Tërheqja zvarrë e Gentit nëpër Romë  

28 Shkurt, 2023 - 6:00 pm

Binak Kelmendi

Dhoma ishte e errtë, vetëm drita e llampadarëve të ndezur në murin e nxirë sillte një shkëlqim të zberë në pjesët ku ishin vënë kornizat e kuqrremta me mbishkrimet që lexoheshin me shumë vështirësi. Era tundte flakët e tyre, dhe, varësisht nga forca e saj, vinte edhe shikimi më i qartë.

Ky është Genti.

Ai hapi sytë dhe pa: Dymbëdhjetë kuaj të mbrehur shkeleshko, me shkumbë që nxirrnin nga goja dhe hundët, me bishtin që mezi e mbanin përpjetë, tërhiqnin një karrocë dyrrotëshe nëpër makadamin buzë lumit me guralecë të zezë. Njerëz në të gjitha anët e sheshit, me çdo lloj rrobash, të zhveshur fare, duke kërcyer, duke kënduar, duke duartrokitur, bënin sehir dhe më së shumti qeshnin krejtësisht kot. Një ngazëllim i çuditshëm përndritte fytyrat e tyre të lodhura. Në fund të rrotëve të karrocës përzgjatej, si një anakondë e kuqe me lëkurë të rrjepur, një litar.

Ai u ndal të vërente detajet.

Ky është Genti, dëgjoi fjalët sërish dhe tek nuk dinte saktësisht në ishte ai zëri i ciceronit apo zëri i kujtesës së tij historike, vazhdoi shikimin.

Ky është Genti, përseriti ai zë, dhe ai pastaj shikoi: një figurë e njeriut, me duar, me këmbë e me kokë, shtrirë sa gjerë gjatë, hije, zvarritej në makadamin e lagur nga lotët e të qeshurit. Një damar ishte çarë në ballin e të zvarriturit dhe gjaku i mpiksur kishte bërë një si hartë në ballin e tij: Adriatiku, Joni, Tireni, Egjeu…shplanin shpatet e Alpeve të Ilirisë.

O zot, sa shumë dete, sa shumë male, sa shumë fusha dhe sa shumë ujë që kishte.

Era lëkundte valët dhe lemba e vogël fshihej ndërmjet tyre duke u ndeshur me peshqit që fluturonin thik përpjetë për të zënë ndonjë mizë.

Agroni puthej me Teutën duke prekur dhembjet e gjoksit dhe duke treguar sekretet ushtarake.

Deti rrudhej valë-valë nga një puhizë.

Teuta mekej duke i hyrë në gjoks Agronit.

Mbreti im, tha me përgjërimë Teuta dhe preku kurorën që i shkëlqente në kokë. Mbreti im, nuk ka bir njeriu të shkelë as tokën dhe as detin tonë. Deti Jonë është ky, u betua ajo duke ngjeshur edhe më shumë kurorën në ballë dhe pastaj bëri t’ia mbyllte me gishtërinjtë e gjatë sytë Agronit. U ndal papritur. Një kaltri mbytëse me thellësi të pafundme shtrihej në sytë e Agronit që të hapur rrinin drejt qiellit një pjesë të të cilit e kishte zënë një diell shumë i madh. Teuta shikoi edhe një herë sytë e Agronit dhe Detin Jon dhe nuk kuptonte dot ku nisnin sytë dhe ku përfundonte deti.

Pastaj Teuta vuri strehën e duarve mbi ballë dhe nisi këngën e peshkatarëve. Peshkatarët ia behen dhe fill lëshuan rrjetat në ujë. Asgjë nuk u kap në kurthën e tyre të lëngët, vetëm kufoma e Agronit që nuk lëkundej fare, rrinte e ngrirë nga pasvdekja…

Era frynte tutje detit dhe valët e ujit përplaseshin mbi shkëmbinj.

Pulëbardhat, duke fluturuar me krrokamë drejt qiellit dhe drejt tokës, herë fusnin kokën në shkumbë duke zënë një peshkth dhe herë ndeshnin sqepin mbi gurë duke zënë ndonjë krimb…

Batuat, I, II, III….ende po luftonin për dele, për dete, për hardhi, për gra.

Ai kërkoi të fikeshin dritat në murin e zi dhe të çmbreheshin kuajt që kishin tërhequr rrëqanthi trupin e Gentit. Me gjasë nuk e dëgjoi askush ç’kishte thënë pasi që ai gjithnjë fshihej nga dielli nën një çadër plastike që sillte shumë ngrohtësi mbi kokën e tij tepër të djersitur.

Këmbanat binin me uturimë dhe një protestë kundër abortit ishte caktuar të mbahej në mesditë në sheshin Shën Pjetri. Pastaj ai hyri në kishën e parë që e pa. Dhe e shikoi orën. Ishte koha të lutej për shpirtin e papës Klimenti.

Zot shpëto, tha duke kërkuar ndihmë me shikim për të gjetur një zgjidhje në fjalëkryq. Një sirenë, zjarrfiksish, policësh, të ndihmës së parë, e të kujt o Zot, as ai nuk e dinte, e përmendi.

Pastaj ai futi lapsin në xhepin e këmishës, gazetën në xhep pantollonesh dhe duke ndrequr syzet mbi ballë, kërkoi që ciceroni të përsëriste fjalitë e fillimit./ KultPlus.com

Të ngjajshme