me natyrat e vdekura që të kujtojnë frutat e fishkura. Vetë Makiaveli thotë: “Mirëkuptimi i asaj që luhet këtu dhe tani nënkupton dy aktivitete të pandashme dhe paralele, domethënë “përvoja e gjatë e çështjeve moderne dhe leximi i vazhdueshëm i çështjeve antike”.

Një ekonomi e mirë e pasioneve shoqërore

Në fakt, çfarë vërejmë nëse i kushtojmë rëndësinë e duhur cose umane (çështjeve njerëzore)? Që shoqëria nuk është një unitet abstrakt dhe me taban të përsosur, por, përkundrazi, një trillim problematik, një varg ndjenjash shoqërore që Makiaveli i quan umori (gjendje shpirtërore). Këto umori janë të shumëfishta, ato ndryshojnë nga një moment historik në tjetrin; ka emocione vetjake dhe emocione kolektive dhe shoqëria është një gërshetim i ndërlikuar dhe i pakalueshëm i emocioneve individuale dhe kolektive. Në rendin e afekteve shoqërore, të paktën dy prej tyre i hasim vazhdimisht, si në përvojën e çështjeve moderne, po aq edhe në leximin e çështjeve antike: umori të papajtueshëm të Fuqive të Mëdha dhe të Popullit. Në njëfarë mënyre një fakt social i plotë. Do ishte e gënjeshtërt nëse hamendësojmë se një konflikt i tillë mund të zgjidhet në unitetin paqësor të një shoqërie të pajtuar. Përkundrazi, duhet ta gjallërojmë.

Ç’të themi? Afektet nuk mund të shuhen, por mund të konvertohen në energji pozitive shoqërore, qoftë nga zotësia dhe virtyti i princit që i sundon, qoftë nga cilësia e institucioneve dhe ligjeve që i rrethojnë. Prandaj, një “shoqëri e mirë” nuk është një kolektiv njerëzor i njëzëshëm, qeverisur sipas parimeve mbinjerëzore, por thjesht një ekonomi e mirë e pasioneve shoqërore. Pikërisht këtu ndahet me më shumë vendosmëri shkenca e re politike nga ajo e vjetra. Dhe nëse ekziston ndonjë referencë e jashtme ndaj politikës, ajo nuk duhet kërkuar në një shoqëri prapavije dosido, por në fisnikërinë e njeriut. Për të kuptuar politikën, duhet të kuptojmë njeriun, pasionet e tij, “ligësinë e tij”, do të thoshte Makiaveli – term që nga pena e tij, nuk tingëllon aspak si gjykim moral, gabimet e tij… sikundër entomologu vëren me qetësi, sjelljen e fluturave dhe vemjeve. / Konica.al / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme