Panairi i Librit në Ulqin, këtë vit të ftuar nderi dy shkrimtarë të njohur

25 Korrik, 2019 - 10:00 am

Këtë të premte, më 26 korrik, në orën 20:00, hapet Panairi i 19-të i Librit në Ulqin.

Në ceremoninë e hapjes në shëtitoren e plazhit të vogël, do të marrin pjesë si të ftuar nderi dy shkrimtarë të njohur në nivel ballkanik e më gjerë: shkrimtari shqiptar Fatos Kongoli dhe shkrimtari malazez Balša Brković (Ballsha Bërkoviq).  

Në panair marrin pjesë rreth 50 shtëpi botuese nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bosnja Hercegovina.

Të pranishëm në këtë ceremoni me fjalën dhe mesazhet e tyre për zhvillimet e marrëdhënieve kulturore dhe turistike në rajon janë: Ministri i Kulturës së Malit të Zi, Aleksandar Bogdanović (Aleksandër Bogdanoviq), Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit të Shqipërisë, Blendi Klosi dhe Ministri i Kulturës së Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili.

 Panairi i Librit i Ulqinit në edicionin e tij të 19-të, do të veçojë dhe nderojë me çmime:

  • Veprën më të mirë në prozë mes dy panaireve dhe ekspozuar në këtë Panair  me çmimin letrar “Liburnia”.
  • Veprën më të mirë për fëmijë botuar mes dy panaireve dhe ekspozuar në këtë Panair me çmimin “Dega e ullirit”.

Në mbrëmjen e dytë të Panairit, në mjediset e Kalasë së Ulqinit do të zhvillohen dy takime me shkrimtarët e ftuar.

Ndërsa të dielën paradite në orën 10:00 do të zhvillohet, po në mjediset e kalasë së Ulqinit, ceremonia e ndarjes së çmimeve letrare.

Panairi i Librit të Ulqinit tanimë, është një nga aktivitetet kulturore-turistike më të konsoliduara në rajon, që i ka shërbyer dhe i shërben më së miri komunikimit përmes vlerave të veçanta dhe autentike popujve të këtij rajoni.

Mbështetës i këtij Panairi: Komuna e Ulqinit. Organizatorë: Instituti i Librit dhe i Promocionit, Organizata Turistike e Ulqinit, Qendra për Kulturë. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme