‘Ora e Shkrimtarit’ nisi me jetën e Esat Mekulit, historia e të cilit ishte po aq madhështore sa dhe veprat e tij

14 Tetor, 2020 - 10:19 am

Suada Qorraj

Nata e parë e ‘Ora e Shkrimtarit’ frymoi jetën e autorit që udhëtimet nga Prishtina në Gjakovë me qëllim për të takuar shkrimtarët e rijnë që i dërgonin letra i kishte të shpeshta. Por, veprat monumentale të shkruara e të përjetuara, Esat Mekulti nuk i kufizoheshin në këtë rrëfim të vetëm, shkruan KultPlus.

Nën qetësinë e një publiku që me padurim priste të dëgjonte rrëfimet e njohura e të panjohura deri më sot, folësi i parë dhe moderuesi i ‘Ora e Shkrimtarit’, Ibrahim Berisha, filloi që më rrëfimet dhe faktet që kishte lexuar, të dëgjohej në secilin cep të ambientit të KultPlus Caffe Gallery, që natën e mbrëmshme kishte marrë një hije ndryshe.

“Lindi në Plavë dhe vdiq në Prishtinë. Studio veterinarinë në Beograd dhe u bë doktori i parë në këtë fushë. Është themelues dhe redaktori i revistës ‘Jeta e Re’ si dhe një ndër themeluesit e gazetës ‘Rilindja’. Ai ka shkruar me pseudonime si Esat Nokshi dhe Esat Hoxha. Ka botuar 16 përmbledhje poezish dhe ka përkthyer 80 libra të zhanreve të ndryshme”, e filloi kështu rrëfimin e tij Ibrahim Berisha, me të cilin pak nga pak sillte një copëz poeti tek të pranishmit.

Berisha veçoi një nga shkrimet redaksionale të Esat Mekulit në numrin e parë të gazetës ‘Rilindja’ në të cilën ai ishte përqendruar në barazinë e gruas dhe të burrit. Sipas Berishës, Mekuli kishte shkruar se ‘e vetmja perspektivë e shoqërisë tonë është që burri dhe gruaja të ecin bashkë drejt përparimit’.

Tutje ai ka përmendur edhe një letër që Esat Mekuli në vitin 1941 i kishte dërguar inspektorit të lartë për komisariatin në Kosovë, Dibër dhe Strugë. Sipas tij në rreshtat e asaj letre Mekuli kishte përshkruar pozitën e shqiptarëve në Jugosllavi, duke kërkuar që të bëheshin edhe investime për të rinjtë që vinin nga Kosova.

“Esat Mekuli më 17 qershor 1941 i shkruan një letër të gjatë inspektorit të lartë për komisariatin për Kosovë, Dibër e Strugë.  Në emër të pesë studentëve shqiptarë të Pejës, ai përshkruan në mënyrë të hollësishme pozitën e shqiptarëve në mbretërinë e Jugosllavisë e njëkohësisht kërkon që të bëhen investime për të rinjtë shqiptar nga Kosova për studime edhe avancime në këtë aspekt nisur nga vendimi në Itali dhe vende të tjera”, ka potencuar kështu moderuesi i ‘Ora e Shkrimtarit’.

Minutave që filluan ti kushtoheshin Mekulit nuk kishte si tu mungonte profesori universitari, analisti, e publicisti, Milazim Krasniqi. Që në fillim të fjalimit të tij Krasniqi rrëfeu se rileximi poetik i Esat Mekulit e riktheu atë në fëmijërinë e tij të cilat ndonëse të fashitura në kujtesë, kishin sjellur në mendje emocione dhe përjetime të fëmijërisë dhe të mënyrës si propozohej njohja e vlerave dhe e botës brenda një formacioni ideologjik. Ai madje veçoi poezitë ‘O vëlla me sharrë në krahë”, “Ramiz o vëlla”, ”Popullit tim” dhe “Shqiptari këndon”, mësimi fjalë për fjalë i të cilave qoi në përjetimin e një bote jo realiste dhe pa një liri të vërtetë mendimi.

