Rexhep Qosja: Shqipëria dhe Kosova po shkojnë drejt bashkimit

27 Nëntor, 2017 - 9:59 pm

Akademiku Rexhep Qosja, uroi 28 dhe 29 nëntorin për shqiptaret, kudo janë, nëpërmjet DritaremeRudinën në Vizion Plus.

Ai u shpreh: 28 dhe 29 nëntori, ditët e 105 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ne i shënojmë tani me një përvojë shumë të madhe, me një përvojë të brezave që kanë jetuar prej krijimit të Shqipërisë në vitin 1912 e deri tani. Këta janë brezat që kanë përjetuar gëzime, fitore të arritura, por edhe dëshpërime dhe tragjedi të mëdha. Këta breza, që na kanë lënë një përvojë të madhe politike e shoqërore, shtetërore e historike, kanë përjetuar dy Lufta Ballkanike gjatë të cilave e kanë krijuar shtetin shqiptar, Shqipërinë, dhe e kanë krijuar duke mbetur jashtë këtij shteti, me fajin e fqinjëve ballkanikë, natyrisht edhe të fuqive të mëdha të asaj kohe të Evropës, pra duke mbetur jashtë këtij shteti më shumë se gjysma e popullatës dhe pothuajse më tepër se gjysma e trojeve në të cilat shqiptarët ishin popullsi e vetme apo shumicë e madhe etnike.

Pos këtyre dy Luftërave Ballkanike, këta breza kanë përjetuar edhe dy Luftëra Botërore dhe pos këtyre, kanë përjetuar mandej Luftën Çlirimtare për çlirimin e Shqipërisë prej pushtimit fashist dhe nazist. Më tej, këta breza kanë përjetuar Luftën Çlirimtare të Kosovës, e cila nuk do të ishte bërë po të mos ishte krijuar Shqipëria ashtu siç u bë në fund. Kanë përjetuar mandej edhe një luftë të shqiptarëve në Maqedoni për të drejtat e tyre dhe për të drejtën shtetkrijuese të shqiptarëve në këtë Republikë.

Këta breza, që na kanë lënë këtë përvojë të madhe politike, shoqërore, shtetërore dhe historike që e kemi ne sot, kanë krijuar dhe ndryshuar disa rende politiko-shoqërore dhe kushtetutore-juridike, kanë krijuar republikë, kanë krijuar mbretëri, kanë krijuar shtet gjysmëfeudal siç ishte mbretëria e Ahmet Zogut, kanë krijuar shtet republikë socialiste dhe tani kanë krijuar dy republika: republika e Shqipërisë demokratike dhe Republikën e Kosovës demokratike. Brezat para nesh kanë përjetuar despoti, kanë përjetuar tirani, kanë përjetuar totalitarizëm dhe tani po përjetojnë demokraci dhe pseudodemokraci, po përjetojnë autoritarizëm dhe po përjetojmë, ta them hapur, edhe një lloj despotizmi.

Përvojat që na kanë lënë brezat e mëparshëm, prej vitit 1912 e këndej, e kjo përvojë është e pasur dhe e madhe, na obligojnë që ta shohim realisht gjendjen në të cilën jemi sot, që ta shohim objektivisht këtë mendësi tonën të sotme.

Çfarë po shohim, çfarë po dëgjojmë, çfarë po përjetojmë ne sot dhe, natyrisht, çfarë dëshirojmë ne sot?

Duhet të dimë para së gjithash se fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI na kanë ofruar një gjasë të madhe historike për të bërë korrigjime në padrejtësinë e madhe që na është bërë në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Paqes për Ballkanin në Londër, në Konferencën e Versajës pas Luftës së Parë Botërore dhe më tej në fund të Luftës së Dytë Botërore. Kjo na obligon që ta shohim mirë gjendjen tonë sot: të dimë çfarë po shohim, çfarë po dëgjojmë dhe çfarë po përjetojmë. E ne, ato që po shohim, po dëgjojmë e po përjetojmë, na bëjnë më shumë mospajtues sesa të pajtuar me gjendjen politiko-shoqërore dhe shtetërore e cila është sot.

Natyrisht politika jonë e jashtme është një politikë e drejtë dhe dua të them se është e drejtë me meritat tona, por mbi të gjitha është e drejtë me meritën e shtetit që ka luajtur rol jashtëzakonisht të madh në zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës dhe në krijimin e shtetit të Kosovës, e këto janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të kënaqur me politikën e jashtme, ne mund të jemi shumë të pakënaqur sot me politikën e brendshme, megjithëse edhe me këtë politikë po bëhen disa përpjekje për t’u përmirësuar gjendja. Ne sot shohim dukuri që e rëndojnë jetën tonë, që nuk na bëjnë mirë, në të vërtetë na bëjnë keq edhe në sytë e ndërkombëtarëve në përgjithësi. Në mendjet e atyre që u është dhënë vota e popullit, në mendjet e numrit më të madh të atyre, ka sot një tollovi, ka sot një konfuzion të madh. Dhe po të mos ishte kështu, nuk do të ndodhte që padrejtësia të sundonte drejtësinë, nuk do të ndodhte që të mos kemi barazi të dinjiteteve, nuk do të ndodhte që qytetarët të mos jenë të barabartë para gjykatave, nuk do të ndodhte që të ketë korrupsion pandemik në Kosovë dhe Shqipëri, nuk do të ndodhte që në mënyrë të veçantë Kosova të vuante aq shumë prej nepotizmit që është një dukuri primitive, në sajë të së cilës diskriminohen shumë qytetarë e favorizohen të afërmit e njerëzve që kanë pushtetin në dorë, njerëzit e partive të tyre, miq dhe dashamirës të tyre!

