займ на карту онлайн потребительский кредит

Mollë e Vogël

11 Nëntor, 2020 - 2:41 pm

Tregim nga Ibrahim Berisha

Kur isha fëmijë, gjashtë vjet, shikoja si qeshin të rriturit. Sa flisnin, ata qeshnin, mendoja se kanë arritur ndonjë fitore në luftën e tyre të vështirë. Nuk i kuptoja pse qeshnin?

Pas pak minutave zhgënjehesha se ata heshtnin dhe masandej, më binte të shoh gjyshen, Mera, kur niste të fliste me zërin e dridhshëm, e pastaj edhe niste të qajë.

Qajë gjyshe, qaj!

Pyesja vetën: Pse qanë gjyshja?

Mollë e Vogël, më thoshte ajo. Dreq i vogël, më thoshte duke më shikuar me një rrezatim ëndërrimtar me fytyrën e verdhë, mbështjellë si me dritë të fikur që ende lëshon pamjen e bashkuar me tymin e posa mbetur nga drita e zjarrit të pakmëparshëm.

Mollë e Vogël, edhe më tha një ditë gjyshja, e sheh si po rritesh, je krijuar në këtë botë për të vuajtur, siç vuajnë të gjitha gratë, sepse i gjithë trupi i tyre është femër dhe gjithë shpirti i tyre është dhimbje.

Vajzat duan të jenë të bukura, derisa bukuria nuk ua merr mendtë. Vjen një ditë dhe sytë nuk u shkëlqejnë nga lumturia.

Mollë e Vogël, më thoshte gjyshja. Ti je si një mollë e vogël, por unë jam si një lule me dritë të ditëve të kaluara.

Ti je si unë, se edhe unë kam qenë e vogël, dreq i vogël, si para gjashtëdhjetetre vjetëve. Aq rrugë duhet të bësh për të mos mbetur këtu ku je, dreq i vogël. Për t’më takuar mua këtu ku jam katandisur.

(Nga libri në prozë “Aroma e qiellit” që botohet së shpejti) / KultPlus.com

Të ngjajshme