Pensionisti shpallet lexues i dalluar në Prishtinë

6 Qershor, 2019 - 9:05 pm

Në komunën e Prishtinës është mbajtur edicioni i pestë i festivalit “Prishtina Lexon”. Në kuadër të këtij festivali, në përmbyllje të aktiviteteve, janë shpallur tre lexuesit e dalluar në këtë komunë.

Nga organizata ETEA kanë njoftuar se për këtë titull janë vlerësuar të gjitha grupmoshat, dhe një nga lexuesit e dalluar është shpallur pensionisti Hazir Mehmeti.

Po ashtu, nxënësja Era Dragusha dhe studenti Flamur Foniqi, janë nderuar me këtë titull.

Lexuesve të dalluar u ndanë mirënjohje kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, drejtori i ETEA-s, Agon Ahmeti dhe Fatime Mehmetaj nga biblioteka “Hivzi Sulejmani”. Atyre po ashtu u dhuruan libra Iliriana Hasaj nga Libraria “Dukagjini”, Bukurije Demolli nga Biblioteka “Hivzi Sulejmani” dhe përfaqësues nga Aleanca Franceze, përcjell albinfo.ch.

“Prishtina Lexon”, një ngjarje tradicionale tashmë në Prishtinë, përgjatë datave 1-5 qershor, solli aktivitete për të gjitha grupmoshat në kryeqytet. Aktivitetet ishin të ndryshme, por me një qëllim të njejtë: vetëdijësimin për rëndësinë e librit dhe kultivimin e shprehisë së leximit.

Të fundit

Të ngjajshme