Përkthehen tregimet e moçme të Kutelit

3 Prill, 2021 - 9:26 am

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë, i biri i Mitrush Kutelit, Pandeli Pasko ka ndarë me Qendrën e Botimeve për Diasporën mbresa tejet të veçanta lidhur me ngjizjen dhe daljen në dritë të veprës “Tregime të moçme shqiptare”.

Pandeli Pasko, në lidhje me këtë projekt, shprehet kështu:

Libri “Tregimet e moçme shqiptare” i Mitrush Kutelit e arriti qëllimin e vet: ju ngjalli dashuri për Shqipërinë brezave të tërë.

Për këtë arsye botimi i 10 tregimeve të këtij libri në 5 gjuhë të huaja, në një kohë kur qindra mijë fëmijë shqiptarë po jetojnë jashtë atdheut, është me të vërtet një veprim i lavdërueshëm dhe njëkohësisht barrë e nderuar për përkthyesit.

Si dëshmitar dhe nga lexuesit dhe “diskutuesit” e parë të këtij libri, në dorëshkrim apo në fletë të daktilografuara me shënime me stilograf ose me laps, së bashku me motrat e mia, kemi ndjerë ngazëllim të madh kur ky libër na erdhi në shtëpi. Tërë ato libra që patën ndenjur gjatë mbi tryezë me “Këngë Legjendare”, “Folklor shqiptar”, “Folklor arbëresh”, “Visaret e Kombit” e të tjera, si në një proces alkimie Kuteli i pati distiluar për t’u dhënë fëmijëve ushqimin shpirtëror për të cilin kishin aq shumë nevojë.

Ky libërth i vogël në dukje, ishte fryti i dashurisë të madhe për gjuhën shqipe, për historinë e saj dhe aty bënin pjesë edhe mundimet reale të Kutelit: ai mund t’i kushtohej tregimeve vetëm mbasi të mbaronte normën e përkthimeve. Vetëm një njeri sistematik dhe me kulturë të gjerë mund ta ndante kohën në këtë mënyrë. Dhe madje edhe të gjente kohë e të na i tregonte ne…

Këtë proces krijimi e ka rrëfyer me vërtetësi të madhe vetë babai, kur ne i kërkonim të na tregonte përralla “të padëgjuara e të palexuara” dhe si thotë vetë …” për ta përgatitur këtë vëllim, unë mora një udhë tjetër: hyra punova e vola një vresht të huaj, të madhe, të harlisur: vreshtën e popullit tonë, dua të them folklorin tonë të begatë, me hardhi shqiptare, të mbjella apo të shartuara nga gjyshstërgjyshët tanë. Kofinën e parë të mbushur me rrush të tillë po ia kthej përsëri popullit tonë, dua të them, fëmijëve tanë, pronarëve të vërtetë të tyre”.

Edhe shtysa e çastit pat qenë në suazën familjare: joshja magjike për të dëgjuar në radio këngën e njohur arbëreshe ‘O lule, lule..’.

Por (dhe këtu vijmë përsëri në rëndësinë e këtij botimi 5 gjuhësh), Kuteli e pat ndjerë etjen për fjalën shqipe në mërgim: …ngjarja e asaj dite, kur të katër fëmijët vërshuan në dhomë nga dritarja për të dëgjuar këngën arbëreshe, më ngjalli diçka që rrinte e përgjumur në zemrën dhe mendjen time. Vjete të tërë – dhe këta s’janë të pakët – por plot njëzet e dy – të kaluar jashtë vendit, në mërgim, kisha pasur në krye të shtratit që të m’i shohë gjithnjë syri dhe të m’i zërë dora sa më lehtë, përmbledhje të ndryshme të folklorit shqiptar, duke filluar me ato të arbëreshëve e duke vazhduar me këngët e kreshnikëve dhe i lexoja sidomos natën për të nxjerrë mallin e Shqipërisë, për të mos u shkëputur nga fjala e ëmbël e shqipes, që duket edhe më e dhembshur jashtë. Këngët tona të moçme që më gumëzhinin gjithnjë në mendje më jepnin një ndjenjë të çuditshme: sikur hyja thellë në atmosferën e moçme të Shqipërisë.

Falë Qendrës së Botimeve për Diasporën, tashmë ky libër fort i njohur në viset rreth Shqipërisë të banuar nga shqiptarë e që Kuteli i quante “Shqipëria e jashtme”, pritet të kapërcejë të tjerë kufij nëpër botë, atje ku tashmë jeton një Diasporë fort e madhe, nga më të mëdhatë në botë krahasuar me numrin e banorëve në Shqipëri.

Jam i sigurt se këto botime dygjuhëshe jo vetëm që do të joshin vogëlushët shqiptarë drejt mësimit e shijimit të gjuhës amtare, por do të ngjallin kureshtje edhe tek fëmijët edhe publiku i huaj. Dhe më tej, në kërkimin e rrënjëve të këtyre tregimeve, në leximin e folklorit mahnitës shqiptar, kryesisht në dialektin gegë, në të cilin janë ngjizur, ashtu siç ishte edhe porosia e vetë Kutelit. (Pandeli Pasko, për Qendra e Botimeve për Diasporën)

Përrallat e “Tregimeve të moçme shqiptare” vijnë në botimin dygjuhësh shqip-frëngjisht, përkthyer nga Evelyne Nouges dhe redaktuar nga Saverina Pasho në gjuhën franceze. Së shpejti dhe në shtyp.

“Tregime të moçme shqiptare” është pjesë e projektit të botimeve dygjuhëshe, ndërmarrë nga QBD-ja. Dhjetë tregime të përzgjedhura nga vëllimi “Tregime të moçme shqiptare”, me autor Mitrush Kutelin, të përkthyera në pesë gjuhë: anglisht, italisht, greqisht, gjermanisht dhe frëngjisht.

