Një amerikan në Kosovë dhe një shqiptar në Amerikë

12 Qershor, 2020 - 12:45 pm

Recension nga Ibrahim Berisha

(Muhamet Mjeku: Një jetë në mes Kosovës dhe Amerikës. New York, 2008)

Libri “Një Jetë në mes Amerikës dhe Kosovës” për Familjen Bajraktari, për Bajraktarët e Vranocit dhe të Amerikës, për Kullat tradicionale, kulturën dhe bizneset e Bajraktarëve ka 400 faqe. I shkruar me një stil të lehtë e mjeshtëror nga publicisti Muhamet Mjeku, që jeton ka vite në Nju Jork të SHBA, përmban në vete aq shumë pjesë, ide, filozofi, ngjarje, memorie, dhe njerëz me perspektivat antropologjike, historike, sociologjike e publicistike.

Jeta, Liria dhe Ndjekja e Lumturisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me idetë e Etërve Themelues, u patën ngritur mbi këto tre ideale, që janë pazgjidhshmërisht të lidhura me njëra tjetrën. Ose i ke të tre ose nuk e ke asnjërin. Mbi këto ideale, duke pasur si model Kushtetutën Amerikane, me kalimin e shekujve, janë themeluar shumë shtete moderne. Po mbi këto ideale është shpallur edhe shteti më i ri në Evropë, në vitin 2008, Kosova.

Familja Bajraktari, sikur edhe shumë familje të tjera shqiptare atdhedashëse gjatë fundit të shek XIX, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, dhe gjatë gjithë shek XX, ishin detyruar të sakrifikojnë, por edhe të jetojnë pa të drejtën themelore, pa lirinë.

Atyre pushteti jugosllav ua ndalonte të ndiqnin mirëqenien dhe lumturinë e tyre dhe të mos jetosh i lumtur do të thotë të kesh kaluar jetën tënde dëm.

Kështu, baba i Harryt, Metë Bajraktari, në kërkim të një ardhmërie më të mirë për familjen e tij, vendosi të bëjë atë që pak vetë e bënin: të ndiqte ëndrrën amerikane nisur nga Vranoci i largët.

Ky do të ishte fillimi i një jete më të mirë, i një suksesi në biznes dhe i një kontributi të jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës.

Por, emigrimi nga Vranoci i shtypur nga Jugosllavia Komuniste për në Amerikën e largët, në vitin 1969, natyrisht se nuk ishte vendim i lehtë. Për këtë arsye kuraja për të mposhtur frikën e të panjohurës dhe guximi për të ndjekur lumturinë, siç bëri Metë Barjaktari, meriton konsideratën dhe nderimin tonë të thellë.

Nëse Metë Bajraktari, nuk do kishte besuar në guximin e tij, përballë mospajtimit të rrethit familjar dhe shoqëror, askush asnjëherë nuk do të kishte dëgjuar për gazetën e njohur Illyria, dhe shumë nga aktivitetet Shqiptaro-Amerikanëve për çështjen e Kosovës, dhe kosovarët sot, nuk do të kishin si model një Biznismen dhe veprimtar të jashtëzakonshëm të çështjes kombëtare në Amerikë dhe në Kosovë, si Harry Bajraktari.

Udhëtimi i Metë Bajraktarit nuk kishte pasur pëlqimin e të shoqes së tij dhe nënës së Harryt, Zizë Gecaj-Bajraktari. Është e kuptueshme brengosja e saj prej nëne, kur nuk do të kishte më shikim që do të kapte fushën e butë të Dukagjinit, kur diheshin pasiguritë që përmbante rruga e familjes Bajraktari drejt lirisë.

Sidoqoftë, edhe pse mospajtimi i saj ishte i pashkrirë, kjo nuk e pengoi atë që në SHBA të pajtonte nostaligjinë dhe mërzinë për Gecajt dhe Bajraktarët e mbetur në Dukagjin, me dashurinë për familjen në Neë York dhe të punonte për gjashtëmbëdhjetë vjet, pa ditur shkrim lexim dhe pa njohur gjuhën angleze, në një bankë në Ëall Street.