Të gjitha këto dukuri janë pasojë edhe e mendimeve të paqarta e të padrejta të disa pushtetarëve, jo vetëm ndaj të sotmes por edhe ndaj të nesërmes. E ne duhet të mendojmë, e duhet të dimë, e duhet ta kemi të qartë se çfarë duam dhe çfarë na takon në këtë kohë, në këtë gjasë historike që na është ofruar. Unë them se na takon ajo që thashë më parë, na takon përpjekja për përmirësim të gjendjes që kemi trashëguar nga Konferencat ndërkombëtare në të cilat është vendosur për fatin e popujve të Ballkanit.

Ne do duhej të kemi të qartë qëllimin, cili është qëllimi ynë dhe njëkohësisht duhet të kemi të qartë, të dimë rrugën që duhet të ndjekim drejt këtij qëllimi, duhet të kemi të qartë rrugën në mënyrë që të mos bredhim rrugicave. E ky qëllim yni sot është, si pikë e parë, përmirësimi i gjendjes së rëndë historike që kemi trashëguar: bashkimi i Kosovës me Shqipërinë. Ne dëgjojmë sot njerëz të politikës të cilëve u është dhënë besimi i popullit të mendojnë për gjendjen e tij, por edhe për çështjen shqiptare në përgjithësi, sesi kjo çështje do të zgjidhet në Bashkimin e Evropës. Jo, nuk do të zgjidhet në Bashkimin e Evropës. Ashtu siç nuk e lejon një shtet anëtar të tij të ndahet në dy shtete poashtu Bashkimi Evropian nuk i lejon dy shtete anëtare të tij të bashkohen në një shtet. Çështja kombëtare shqiptare, çështja e Kosovës dhe Shqipërisë, prandaj do zgjidhet si bashkim i Kosovës me Shqipërinë pa hyrë në Bashkimin Evropian sepse vetëm ashtu të bashkuara ne na sigurohet ai ideal që e kanë dëshiruar brezat gjatë këtyre vjetëve.

Pse bashkimi i Kosovës me Shqipërinë?

Kjo nuk është çështje vetëm e dëshirave, e vullnetit, apo ndjenjave të shqiptarëve, por kjo është një çështje që zgjidh shumë çështje të tjera të jetës së popullit shqiptar. Kosova me Shqipërinë të bashkuara, krijojnë kushte shumë më të mira natyrore, gjeografike, politike, ekonomike, shëndetësore, arsimore, kulturore, shkencore, për një jetë më të mirë të popullit të Shqipërisë dhe Kosovës së bashkuar. Ato bëjnë të mundshme një siguri të mirërritjes së brezave të ardhshme, bëjnë të mundur rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar, bëjnë të mundshme një jetë në kushte në të cilat do të lulëzojnë ato të mira që njerëzit e politikës sot nuk i përmendin, me të cilat mjerisht nuk merren, por që bëjnë të mundshme që në këtë jetë Kosovës dhe Shqipërisë së bashkuar t’i lulëzojnë vlerat më të mëdha si kultura, qytetërimi, artet, letërsia, shkencat – vlerat që sigurojnë identitetin e një populli dhe vlerat që e bëjnë një popull të jetojë historikisht.

Nuk thuhet kot që Greqia antike nuk jeton për shkak se kanë jetuar e janë marrë me të figura shtetërore dhe politike. Greqia antike jeton në veprat e Homerit, Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Platonit, Heraklitit, Aristotelit. Ata janë njerëzit, të cilët edhe prej varreve ju flasin brezave të ardhshëm.

Për këtë arsye e theksoj sot se kulturës, krijimtarisë shpirtërore, arteve, shkencave, qytetërimit duhet t’iu kushtohet kujdes, të cilin sot mjerisht nuk e kanë parasysh ata që merren me politikën.

Duke i uruar popullit shqiptar festën e madhe, festën më të madhe për popullin shqiptar, 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke i uruar popullit shqiptar Ditën e Flamurit, që, ja, tani është pranuar edhe zyrtarisht si ditë që do të festohet edhe në Kosovë, unë uroj që festat e ardhshme të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Pavarësisë së Kosovës t’i kremtojmë në Shqipërinë dhe në Kosovën, të bashkuara.- u shpreh profesor Qosja.

Të ngjajshme