Një bisedë e imagjinuar me Shopenhauerin ose vetëneveria

5 Shtator, 2019 - 10:15 am

(Një reagim letrar ndaj sjelljes neveritëse të disa intelektualëve në raport me politikën ditore).Tregim nga përmbledhja “Jeta lakuriqe”, 2009

Lexuesi i zellshëm i Shopenhauerit, me veprën e të cilit që prej dyzet e sa vjetësh ishte ushqyer shpirtërisht dhe thuajse kishte kaluar kohën më të madhe në mundimin se ç´paraqet në të vërtetë bota si vullnet e përfytyrim dhe si pasqyrohet ajo në vetëdijen tonë individuale dhe shoqërore, kishte zënë të bashkëbisedonte me të rreth ndjenjës së neverisë dhevetëneverisë, që ai e kishte zënë ngoje kur vlerësonte realitetet nëpër të cilat kalonte…Natyrisht se për lexuesin e zellshëm, bashkëbisedimi i vonshëm me filozofin e dashur dhe thuajse të vetëm, me të cilin pareshtur merrej, sikur me përpikëri ndiqte rrugën e ngritjes dhe të dëshpërimit shpirtëror të vetë autorit, nëpër të cilën ai kishte kaluar, nga shpjegimi se çfarë paraqet bota si vullnet dhe përfytyrim, e deri tek sqarimi se ky kuptim dhe vetëkuptim përfundon me një dëshpërim, që do ta përmbyllë me vlerësimin e pashmangshëm të pranimit të ndjenjës së neverisë dhe të vetëneverisë…Por, ai nuk dëshironte të pajtohej me ndjenjën e neverisë dhe të vetëneverisë, edhe pse kishte bindjen se mësimet e filozofit nuk i luante as topi. Sepse, druante se ashtu do t’i shembej besimi në atë që më së shumti e kishte ushqyer shpirtërisht dhe e kishte mbrojtur nga trysnia e jashtësisë së zhveshur nga vlerat e qëndrueshme.Në atë mundim me filozofin, një ditë madje do t’i bëhej se ai do t’i shfaqej dhe me të do të bisedojë – pse neveritej, të cilën ai ia kishte pranuar si çështje të njohjes së vetënjohjes së veçantë.”Mos ka të bëjë kjo me atë të pritshmen, që mund të jetë edhe e papritshme e pritshme,Njëherësh, kur ideali zëvendësohet me mashtrimin?…” – i ishte drejtuar filozofit.- Pikërisht për këtë bëhet fjalë…“Po nëse thuhet se edhe e papritshmja është e pritshme, siç është, në disa rrethana, edhe e pamundshmja e mundshme, atëherë ku është këtu kuptimi i keqkuptimit?…”– Tek sjellja e papërgjegjshme e të përgjegjshmit, e atij që duhet të bëjë dallimin midis të lejueshmes dhe të palejueshmes dhe këtë ta shprehë haptas, por si qëndrim të prerë, që duhet të konstatohet pa hezitim…“Mbase, kjo ka të bëjë me thënien: Nganjëherë edhe heshtja flet vetë, se ashtu shfaq mosmiratim dhe protestë, që mund të lidhet edhe me thënien tjetër që përjashton indiferentizmin: Kush nuk është me mua, është kundër meje… “– Këtu zaten i kanë rrënjët edhe ato përdorimet dhe keqpërdorimet e njohura, të cilat lidhen me shpjegimin se heshtja paraqet njëfarë miratimi, se ajo madje vihet në mbrojtje të diçkajes, e të tjera e të tjera, që shfrytëzohen shpesh…“Ju, megjithatë, dikur flisnit për heshtjen si virtyt, apo jo?…”-Kjo vlen vetëm për moskundërshtimin e të mirës, të vlerës dhe të ngjashme, e jo për pranimin e të kundërtës…“Por, si të bëhet dallimi midis njërës (si vlerë) dhe tjetrës (si jovlerë), kur ato varen nga fuqia e ushtrimit të pushtetit?…– Fare thjesht. Kur bëhet dallimi midis një ndërtimi dhe një rrënimi. Njëra nënkupton mbështetjen në sistemin e caktuar të vlerave, ndërsa tjetra të kundërtën…“A nuk duket kjo si njëfarë kundërthënie e pashmangshme, ngaqë edhe ajo që quhet rrënim dhe ndërtim, varet nga këndvështrimi i perceptimit të vetë çështjes dhe natyrës së saj, kur për dikë ndërtimi nënkupton rrënimin, ndërsa për tjetrin të kundërtën, gjë që mund të arsyetohet me faktin se nuk mund të ketë vlerësim pa zhvlerësim dhe anasjelltas, që pastaj e gjitha të shpjegohet me domosdoshmërinë e ndryshimit?…”-Domosdoja e ndryshimit nuk do të thotë rrënim. Përkundrazi, rëndësia, por edhe nevoja për të ka të bëjë me ruajtjen, po edhe me plotësimin e vlerave dhe të vlefshmes. Në të kundërtën, kthehen në rrënime…“Thuhet se e reja nuk vjen ndryshe?…”– Po të ishte fjala për të reja, që çojnë përpara, pra kur të vlefshmen e bëjnë edhe më të vlefshme, kjo do të ishte e pranueshme. Në të vërtetë, absolutizimi i së resë si zhvillim, jashtë asaj që është vlerë, pa ndodhur që me çkado qoftë të ruhet sistemi i saj, s’është veçse larje hesapesh me diçka, së cilës që më parë i është përcaktuar armiqësia, nga shkaku i vetëm se brendapërbrenda saj nuk ka qenë e mundur të shtrihet pushteti i caktuar i mbikëqyrjes, ku përvetësimi me çdo kusht do ta zëvendësonte idealin e vendosjes së më të mirës…“Dhe, kjo paraqet arsyen për neverinë?…”– Edhe më shumë se kaq…Për vetëneverinë, madje…“Po pse ashtu, or?…”– Sepse, edhe unë jam qenie njerëzore dhe neveritja para neverisë pashmangshëm më bën të dyshoj se u takoj qenieve të mjera, që me vullnet pajtohen me mjerimin, si gjendje përulëse…“Duket se kështu pranohet disfata e idealit të vendosjes së pushtetit të më të mirës në dobi të pushtetit të së ligës?…”– Ndoshta?…” Ndoshta?…”-Por, megjithatë, duhet thënë se vetëm vetëneria dhe pranimi i saj është në gjendje ta mundë neverinë… /KultPlus.com

Bon, 2006.

Të ngjajshme