Migjeni, poeti që as sëmundja nuk i shkaktonte vuajtje aq sa vuajtjet e popullit shqiptar

26 Gusht, 2020 - 9:57 am

Migjeni (pseudonimi i Millosh Gjergj Nikollës) është nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqiptare. Me një realizëm të thellë, të panjohur deri atëherë në letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, sidomos të shtresave të varfra të qytetit e fshatit, duke demaskuar sistemin e prapambetur shoqëror si dhe fashizmin që po kërcënonte Evropën.

Përfaqësuesi më i shquar i realizmit kritik, Migjeni futi në letërsinë tonë me një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndrrën për një botë të re dhe optimizmin e thellë.

 Millosh Gjergj Nikolla është emri i tij i vërtetë, se Migjeni i përbërë nga bashkimi i rrokjeve fillestare të tre emrave të tij, është pseudonimi ose emri i pendës.

Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër në një familje ortodokse. Mbiemri i Millosh Gjergj Nikollës vjen nga gjyshi i tij Nikolla Dibrani një shqiptar i ardhur nga krahina e Rekës (sot në Maqedoni) ku ishte pjesë i komunitetit ortodoks që lindi një emër tjetër në lëmin e poezisë, Josif Jogan Begerin. Migjeni ishte fëmijë me interesime dhe aftësi të shumanshme: këndonte bukur, i pëlqente të merrej me sport, dallohej për gojtari dhe kishte shumë dëshirë të lexonte.

Në shkollë, përveç serbishtes dhe gjuhëve klasike, mësoi rusishten dhe frëngjishten, që u bënë burim kulture dhe formimi revolucionar për të. Që në shkollë të mesme ai shfaq pikëpamje përparimtare dhe mban qëndrime, që nuk pajtoheshin me dogmat dhe moralin fetar. Më 1933, ndërsa rronte me shpresën se do t’i jepej bursë për të ndjekur studimet e larta, u emërua mësues në Vrakë, në një fshat afër Shkodrës. Atje Migjeni u ndesh me vështirësi të shumta dhe me pengesa të krijuara prej mentaliteteve fetare e prej ndërhyrjeve të konsullit serb, që e kishin regjistruar në ‘librin e zi’. Në atë kohë ai u prek edhe nga tuberkulozi në mushkëri. Vlen që të përmendet zgjedhja e tij si përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Beratit më 1922 (ku u shpall Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nga Fan Noli). Në Shkodër, Migjeni u njoh me shtypjen shoqërore dhe me hipokrizinë fetare. Kështu u formua përfundimisht urrejtje e tij dhe dashuria e tij, kurse prej njohjes së lëvizjes përparimtare komuniste, u formuan shpresa dhe besimi i tij për të ardhmen, që u pasqyruan aq intensivisht në veprimtarinë e tij të shkurtër, por të vrullshme e të thellë. Më 1935, duke menduar se klima malore do t’i printe shëndetin, shkoi mësues në Pukë. Edhe atje nuk pati dobi. Në Pukë, Migjeni vijoi të zhvillojë si mësues e poet veprimtarinë e tij më të gjerë e më të pasur. Aty shkroi jo vetëm shumë, por edhe ato krijimet më të mira që na mbetën nga penda e tij e fortë.

Vuajtjet e popullit shqiptar, sidomos të popullit malësor, e bënë Migjenin të vuante më shumë se nga sëmundja që po i shkallmonte mushkëritë. Në Pukë më 16 qershor 1937 shkroi këngën e tij të fundit ‘‘Nën flamujt e melankolisë’’. Klima e rreptë e Pukës ia acaruan sëmundjen, prandaj vendosi t’i bjerë pas shëndetit, të dilte jashtë shtetit për shërim. Më 13 dhjetor 1937 mori lejen dhe vizën italiane. Në Itali u vendos në shtëpinë e motrës Olgës e cila studionte atje. Shëndeti sa vinte i dobësohej. Në klimën e ftohtë të Torintos sëmundja e tij i mori hov. Në dhjetor të vitit 1937 shkoi për kurim, në një sanatorium afër Torinos (Itali), sanotariumin ‘‘Shën Luigji’’ ku dhe vdiq më 26 gusht 1938.

Në themel të veprimtarisë së Migjenit qëndron aspirata për një botë të re, ku njerëzit e thjeshtë të jetojnë të lirë dhe të lumtur me dinjitet njerëzor dhe pa frikë për të nesërmen. Ky humanizëm aktiv përshkon tej e ndan veprën e tij. Në poezitë e para, si “Zgjimi”, “Të birt’ e shekullit të ri”, “Shkëndija”, “Shpirtënit shtegtarë”, etj. pakënaqësia e thellë ndaj realitetit çifligaro-borgjez dhe ëndrra e autorit për një të ardhme të bukur u shpreh me figura të gjalla romantike. Poeti u ngrit kundër amullisë shoqërore dhe forcave që mbanin vendin në errësirë (“kalbësinave që kërkojnë shejtnim”). Kritika e rreptë e gjendjes së rëndë të vendit u gërshetua në këto vepra me dëshirën e zjarrtë për “një agim të lum e të drejtë kombëtar”, me grishjen për të luftuar për ditë më të bukura. Për zhvillimin e Migjenit si shkrimtar është karakteristik kalimi i tij i shpejtë nga romantizmi revolucionar në realizmin kritik.

Pasqyrimi i varfërisë së thellë të masave zë vend qendror në botimet e Migjenit për shkrimtarin kishte rëndësi të madhe shoqërore që të dilte në dritë sa më qartë humnera e vuajtjeve, ku e kishte hedhur popullin regjimi reaksionar. Heronjtë e veprave të tij më të mira (“Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Bukuria që vret”, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj.) ishin të papunë që rropateshin gjithë ditën për të nxjerrë kafshatën e gojës, malësorë që qëndronin në zgrip të jetës, të mjerë që nuk u kishte ecur në jetë dhe ishin flakur jashtë shoqërisë. Në “Poemën e mjerimit”, veprën e tij më të shquar, Migjeni përshkroi në tablo të gjallë dhe rrëqethëse të gëlltitjes së vështirë të masave të shtypura dhe të shfrytëzuara, të venitjes së tyre fizike nën grushtin e mjerimit, që sundonte në vend dhe mbrohej nga monarkia çifligaro-borgjeze. Në një varg shkrimesh, si “Zoti të dhashtë” etj., Migjeni fshikulloi ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve që hiqte populli.

Pas Çlirimit trashëgimi letrar i Migjenit u bë i njohur plotësisht. (“Veprat” e plota të Migjenit janë botuar tre herë: 1954, 1957, 1961, kanë dalë edhe një varg botimesh të tipave të ndryshëm). Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tija janë botuar studime e artikuj të shumtë.

Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në 1956. Iu dha titulli “Mësues i Popullit” post-mortem në vitin 1957. / KultPlus.com

Të ngjajshme