Malli

11 Tetor, 2023 - 9:43 am

Nga Vlora Konushevci

U çova prej gjumit me njifarë ndjesie të çuditshme, nji diçka që asht problem me emnu, që e sfidon përkufizimin e thjeshtë. Nji mall i pakapshëm, nji dëshirë e pangopun për ve dhe speca. Kjo asht e pazakontë se unë rralë çohem untë, s’jam prej atyne që besojnë se mëngjesi asht vakti kryesor i ditës. Megjithatë nuk ishte ushqimi si nevoj bazike që më kishte kaplu por ndoshta thelbi i specave, njifarë nevoje urgjente për aromën e specave të pjekun. Jo jo s’jam shtatzane.

Teksa u çova më randoi edhe njifarë dhimte e lehtë e kresë, asi dhimte që e pason natën plotë dëfrim. Por nata ime ishte e zakonshme, pa dehje apo arratisje prej realitetit.

Tue qëndru para furrës, me kafen e dytë në dorë vendosa me ju dorëzu këtij malli të veçantë. E lëshova furrën i qita specat e gjallë në tepsi dhe i lash me fërgëllu e këndu prej nxehtësisë. Aroma e specave të pjekun mi pushtoi pothujse tana shqisat, e përjetova njifarë dehje shqisore.

Dhe pastaj, sikur më pëshpëriti tymi dhe avulli i specave, më kthjelli, nuk ishte ky mall për speca të pjekun e as për ushqim. Ishte nji mall që e kapërcente të prekshmen dhe të zakonshmen, ishtë nji mall që e prekte temelin e shpirtit tem. Ishte malli për nanën! / KultPlus.com

Të ngjajshme