займ на карту онлайн потребительский кредит

Novelistja Elif Shafak: Ne jemi gati për ndryshim, por jo dhe burrat

12 Janar, 2018 - 4:30 pm

Fituesja e shumë çmimeve, shkrimtarja e njohur turke Elif Shafak, ka shkruar një shkrim përmbledhës, në të cilin përfshin elemente të rëndësishme lidhur me trajtimin e grave në Turqi. Ky shkrim është publikuar në Financial Times, ndërsa KultPlus e sjellë në gjuhën shqipe. Autorja në mënyrë të saktë, e me fjali të shkurtra përshkruan se si gratë në Turqi në vend se të ecin para, po zvarriten prapa në një skenë politike të dominuar nga meshkujt, me pikëpamje konservatore, fetare e patriarkale. Shkrimi flet për martesat e vajzave të mitura, përfshin po ashtu të dhëna alarmante lidhur me dhunën ndaj grave, e raste se si vrasësit trajtohen para gjykatës. Lidhur me këto, autorja jep tri mësime për atë që ka ndodhur në Turqi.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, gratë e Turqisë kanë parë se historia nuk do të ecën përpara. Ndonjëherë ajo kthehet prapa. Brezi i gjyshes sime ishte shumë krenare që gratë turke kishin fituar të drejtën për të votuar në vitin 1934, një dekadë më herët se gratë në shumë vende evropiane. Ato ishin krenare për një vend që qëndronte në botën muslimane me laicizmin, modernizmin dhe ligjet relativisht barazuese sa i përket aspektit gjinor.

Në nëntor, pavarësisht shqetësimeve të përhapura, Partia qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) miratoi një ligj që bëri të mundur që klerikët myslimanë të kryejnë martesa civile. Shumë aktivistë të të drejtave të grave shqetësohen se kjo do ta bëjë më të lehtë për familjet në zonat rurale që t’i martojnë vajzat e tyre në moshë të mitur. Në një vend ku një e treta e të gjitha martesave tashmë vlerësohet se përfshijnë një nuse fëmijë, ky është një hap i madh prapa.

Politika mbetet shumë e dominuar nga meshkujt në Turqi. Njerëzit me pikëpamje konservatore, fetare dhe qartë patriarkale mendojnë se kanë të drejtë të vendosin se si gratë duhet të jetojnë jetën e tyre. Vitin e kaluar, AKP u përpoq të futë një ligj që jep amnisti për përdhunuesit nëse ata bien dakord të martohen me viktimat e tyre të mitura. Propozimi u prit me zemërim dhe përfundimisht u tërhoq.
Çdo ditë në gazeta lexojmë për gratë e vrara nga burrat që njihnin. Ministria e Politikave Familjare dhe Sociale zbuloi se 86 përqind e grave në Turqi përjetuan dhunë fizike ose psikologjike brenda familjes. Mediat i mbulojnë këto tragjedi duke u fokusuar tek viktimat –duke mos u fokusuar kurrë tek kryesit e krimit. Kur vrasësit sillen para gjykatës, dënimet e tyre shpesh zvogëlohen. Një 16-vjeçare e quajtur Amine Demirtas u torturua me vdekje nga vëllai i saj, sepse ajo përdorte një telefon celular pa dijeninë e familjes së saj. Dënimi i vëllait u zvogëlua për “sjellje të mirë”.

Ekzistojnë tre mësime të rëndësishme nga ajo që ka ndodhur në Turqi. Së pari, kur shoqëritë bien në autoritarizëm, nacionalizëm dhe izolacionizëm, gratë kanë shumë më shumë për të humbur sesa burrat. Së dyti, sa herë që ka një ndryshim në klimën politike, të drejtat e para që duhet të zvogëlohen janë të drejtat e grave. Dhe, së treti, nëse gratë mbeten të ndara mes vete dhe nuk janë në gjendje të zhvillojnë lidhjet sikur të ishin motra, atëherë i vetmi fitues është vetë patriarkati.

Kur filloi fushata #MeToo në mediat sociale, gratë në të gjithë Lindjen e Mesme u bashkuan. Nga Libani në Marok, kur një grua fliste, ajo hapi rrugën për gratë tjera që ta bëjnë të njëjtën gjë. Dialogu i ri po hapet, duke bërë të mundur që gratë të tërheqin vëmendjen ndaj diskriminimit sistematik. Ajo që mungon, megjithatë, është lloji i lidhjes së afërt sikur të ishim motra e që arrin të shkoj përtej kufijve kombëtarë, fetarë, etnikë dhe ndarjes së shtresave- gjë që është veçanërisht e vështirë për t’u arritur në këtë rajon.

Gratë turke ballafaqohen me traditën në përpjekje për t’u bashkuar me fuqinë punëtore. Pasi të drejtat e grave sulmohen, nuk duhet aq kohë që edhe komuniteti LGBT të vihet në shënjestër. Në Egjipt, pasi flamuri me ylber ishte tundur në një koncert rock, shtatë persona u arrestuan për “nxitjen e devijimit seksual”. Në Turqi, parada e krenarisë e LGBT-s u ndalua për tre vite me radhë. Dhe guvernatori i Ankarasë, muajin e kaluar ndaloi shfaqjen e filmave LGBT, duke e përmendur “sigurinë publike” si një arsye. Derisa nuk ka dyshim se Egjipti dhe Turqia janë shoqëri homofobike, nuk ka ligje të drejtpërdrejta në asnjërin vend që e kriminalizojnë homoseksualitetin. Megjithatë, klima për njerëzit LGBT është thellësisht shtypëse.

Kjo është një kohë vendimtare për aktivizimin e grave. Gratë dhe komunitetet LGBT në të gjithë Lindjen e Mesme janë duke u munduar pa reshtur për të drejtat e tyre. Ne jemi gati për ndryshim. Por burrat nuk janë. Anketa Ndërkombëtare e Burrave dhe Barazisë Gjinore, një projekt avokimi që fokusohet në gjininë, së fundi ka marrë në pyetje rreth 10,000 njerëz në Egjipt, Liban, Marok dhe Palestinë. Rreth 90 përqind e meshkujve që morën pjesë në studim thanë: “Burri duhet ta ketë fjalën e fundit në shtëpi.” Këta njerëz po qëndrojnë ende fuqishëm në pushtet./KultPlus.com

Të ngjajshme