Në po këtë Bankë ku ajo kish punuar, do të vinte pas disa viteve një biznesmen i ri dhe ambicioz nga Kosova, që ende ishte në fillimet ëndrrës së tij, për të marrë një kredi 12 milionë dollarë me qëllim të zhvillimit të biznesit. Ai quhej Harry Bajraktari dhe për herë të parë kishte ardhur në atë bankë si 13 vjeçar për ta shoqëruar nënën e tij në ditën e parë të punës.

I përmenda këto tre inserte me qëllim të vënies në pah të tre vlerave të rëndësishme të familjes Bajraktari. E para, guximin e z. Metë Bajraktari për të kërkuar me çdo kusht një jetë më të mirë për veten dhe familjen e tij, e dyta, punën e palodhshme të zonjës Zizë, në rrethana jo të këndshme, që më vonë do të bëhet virtyt i fëmijëve të saj dhe do shpaguhet me sukseset e tyre ,

dhe e treta, Harry kish filluar jetën si një fëmijë i guximshëm dhe realist sa shqiptar po kaq edhe amerikan.

Shoqëria amerikane si shoqëri multikulturore, në diversitetin e pasur të saj, fokusohet në vlerat që individi i lirë mund t’i ofrojë shoqërisë, pavarësisht racës dhe etnisë. Këtë e dëshmon Barry Levites që përvojën dhe dijen ia përcjellë Harry-t, një shqiptari në Amerikë, me të cilin e lidhë një vlerë, dhe ajo është dëshira për punë dhe arritje në shoqërinë amerikane.

Dhe në një shoqëri të barbartë, dëshira për punë e arritje kurrë nuk të lë vetëm dhe gjithherë të gjen një mik më shumë.

Janë pikërisht këto baza mbi të cilat edhe ne duhet të ndërtojmë shtetin tonë të ri. Pluralizmi, toleranca dhe liria individuale duhet të jenë fundamente të shtetit të Kosovës dhe për këtë si model kanë qenë dhe mbeten SHBA-të.

Lidhja e shqiptarëve të Kosovës me Amerikën është lidhje e zhvilluar në kohë të vështira, por e veçantë në të gjitha etapat e ekzistencës së saj. Për këtë meritorë janë natyrisht, shqiptarët që për arsye ekonomike e politike, lanë vendlindjen dhe jetuan e punuan ndershëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke dhënë shumë kështu edhe për vendlindjen dhe popullin e tyre në Kosovë, Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët.

Emigracioni nacionalist i shqiptarëve, në modelin e miqve të Familjes Bajraktari, si Mulosmanaj, Rashkoci, Kërnaja, Emra, Deva etj. dhe shqiptarët e Amerikës, kanë qenë dhe mbeten një pikë kyçe e përfaqësimit dhe përkrahjes së interesave të popullit tonë për dekada me radhë, duke bashkvuajtur me ne dhe duke punuar çdo ditë për ne nga larg.

Ndërsa ne, shoqëria shqiptare, këtë ndihmë e vlerësojmë dhe e kujtojmë sot, në kohë paqe. Për këtë edhe jemi mbledhur këtu sonte të promovojmë aktivitetin dhe kontributin 25 vjeçar të Harry Bajraktarit për çështjen shqiptare në Ëashington.

Emigrimi i familjes Bajraktari në Amerikë doli të ishte storie suksesi dhe kjo mund të thuhet për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Të dy këto udhëtime, janë të lidhura me njëra tjetrën. Janë po të njëjtat vlera të familjes Bajraktari- kuraja, guximi, puna e ndershme, sakrifica e solidariteti- që kanë shtyer mërgimtarët shqiptarë në diasporë, veçmas në Amerikë, për dekada, të themelojnë

shoqata dhe organizime politike, të themelojnë gazeta dhe revista, të lobojnë në qarqe diplomatike, të shkrijnë pasurinë e tyre, për të shfaqur gjendjen e rëndë të popullit të Kosovës para syve të botës. Janë po këto vlera që kanë shtyer njerëzit të thonë mendimin e tyre kur shqiptimi i mendimit ishte i barbartë me burg e shumë herë me vdekje, në kohën e Jugosllavisë komuniste.