Këto tregime dhe përralla do të shërbejnë për zgjerimin e njohurive, marrjen e informacionit dhe kultivimin e dijeve të nxënësve në Diasporë për gjuhën, letërsinë dhe kulturën amtare. Ky botim shërben edhe si tekst ndihmës për shkollat në Diasporë, me qëllim thellimin e njohurive të tyre mbi gjuhën shqipe. Vepra e njeh brezin e ri të Diasporës me një autor të rëndësishëm të letërsisë shqipe, si dhe me një gjuhë të pasur, duke kultivuar ndjenjën e krenarisë për identitetin kombëtar shqiptar në Diasporë, duke i njohur ata me pasurinë e tregimeve të moçme shqiptare, si dhe me madhështinë e trashëgimisë sonë popullore. Botimi përfshin ilustrimet e Gazmend Lekës.

Në këtë projekt janë angazhuar përkthyes të rëndësishëm e me përvojë nga gjuha shqipe: Andrea Grill në gjuhën gjermane, Evelyne Noygues në gjuhë franceze, Eugenio Scalambrino në gjuhën italiane, Ron Berisha në gjuhën angleze dhe Eleana Zhako në gjuhën greke.

“Duke përkthyer tregimet e Kutelit, tashmë unë kam fatin të hyj thellë në prozën e tij lidhur me baladat, këngët e kreshnikëve qe i përkasin traditës gojore të letërsisë shqipe.

Botimi dhe shpërndarja e librave shqip, si dhe e përkthimeve të tyre, ruan lidhjet gjuhësore me diasporën nëpër botë, e cila gjithnjë kërkon të ruajë identitetin e vet. Botimi dhe shpërndarja e librave shqip, si dhe e përkthimeve të tyre, ruan lidhjet gjuhësore me diasporën nëpër botë, e cila gjithnjë kërkon të ruajë identitetin e vet.

Qendra e Botimeve për Diasporën po bën një punë shumë të dobishme, duke propozuar dhe shpërndarë tekstet letrare dhe shkollore. Është një ndihmë e madhe për të gjithë ata që duan të rrinë në kontakt me kulturën shqiptare”, shprehet ndër të tjera përkthyesja në frëngjisht e tregimeve të Kutelit, sjellë në botimin dygjuhësh (shqip-frëngjisht) nga Qendra e Botimeve për Diasporën.

Evelyne Noygues është studiuese e letërsisë dhe e historisë, si dhe përkthyese e letërsisë shqipe. Lindi në Francë dhe gjuhën shqipe e mësoi në Paris (Institut national des langues et civilisations orientales -INALCO-) ku u diplomua me një gradë Master në studime historike evropiane dhe gjuhë shqipe. Është një nga themelueset e një shoqate kulturore franceze kushtuar të gjitha aspekteve të kulturës shqiptare dhe që nga viti 2009 menaxhon faqen në internet: Association-albania.com. Jeton dhe punon në Francë.

Noygues e ka vizituar Shqipërinë në vitin 1988 për të kryer studimet e saj dhe ka jetuar në vendin tonë që nga viti 1991 deri në vitin 1994. Tani ajo kthehet rregullisht në Shqipëri për projekte letrare dhe artistike.

Ka përkthyer në frëngjisht një veprash e artikuj të autorëve shqiptarë, si: Ridvan Dibra, Jeton Neziraj, Dashnor Kokonozi, Maks Velo etj.

“Përkthimi i kësaj vepre të Kutelit ishte një kënaqësi dhe njëherësh një sfidë e madhe. Ky publikim është fryt i një motivimi dhe pune skrupuloze si dhe i sinergjergjisë së përsosur me përkthyesen Evelyne Noygues, njohëse e mirë e gjuhës shqipe. Por ishte edhe dëshira për t’u ofruar qindra fëmijëve të diasporës një libër kaq të dashur të fëmijërisë sime, që çoi në realizimin me sukses të kësaj ndërmarrjeje të vështirë. Këto tregime që të mahnisin me stilin elegant, gjuhën e pasur, magjinë e pashmangshme të përrallës, janë një thesar që nuk duhet t’u mungojë fëmjëve tanë, janë një trashëgimi që u pasuron shpirtin e mendjen duke i futur në një univers sa të largët e fantastik aq edhe real e të prekshëm. Ky libër i ndihmon të kuptojnë nga kanë ardhur dhe si të rriten mirë e të virtytshëm, si trashëgimtarë të një vendi të vogël me vlera të mëdha”, shprehet ndër të tjera Prof. Dr. Saverina Pasho, redaktorja në frëngjisht e tregimeve të Kutelit, sjellë në botimin dygjuhësh (shqip-frëngjisht) nga Qendra e Botimeve për Diasporën.

Prof. Dr. Saverina Pasho është pedagoge pranë Departamentit të Gjuhës Frënge të Universitetit të Tiranës dhe përkthyese e një sërë veprash nga letërsia franceze. Ajo ka një përvojë të pasur 35-vjeçare, veçanërisht në fushën e letërsisë moderne dhe të historisë së Francës si dhe komunikimit e përkthimit. Saverina Pasho ka një kontribut të konsiderueshëm në kërkimin shkencor me artikuj e studime të shumta, ku mund të veçojmë monografinë për I. Kadarenë “Kadare midis miti dhe romanit të shkruar” në gjuhën frënge dhe të botuar jashtë vendit. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Për ta shkarkuar ose shfletuar librin, kliko këtu: https://drive.google.com/file/d/1qWFxtDgc2rNtOZwj37lu8jn_gAGLis_v/view. / KultPlus.com

Të ngjajshme