Ndërkaq për rileximin e poezive jorevolucionare e joideologjike, Krasniqi ka thënë se janë pikërisht këto vargje që e rizbulojnë Esad Mekulin si mjeshtër të rrëfimit të mirëfilltë poetik, rrëfime nëpërmjet të cilave në gjenerata të tëra është injektuar atdhedashuria.

“Ndërsa, duke i rilexuar poezitë jorevolucionare, joideologjike, më rizbulohen në kujtesë vargje brilante, mbresëlënëse estetikisht, të cilat e rizbulojnë Esad Mekulin mjeshtër të deskripcionit, të meditimit mirëfilli poetik. Të kësaj kategorie, estetikisht mbresëlënëse, janë pozitë: “Prej fëminisë”, “Mbramja”, “Andrra e vajzës”, “Malli për të pambërrijtshmen”, “Në mëngjes”, “Metohi”, “Në grykë”, etj. Të fisnikëruar me imazhet dhe mesazhet e poezive të kësaj kategorie, ne si gjenerata kemi marrë një edukim estetik të mirëfilltë, me çka na është rritur ndjenja për të bukurën në natyrë e në jetë dhe na është injektuar edhe atdhedashuria”, ka pohuar profesori.

Publicisti Krasniqi teksa shpaloste mendimet e tija për Mekulin pohoi se ai ka qenë një mjeshtër për të fiksuar imazhin, për të hetuar natyrën e fshehur të gjendjeve e të gjërave me anën e krahasimeve befasuese. E ai këtë mendim të tij e mbështeste në pesë krahasime.

“Ja disa nga krahasimet në të cilat e mbështes këtë hipotezë: ‘si tufa mëndafshi t’artë në të kaltren shami’, ‘retë luejnë n’naltësi si qingjat n’kodrina.’; ‘Fushat erënjoma shtrihen/si trup’i gufuem femne’ dhe ‘Qiella tash bëhet si çerep i zi Bari asht i butë si mëndafshi”, ka thënë Krasniqi.

Milazim Krasniqi teksa shpaloste detaje mbi jetën e Esat Mekulit deklaroi se Mekuli dhe shkrimtarët e tjerë të kësaj kohe duhet të mirëkuptohen për pjesën e poezisë që ka ngarkesa ideologjike e motive revolucionare dhe që glorifikon edhe figura që tashmë dihet se janë figura mostruoze në raport me ne shqiptarët sepse sipas publicistit dokumentet që faktojnë këto gjëra janë bërë të njohura në kohën tonë, mirëpo atëherë kur Mekuli dhe shkrimtarët e tjerë kanë shkruar ato nuk kanë qenë as të njohura e as e mundshme që të thuhej diçka jashtë klishesë së diskursit dominant.

Profesori universitar në ata pak minuta që ndau për të shpalosur njohuritë e tij për Mekulin rrëfeu se njëherë atij i kishin treguar se shkrimtarit kur i vinin zarfe me poezi nga autorët e rijnë, ai udhëtonte nga Prishtina në Gjakovë për t’ju dhënë më shumë motiv dhe për t’i shtyrë ata përpara që të vazhdonin punën si shkrimtar.

“Mbaj mend se më kanë treguar se kur i vinin zarfe me poezi, Esat Mekuli udhëtonte nga Prishtina në Gjakovë, për të takuar autorët e këtyre poezive që t’ju jepte shtysë që të vazhdonin përpara me shkrimin e poezive dhe të mos hiqnin dorë”, rrëfeu me nostalgji Krasniqi.

Për Krasniqin ishte puna këmbëngulëse dhe e guximshme e Esat Mekulit që nuk e zbehi dhe e largoi nga zymtësia letërsinë shqipe në Kosovë përgjatë viteve pesëdhjetë – tetëdhjetë.

Kurse për profesorin Sali Bashota, Esat Mekuli ishte një ndër personalitetet më të rëndësishme të letërsisë kombëtare që i ka lënë shenjat autentike mbi të cilat projektohen idetë e shoqërisë drejt një perspektive njerëzore, shoqërore dhe kombëtare. Sipas tij Esat Mekuli u ka prirë proceseve kulturore përmes të cilave brezat e poetëve kanë mësuar me përkushtim për avancimin e vlerave letrare në Kosovë.