Janë po të njëjtat vlera, që në vitet ‘90 shtyn shqiptarët të ngrehin një sistem kundërshtues paralel; mësues e mjekë të punojnë pa apo me pagesa simbolike, çdo ditë për vite me radhë; që shtyri politikanë, biznismenë, diplomatë, gazetarë brenda dhe jashtë Kosovës të bëjnë gjithçka që çështja e Kosovës të ndërkombëtarizohej; dhe mijëra e mijëra njerëz me të gjitha mundësitë që kishin – duke mos kursyer as jetën përmes organizimit ushtarak- të kontribuonin për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kudo në këto veprimtari ishte fryma, shpirti, mendimi dhe paraja e Harry Bajraktarit dhe e Familjes së tij.

Mbas vitit 1999, shqiptari në Amerikë Harry kthehet si amerikan në Kosovë, për të investuar mbi 40 milionë dollarë për të hapur vende të reja pune, për të dhënë shembullin e tij bashkë me Rrustem Gecin, se begatia dhe lumturia krahas lirisë, qëndron vetëm në punë.

Është mirënjohja më e çiltër dhe me e thjeshtë e atdheut për kontributin e veprimtarit dhe biznesmenit të mirënjohur, Harry Bajraktari.

Në fillim të fjalës thashë se libri “Një Jetë mes Kosovës e Amerikës” përmban aq shumë pjesë dhe elemente për t’u përmendur sa është e vështirë të nxirren për një fjalim kaq të shkurtër. Kjo për faktin se kemi të bëjmë me një libër prej të cilit mund të marrë diçka secili që i bie në dorë, pavarësisht çfarë tip lexuesi është ai apo ajo. Nëse do të kishte një fjalë që e përshkruan këtë libër, ajo është: Udhëtim. Mbi të gjitha, ky libër është udhëtim; udhëtim prej Vranocit të Lugut të Baranit në Amerikë, udhëtim prej shtypjes në liri dhe, udhëtim i një populli drejt lirisë dhe pavarësisë.

Dhe edhe pse udhëtimet mund të jenë të gjata, të mundimshme e ndonjëherë të rrezikshme, të tre këto udhëtime kanë një fund të lumtur.

Përpos shkrimit të kontributit të çmueshëm të Harry Bajraktarit dhe familjes së tij për dekada me radhë, nga gjenerata në gjeneratë, libri posedon edhe dimensionin e vet filozofik mbi zgjedhjet që bëjmë si individ dhe dëshirat që materializojmë në përballje me vështirësitë. Mendimi im i parë posa e përfundova “Një jetë mes Kosovës dhe Amerikës” të autorit Muhamet Mjeku ishte, ky libër do duhej të jetë libër shkollor për shqiptarët e rinj.

Ata gjithsesi do gjejnë gjëra të çmueshme në të. Përmes këtij libri do ta kuptojnë më mirë dhe më thellë vetëveten dhe fatin tragjik të popullit të tyre. Do të kuptojnë ndihmën e shoqërisë amerikane dhe të njerëzve tanë që shkuan atje në kërkim të lirisë dhe na dhanë pjesë të saj të çmueshme edhe neve këtu në Kosovë. Një shembull tipik i kësaj paradigme është Harry Bajraktari, i cili bëri aq shumë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me miqtë e tij amerikanë.

Libra të tillë i duhen shqiptarëve më shumë se kurrë për të parë qartë imazhin e vet real në pasqyrë. E përpos kësaj, ata të rinj do të gjejnë në të edhe dy mësime të cilat mund t’i kujtojnë si forcë motivuese sa herë jeta i demoralizon e gjërat nuk shkojnë si duan ata.

E para se: gjithherë puna sjell fatin. E dyta se, humbja është përherë me ne e fitoren s’kemi rrugë tjetër pos ta marrim vetë siç bëri Familja Bajraktari nga Kosova në Amerikë dhe nga Amerika në Kosovë. / KultPlus.com

Të ngjajshme