‘Nderi i Akademisë’ për shkrimtarin Jakov Xoxa

7 Qershor, 2023 - 6:00 pm

Akademia e Shkencave organizoi nje konferencë në përkujtim të 100-vjetorit te lindjes së shkrimtarit dhe studiuesit Jakov Xoxa, në zbatim të vendimit të Asamblesë së saj, e cila e ka veçuar këtë figurë të letrave shqipe si personalitetin e vitit.

“Vepra e veprimtaria e Jakov Xoxës janë bazale në historinë e letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shek. XX. Triptiku i tij, me romanet Lumi i vdekur, Juga e bardhë e Lulja e kripës, është bërë pjesë e konstitucionit shpirtëror të dhjetëra brezave në Shqipëri e Kosovë, madje dhe për lexuesit në gjuhë të huaj”, tha në fjalën e tij kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi.

Jakov Xoxa i ka dhënë letërsisë shqiptare të parin roman-epope, me nivele që deri atëherë nuk i kishte arritur romani shqiptar, ka vlerësuar me të drejtë Nasho Jorgaqi, shkrimtar e studiues.

“Realist i kulluar në realizmin e madh” e quante shkrimtarin Jakov Xoxa studiuesi Ibrahim Rugova.

Ndërsa albanologu Robert Elsie i konsideronte romanet e Jakov Xoxës vepra të rralla të kohës, me merita artistike.

Duke e cilësuar romanin Lumi i vdekur si ndër romanet më të mirët të letërsisë shqipe deri më sot, akad. Rexhep Qosja shprehej se Jakov Xoxa është shkrimtari i parë shqiptar që tenton të zbulojë njeriun dhe realitetin në tërësinë e tyre. Ndërsa akad. Mehmet Kraja, para më shumë se katër dekadash, çmonte se konceptet letrare të Jakov Xoxës dilnin jashtë formulimeve teorike, jashtë kanonizmave, jashtë kufizimeve të tepruara, duke mbetur dëshmi se vepra të mëdha mund të krijohen edhe pa u mbytur në ujërat e novatorizmit me çdo kusht.

Vepra e Jakov Xoxës ka një rëndësi historike për rolin që pati si përbashkuese e vetvetishme e lexuesit shqiptar kudo që ndodhej.

Ai është i pari që futi në letërsi karakterin shqiptar të muhaxhirit nga Kosova, me fatin, gjuhën, traditën e tij dhe i bëri njerëzit të flasin me gjuhën e tyre autentike duke u dhënë identitet social, krahinor e gjuhësor.

Jakov Xoxa ka dhe një anë padrejtësisht të panjohur e të pavlerësuar, si një nga bashkëthemeluesit e Universitetit të Tiranës dhe profesor për afro dy dekada në aulat e tij; si themelues i dy lëndëve të formimit bazë për studentët e gjuhësisë dhe letërsisë: Hyrje në shkencën e letërsisë dhe Bazat e teorisë së letërsisë, që u botuan e u ribotuan në mijëra kopje për nevoja universitare në Tiranë, në Prishtinë dhe në Tetovë, përveç disa veprave të tjera për metrikën, stilistikën dhe terminologjinë letrare.

Duke vlerësuar këto kontribute origjinale dhe specifike, juria e posaçme që funksionon pranë Akademisë së Shkencave, pasi mori mendimin e komisioneve të përhershme përkatëse dhe të strukturave të tjera, ka vendosur t’i akordojë Jakov Xoxës çmimin e mirënjohjes tonë më të lartë, Nderi i Akademisë, me motivacionin: “Për vendin qendror që ka zënë në historinë e romanit shqiptar; të cilin e zhvilloi dhe e modernizoi si gjini e madhe letrare; e pasuroi me karaktere shenjuese nga gjithë hapësira historike kombëtare; per mjeshtërinë e rrëfimit dhe te ndërthurjes së ligjërimeve që lartësoi në nivelin e shqipes së gjithëmbarshme të folme lokale të rëndësishme për pasurinë e saj; bashkëthemelues i Universitetit të Tiranës dhe profesor për dy dekada; studiues i teorisë dhe stilistikës letrare; hartues i teksteve shkollore dhe universitare të formimit bazë, që u shërbyen disa brezave studentësh e pedagogësh në Shqipëri e në Kosovë”./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme