Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen

15 Nëntor, 2020 - 8:30 pm

Një fije shprese, një fije shkrepëse (Fragmente)

Dikur dilte, shëtiste, fliste e qeshte, derisa një ditë erdhi e shtuna dhe ia zuri derën, për të mos u larguar kurrë më. Ditë e ndalur. Ditë e nemun. E shtuna. E shtuna e tmerrshme. E shtuna e përjetshme. Ditët ndërrohen dhe përsëriten, vetëm e shtuna mbetet e njëjtë. Ajo nuk kalon. Ka njëzet vjet që është ndalur. Ju mund të shkoni edhe në ditë pune te shtëpia e Ferdonijes, por, sapo të hyni brenda, jeni në të shtunën e saj. Një ditë e saj është më e fortë se çdo ditë juaja. Ajo i gëlltit ditët e tjera, i transformon në një, në një të shtune të zezë.Duke ndenjur, duke dëgjuar historinë e saj, duke shikuar fotografitë e saj, e ndieni se dalëngadalë jeni duke u transformuar së brendshmi. Si Nioba mitike, që ndjeu nga brenda ngurtësimin e organizmit derisa u kthye e gjitha në gur, ju, duke e parë atë, e ndieni sesi çngurtësoheni, dobësoheni, thërrmoheni së brendshmi. Nioba jonë është shkëmbi para të cilit lotojmë ne. E goditur nga fati, e kthyer në heroinë, ajo është forca që neve na mungon. Me dhimbjen dhe durimin e saj ajo qëndron më lart se ne, si të gjithë heronjtë tragjikë. Jo, ata nuk do të vdesin sa të jetojë ajo. Dhe kur të mos jetë ajo, ata do të jenë këtu, sepse nëna është kujdesur edhe për këtë, duke e vënë pllakën dhe duke e kthyer shtëpinë në muze. “E kemi vu pllakën aty. Ju s’jeni të humbun… Ju jeni gjithmonë këtu. Gjithmonë. Sa t’ekzistojnë toka e qielli, ju keni me rrnu’.”Dhe kështu, ditë pas dite, vit pas viti, u harxhuan të gjitha temat, mbeti vetëm një: pritja; u tretën të gjitha ëndrrat, mbeti vetëm një: kthimi; u zhdukën të gjithë anëtarët, mbeti vetëm një: nëna; ikën të gjitha ditët, mbeti vetëm një: e shtuna.Njëzet vjet e shtunë. Përgjithmonë e shtunë.

(…)

Pashka u dogj nga indiferenca. Djemtë e saj ishin më të mirët, dhe ajo donte t’ia tregonte botës këtë. Armiku ia mori, ia vrau, si gjithë të tjerët, pa dallim. Ia sollën në qese si gjithë të tjerët, pa dallim. Ushtria i varrosi si gjithë të tjerët, pa dallim. Ky mosdallim, kjo indiferencë, e sosi durimin e saj. Djemtë e mi, mendonte ajo, ishin më të mirët, ishin ndryshe për së gjalli, ndryshe duhet të jenë edhe për së vdekuri. Ajo nuk e kishte inatin vetëm me dheun indiferent që i mbulonte të gjithë njësoj. Një inat, më të madh, e kishte edhe me Hyjin. Si kishte mundur të rrinte indiferent ndaj lutjeve të saj dhe ndaj krimeve mbi bijtë e saj? Para se të vdiste, diçka brenda saj kishte vdekur. Tashmë për të, ai atje lart nuk ishte qiell, po qefin. Prandaj ajo, në mëngjes, kaloi rrugën, shkoi pranë një shkurreje dhe dogji veten. Po të ishte ndonjë Mojsi në malin përreth, do të shihte shkurren që nxirrte flakë. Një shkurre që djeg Zotin brenda saj, si një e dashuruar që vret të dashurin, për shkak se nuk mund ta durojë xhelozinë e vet, apo shpërfilljen e tij. Kështu, Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen. Guri gjigant, i vënë për kujtim të saj në vendin e ngjarjes, do të thërrmohet një ditë, do të harrohet një ditë. Por, vepra e saj do të jetojë sa të ketë qiell indiferent sipër. E, sa të kujtohet ajo, do të kujtohen edhe dy bijtë e saj. Ajo u fut në zjarr për t’i nxjerrë ata nga harrimi, nga mosdallimi, nga anonimati i viktimave. Në aktin e saj ka pak egoizëm, pak narcisizëm, pak altruizëm, pak fanatizëm, pak humanizëm, pak barbarizëm. Flaka e saj është jehu i të parëve. Ajo s’flet me fjalë, ajo flet me zjarr. Asaj nuk i pëlqen të moralizojë, prandaj ia jep fjalën zjarrit, flaka e të cilit buron në zemrën e saj të djegur. Ai zjarr thërret për kujdes ndaj zemrave të djegura, ndaj zemrave të përvëluara. Pashka, duke djegur veten, shpëtoi edhe Ferdonijen. Ajo tregoi që nënat që presin kthimin e bijve dhe bijave, mund ta humbin durimin, prandaj s’duhet t’ua ndajmë sytë. Dy vjet më pas, edhe Ferdonijes ia sollën dy bij në arkivole. Por ishte sinjali i Pashkës, që imponoi kujdesin ndaj saj dhe, sado që nuk u shmang dhimbja, nuk u realizua një vetëvrasje e re. Zonja prej zjarri e shpëtoi gruan prej guri. Larg shkrepsë, ka ende shpresë! E nëse një ditë edhe të tjerët kthehen kështu, prapë do të ketë shpresë, shpresë se ata do të jenë të lumtur në qiell dhe të paharruar në tokë.Kësaj here emrat e tyre ua kishin përcaktuar fatin këtyre nënave. Pashka një mëngjes “kaloi” oborrin, fushat, varret, rrugën dhe kërceu nga përditshmëria në përjetësi. Ndërsa Ferdonija mbeti “ferdane”, e vetme dhe unike. Pashka dhe Ferdonija. Dy nëna, dy dhimbje të së njëjtës tragjedi. Ato kishin mbetur si titrat në fund të një filmi që ishte kryer në fund të shekullit të kaluar. Njëra ndali hapin përgjithmonë në një livadh, midis varreve dhe shtëpisë. Tjetra rri në shtëpi dhe pret qe njëzet vjet. Njëra është ndalur në të martën e saj, tjetra në të shtunën e vet. E si mund të ecin nënat përpara, kur e ardhmja është mbrapa tyre?

(Fragment nga romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, Bard Books, Prishtinë, 2020. Nënës Ferdonije më 27 mars 1999 kriminelët serbë ia kanë marrë katër djemtë dhe burrin. Mbetjet e dy djemve i janë kthyer më 2005, ndërsa tre të tjerët ende janë të zhdukur. Ajo jeton e vetme në shtëpinë-muze. Nënës Pashkë më 27 prill 1999 kriminelët serbë ia morën dy djem, mbetjet e të cilëve iu kthyen më 2003. Pak ditë pas varrimit të djemve të saj, ajo dogji veten me benzinë)/ KultPlus.com

Të ngjajshme