Nesër promovohet libri ‘Arti në rezistencë’, nga Shkëlzen Maliqi

30 Qershor, 2022 - 7:30 pm

Nesër do të promovohet libri më i ri i shkrimtarit Shkëlzen Maliqi, me titull ‘Arti në rezistencë: Shkrimet e fundshekullit XX’.

Në panel për diskutim do të jenë: Ilir Bajri, Lura Limani dhe Vullnet Krasniqi.

‘Soma book station’ organizon me 1 korrik një panel për botimin e librit „Arti në rezistencë: Shkrimët e fundshekullit XX“, të autorit Shkëlzen Maliqi, filozof, publicist dhe kritik i artit.

Studimet më të themelta dhe interdisciplinare të zhvillimeve të fundshekullit XX kohëve të fundit po bëhen trend, kurse botimi i Maliqit kontribuon për këtë në një fushë që nuk është eksploruar mjaftueshëm.

Opinioni kosovar Shkëlzen Maliqin e njeh më shumë si analist, publicist dhe veprimtar politik, sidomos si hulumtues i suksesshëm social (sondazhe dhe exitpole të Institutit „Gani Bobi“), mirëpo me këtë libër ai dëshmon se në qerekshekullin e fundit ka qenë edhe kontribues i vazhdueshëm dhe serioz në analizën dhe vlerësimin e arteve pamore dhe të kulturës shqiptare.

Libri ndahet në tri pjesë. Në fillim jepen analizat socio-politike e viteve ’90 kur është instaluar apartheidi në Kosovë dhe se si është reflektuar shtypja masive në mobilizimin e shoqërisë dhe kulturës kosovare.

Teza e Maliqit është se si përgjigje ndaj represionit serb janë krijuar modele inventive të rezistencës që jo vetë se nuk e lejuan degradimin dhe akulturimin (çka ishte qëllimi i Serbisë) por paradoksalisht, kontribuuan në përparimin dhe avancimin e krimitarisë artistike. Pjesa qëndrore e argumentit të Maliqit është ekspozita e artit bashkëkohor kosovar në Beograd e vitit 1997, e titulluar në gjuhën shqipe „Përtej“, që ka sjell një kthesë historike për artet pamore tona, duke i përafruar ato me artin bashkëkohor botëror.

Në pjesën e dytë , Maliqi kronologjikisht sjell kritikat mbi projektet artistike të viteve ’90 të dy rrymave, të atyre moderniste, dhe të atyre postmoderniste ose konceptuale.

Shquhen analizat e Maliqit të veprave të Gjelosh Gjokajt, Agim Çavdarbashës, Rexhep Ferrit, Simon Shirokës etj. si dhe të Sokol Beqirit, Mehmet Behlulit, Erzen Shkolollit dhe Zake Prelvukajt.

Në pjesën e tretë Maliqi bën një paralaks (hark kohor) që lidh vitin ’74 të shekullit XX, me vitin 2014. Ai boton dy shkrime të veta që i ka shkruar si student, njëri është kritikë filozofike e Xhozef Bojsit, artistit botëror më me influencë i pjesës së dytë të shek XX, që Maliqi e vlerëson si utopist. Por pastaj ky shkrim është temë e një dialogu interesant mes Shkëlzen Maliqit dhe Sezgin Bojnikut, antropologut dhe kritikut të artit nga Prizreni, i cili prej vitesh jeton në Finlandë. Aty shtrohet pyetja se në cilin moment duhet filluar qasja historizuese mbi artin kosovar, p.sh. duke e bërë dallimin mes artit modernist dhe artit bashkëkohor. Është ky një debat që vetëm piketon problemin dhe prek lehtë vetëm parimet e një pune të cilën skena e arteve pamore te shqiptarët ende (s’) e trajton sepse ka ngecje serioze institucionale.

Libri është i ilustruar bollshëm me foto bardh e zi, që në këtë ras nuk është mangësi pasi që bëhet fjalë për një vepër që vlerë perimare e ka tekstin.

Dhe duhet cekur se librin është dizajnuar shkëlqyeshëm nga Jeta Dobranja.

Libri është bashkëbotim i Botimet Koliqi me Edicionin MM të Qendres „Gani Bobi“/Express/ KultPlus.com

Të ngjajshme