Përkujtohet Emin Duraku, luftëtari antifashist nga Gjakova

5 Dhjetor, 2023 - 11:04 am

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot, në ditën e ndarjes nga jeta, Emin Durakun (5 dhjetor 1942).

Emin Duraku u lind në vitin 1917, në Gjakovë, ku edhe mori mësimet e para. Në vitin 1932, kaloi kufirin në mënyrë të paligjshme së bashku me disa shokë, duke patur si qëllim ndjekjen e mësimeve në gjuhën amtare.

Me të mbërritur në Tiranë, u regjistrua në shkollën e mesme të qytetit. Në vitin 1939 kthehet në Gjakovë. Do të kalonte sërish kufirin për të shkuar në Shkodër, ku mori pjesë në demonstratat antifashiste kundër pushtimit Italian, të mbajtura më 28 nëntor të vitit 1939. Bie në prangat e forcave fashiste dhe internohet në ishullin Ventotene.

Në vjeshtë të vitit 1942, Duraku kontaktoi me grupet komuniste në rrethin e Lypjanit, në një rreth aktivistësh serbë. Përcjellësi i tij serb, ishte kapur nga karabinieria dhe për të shpëtuar, kishte diktuar vendin ku ndodhej i fshehur Duraku. Humbi jetën si pasojë e plagëve të rënda nga aksioni i Kuesturës. / KultPlus.com

Të ngjajshme