Nis rikonstruksioni i plotë i Bibliotekës së Fëmijëve në Korçë

30 Qershor, 2025 - 2:24 pm

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, njoftoi përmes rrjeteve sociale se një projekt i rëndësishëm po fillon.

Bëhet fjalë për rikonstruksionin e plotë dhe rivitalizimin e Bibliotekës së Fëmijëve, e dhuruar për qytetin nga filantropi Thoma Turtulli. Biblioteka e Fëmijëve është një nga objektet më të rëndësishme të Korçës për sa i përket kujtesës historike dhe vlerave arkitekturore që mbart si objekt unikal dhe i realizuar me shumë dashuri e kujdes nga mjeshtrit e kohës.

“Pres me padurim që, pasi projekti të përfundojë, mbi 600 fëmijë të moshës deri në 15 vjeç, frekuentues të kurseve të teknologjisë dhe inovacionit, së bashku me qindra bashkëmoshatarë të tyre, frekuentues të librit, të kenë një ambient komod dhe dinjitoz dhe që amaneti i Thoma Turtullit, për një rini larg kafeneve dhe pranë dijes, të vazhdojë të përmbushet në përjetësi”, u shpreh kryetari i Bashkise Korçë.

Projekti për restaurimin dhe rijetëzimin e saj, i pari në këtë shkallë ndërhyrjeje që nga ndërtimi i objektit, është realizuar nga Bashkia Korçë me konsulencën e specialistëve të restaurimit dhe është miratuar në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Restaurimi synon të nxjerrë në pah vlerat e degraduara në vite, si dhe të krijojë ambient komod pa ndryshuar funksionin aktual, për t’i shërbyer fëmijëve, duke ndërthurur leximin e librit tradicional me elementet e teknologjisë dhe inovacionit.

Objekti është në fazën e përgatitjes së kantierit për fillimin e punimeve ndërtimore, si dhe ka filluar puna për restaurimin e disa elementeve identitarë të objektit, siç është portoni hyrës./ KultPlus.com

Të ngjajshme