‘Ne të gjithë kemi fatin e të qenit tradhtar dhe të tradhtuar’

25 Tetor, 2020 - 10:24 pm

Albert Vataj

A mund ta mbushë tradhtia një zemër, të cilën e ka zbrazur pamjaftueshmëria

Ne të gjithë kemi fatin e të qenit tradhtar dhe të tradhtuar. Nëse guximi për ta mbajtur kurmin dhe shpirtin të kyçur pas hekurave të diktatit puritan ka shpërblyer zemra dhe identitete, ato thjeshtë meritojnë përulësinë e një respekti dhe bekimin e çdo kodi zakonor dhe predikimi të shenjtë.

Të sfidosh vetveten duke përplasur para mureve të ndalesës dhe nënshtrimit, stuhitë e dalldisë së pasionit, është një sipërmarrje heroike, që meriton blatime shenjtorësh dhe dritë të hyjshme përjetësie.

Ne duam, dhe dëshirat tona i blejmë me çmimin e vuajtjes dhe trazimit. Kërkojmë gjithnjë dhe papushim lypim ta pozicionojmë veten në të mundshmen e marrjes së asaj që mendojmë se na përket. Edhe nëse na duhet të kaptojmë male për të arritur atje ku trokthi i rrëmetshëm i zemrës na thërret, ne thjeshtë e bëjmë me çdo çmim. Ka beteja që tradhtia i fiton. Ato i përkasin jo dhe aq sfidave personale, se sa fatit. Të jesh në anën e djallit, je i privilegjuar dhe shpërblyer, si me kënaqësi ashtu edhe me flakët e ferrit. Të gjitha ata që janë të ftuar në këtë gosi, mendojnë se duke e mbajtur të fshehur, shpirti i tyre nuk ka pse të mbajë barrën e rëndë të fajit dhe nderi, atë të pendimit. Gjithsesi, të mbash diçka larg syve të botës, do të thotë se, pasioni e ka fyer aq rëndë integritetin tënd, sa ta lejojë atë të gabojë keqas, duke menduar se të fshihesh pas gishtit, ke shpëtuar nga barra e mëkatimit. Sikundër ka prej tyre që tradhtinë e kanë zeje, pjesë e personalitetit dhe karakterit. Ata nuk i druhen asgjëje, nuk i ruhen askujt, madje kjo mbetet e vetmja kryevepër e misionit të tyre, anipse mjerane. Çdo sfidë për ta është një trofe dhe çdo fitore është një arsye për vetëmburrje. Ata tradhtojnë sepse duan dhe gjithçka që ata synojnë është tradhtare, sepse e tillë është edhe ndjenja, pasioni dhe dëshrimi.

Nevojat tradhtare janë thirrje të thekshme nga skutat më të errëta të brendisë sonë, e cila ka mësuar më mirë se çdo ligjësi, atë të nënshtrimit. Tundimet më të parezistueshme, e djegin në zjarr e hekur të skuqur vullnetin. Trandjes dhe trazimit, me të cilat njeriu i prirjeve të epërme të devocionit ndeshet si një gladiator çdo ditë, me të vetmen qëllimsi, triumfin.

Kjo thirrje, ky zë, kjo yshtje, buron si magma prej thellësisë së tokës, nga aq thellë ku gatuhen zjarret e emocioneve të forta, ku shpuzet nervi i përpjekjeve për të zbuluar tempin e rrezikut dhe kutin e heroit në kurmin e brishtë të epsheve.

Triumfeti në tradhti, në shumë raste është sikur të arrish të kalosh nga një anë e një lumi në tjetrën duke kërcyer mbi kurrizin e krokodilëve, ose të përpiqesh të përdorësh copëza akulli si anije për të përshkuar detin… fatkeqësisht jo gjithnjë mund t’ia dalësh.Më shumë se gjithçka në këtë lojë zjarresh, në këtë sfidë rreziku, ajo që e pëson është zemra, të cilën nuk e shërojnë dot as pendimi as lotët.

Megjithatë ne vazhdojmë të jeni të dehur prej kësaj arome, të kapluar prej këtij zjarrmimi.

Ti që ke humbur zjarrin e një dashurie, dhe nuk mund ta rigjesh atë në atë vatër ku deri dje të ka ngrohur më dëshirim e përkujdesje, harroje se do ta gjesh në njëmijë zjarre që shpuzitin në udhën që përshkon harbimi. Ajo zemër ka vdekur.

Përvoja nuk mbamendet të ketë ruajtur në kujtesën e vet një tradhti, zjarri i apasionuar i së cilës i dha një zemre atë që vetja dhe fati i’a kishte ndaluar e mohuar me vargonj e pengim.

Mëshiruar qofshin prej shenjtorëve të dashurisë dhe dlirësisë së atyre forcave blatuese shpirtrash flakatar, gjithë ato kurme që lshohen dorzan një shpengimi tradhtar, jo dhe aq prej dëshirës për të mbushur një zemër të zbrazur, se sa për të ngërthyer në pelenat e egos një shpirt që ka vendosur të zgjedh fatin e dallgëve që përplasen me shkëmbinjtë e vuajtjes dhe pendimit./ KultPlus.com

Të ngjajshme