Bashota ka thënë se ishte pikërisht poezia e Esat Mekult ajo që e ka shqiptuar në mënyrën më të mirë të mundshme ekzistencën e njeriut shqiptar në një periudhë të mjaft të vështirë të asaj kohe.

“Bota e tij krijuese, e mbushur plot vuajtje, dhimbje, sakrificë, por edhe ideal e krenari kombëtare, e ka fuqizuar rolin dhe misionin që duhet ta kishte gjuha dha fjala shqipe në jetën kombëtare të shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë profesori përgjatë aktivitetit ‘Ora e Shkrimtarit’.

Bashota ka shtuar se veprat poetike të Esat Mekulit janë ato që dëshmojnë përkushtimin e bardit të poezisë shqipe të Kosovës e cila tipizonte fatin e njeriut të këtij vendi përballë shumë të panjohurave që ngriheshin në ekzistencën e tij.

“Esad Mekuli e shpjegon gjenezën e dhembjes së tij shpirtërore e krijuese për të zbuluar dramën e heshtur të fatit të shqiptarit të Kosovës në një realitet të mbushur me kundërthënie të shumta dhe të ndryshme ehe kur populli i tij ishte i detyruar të shpërngulej nga trojet e tij, madje edhe kur ishte i detyruar t’i përshtatej lirisë së vet të kufizuar, sipas dëshirës së të tjerëve”, ka pohuar profesori.

Sali Bashota ka thënë se poezia e Esat Mekulit dëshmon vlera të rëndësishme estetike dhe letrare të poezisë shqipe.

“Poezia e Esat Mekulit është si një mbështetje historike përbrenda paradoksalitetit të vet edhe kur shkruan dhe boton poezi në një gjuhë tjetër, gjuhë e cila projekton atakun në lirinë e popullit të tij, duke projektuar një liri të rreme. Megjithatë dokumentariteti i saj shpjegon domethënien dhe dimensionin e fjalës shqipe në rrethana të caktuara historike, sociale e politike, ndërsa mesazhi i saj ngrihet si një kult shprese, vullneti  e besimi për vetëdijen kombëtare”, ka përfunduar kështu rrëfimin e tij për Esat Mekulin, profesori Bashota.

Në diskutimin që ishte i hapur edhe për të pranishmit e natës së mbrëmshme u rrëfyen edhe momente që ishin jetuar së bashku me poetin Mekuli. Ishte pikërisht shkrimtari Ibrahim Kadriu ai që rrëfeu se si Mekuli i kishte treguar se arsyeja se pse gazetat e Beogradit kishin shkruar për të, ishte fakti se ai ishte vënë përpara një kurthe.

“Në vitet e 90-ta një gazetë e Beogradit shkruante se si Esat Mekuli i ka pritur gjermanët me brohoritje në Pejë. Unë u takova me Esatin dhe teksa shëtitnin në park i thash se ku ke qenë kur kanë ardhur gjermanët në Pejë. Esati më rrëfeu se Ramiz Sadiku i kishe bërë lojë. Unë kam qenë në rrugës për Karagaq, kur kam taku Ramiz Sadikun më tha Esati, ai më pyeti se a po i shoh se çka po bëjnë populli pas tyre. Dhe pikërisht atëherë ai ka shkuar të më lajmëronte në mbledhjen e atij komuniteti”, tregonte me mallëngjim dhe emocione Kadriu.

‘Ora Shkrimtarit’ e cila me Esat Mekulin shënoi natën e vet të parë, do ta vazhdoj edhe takimet e tjera deri më datën 19 nëntor. Takimi i radhës do të mbahet të hënën e javës tjetër, e ku do të flitet për figurën e ish-presidentit të vendit, Ibrahim Rugova. Takimi do fillojnë në po të njëjtën orë dhe në po të njëjtin ambient ku u shënua edhe nata e parë e këtij manifestimi./ KultPlus.com

Të ngjajshme