Në 115 vjetorin e lindjes, Mitrush Kutelit i akordohet titulli “Nderi i Akademisë”

8 Korrik, 2022 - 5:15 pm

Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi i akordoi Dhimitër Paskos “Nderi i Akademisë”. Diplomën ia dorëzoi së bijës Atalanta Paskos në konferencën shkencore “Mitrush Kuteli, shkrimtari, studiuesi, përkthyesi” që u mbajt sot më 8 korrik 2022.

Në vlerësim të kontributit të madh të Mitrush Kutelit në fushën e letrave, juria e posaçme, e përbërë nga Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe kryetarët e komisioneve të përhershme, me vendimin nr. 40, datë 7.07.2022, bazuar në propozimin e njëzëshëm të Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, vendosi t’i akordojë Dhimitër Paskos mirënjohjen publike më të lartë që jepet nga ky institucion, “Nderi i Akademisë”, me motivacionin:

Shkrimtar me veprimtari krijuese origjinale në prozë dhe poezi; një ndër themeluesit kryesorë të prozës moderne shqiptare; mjeshtër i ligjërimit e rrëfimit, fantazisë dhe së magjishmes; krijues e rikrijues virtuoz mbi bazën e motiveve tradicionale të botës shqiptare; shqipërues i kryeveprave botërore dhe pasurues i gjuhës shqipe; publicist e mendimtar kritik; studiues me vepra të suksesshme në disa fusha të dijes; veprimtar gjurmëlënës në rrugën e përparimit shoqëror e qytetar të vendit.

Ndërsa familja i dhuroi Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dorëshkrimin e veprës së Mitrush Kutelit “E madhe është gjëma e mëkatit”./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme