8 Maj, 2025 - 1:43 pm
Nga Djellza Gashi
Arti poetik në radhë të parë, thonë, duhet të shpërfaq sublimen njerëzore, perfeksionin e shpirtit dhe trupit dhe luftën e pandalshme të të dyjave.
Njeriu, në anën tjetër, është përherë në kërkim të idealit, utopisë, në rrugën që çon në çmishërim të mishërimit.
Poezia e njeriu së bashku krijojnë poetin si kërkues, ëndrrues, krijues prej hiçit.
Me të njëjtin krijim ndeshemi te vëllimi me poezi “Gjarpri i fqinjit”, nga Alketa Gashi Fazliu.
Alketa krijohet teksa krijon dhe anasjelltas, krijon teksa krijohet.
Në një paradoks të tillë krijimi, poetja na vë ballë poezive që në qendër e zhveshin shpirtin e njeriut para botës.
Këto poezi na vënë përballë një realiteti me të cilin secili nga ne është përballur të paktën një herë në jetë. Koha madje luan rolin kyç në këto krijime poetike, ku del si një e kaluar përherë e tashme, gjithëherë e pranishme, si një kohë të cilën autorja në përfundimin e secilës poezi e lë pas, e në fillimin e secilës e rikthen prapë. Rikthim që herë mer formën e mallit, herë të pengut, e shpesh edhe të një ekzistence që shuhet e ringjallet vazhdimisht.
Vepra është e ndarë në katër kapituj: “Rutha e përflakur”, “Dritarja e shpirtit”, “Altari i murrmë”, “Matanë pasqyrës së ujit”. Segmente këto që përbëjnë një tërësi organike, ku simbolika, ndjeshmëria dhe stili ruajnë një vijimësi që e bën veprën një trup të vetëm.
Këto pjesë të gërshetuara me mjeshtëri në një tërësi të pandarë japin formën e një mozaiku të harmonizuar, japin simbiozat trup e shpirt, njeri e krijim, për të vënë dritë mbi deformimin e qenies njerëzore në një botë në të cilën njeriu nuk e gjen veten, botë në të cilën njeriu rend pas një kërkimi të pandalshëm, në një teatër absurdi, do të thoshte poetja.
Kemi një Doruntinë që kalon kufirin mes jetës e vdekjes, një Rozafë detyrimisht e sakrifikuar, një Dalilë tradhtare që rrënon mbretëri, një Odise bredharak i ujërave të botës, që kushtimisht kthehet në një odisediadë të poetes, si bredhje nëpër thellësitë e përjetimeve e humbjeve.
Vepra pra, krijohet kryesisht mbi disa linja kyçe.
E para që e vëmë në pah qe ajo e rikrijimeve mitike ku në përfundime mitet çmitizohen, figurat zhvishen prej kuptimeve dhe lavdit shekullor.
Vihemi pastaj para një Ruthe moderne që mer flakë prej vuajtjes, humbjes e rrënimit. Besnikëria e saj nuk është më një akt përkushtimi ndaj dashurisë, por një përpjekje e dëshpëruar për të ruajtur identitetin në një botë të cilës nuk i përket më. Ajo endet në kufijtë e një ekzistence që e mohon, duke kërkuar vendin e saj mes rrënojave të ëndrrave të thyera. Humbja për të nuk është thjesht ndarje nga objekti lirik, por një çarje e thellë mes vetes dhe botës:
“…Shkrihem në vargjet e zjarrit të pashuar të kujtimeve.
Unë Rutha besnike
Me mbretëri të vrarë.”
Por fuqia e linjës mitike bartet më së tepërmi me titullin e veprës. Gjarpri i fqinjit ngërthen një simbolikë mitike dhe biblike, ku gjarpri del jashtë kuadrit të zakonshëm të së keqes absolute dhe rikrijohet në trajta të shumëfishta. Ai është një figurë e lashtë pagane që mishëron ciklin e vdekjes dhe rilindjes, një shenjë e dijes së ndaluar dhe e metamorfozave hyjnore .
Fqinji në anën tjetër nuk është thjesht tjetri pranë nesh, por një reflektim i vetvetes së errët, një alter ego që përfaqëson tundimin, mëkatin apo të vërtetën e heshtur. Kështu, titulli bëhet një portë drejt një rikrijimi mitik të figurës së gjarprit, as i dënueshëm plotësisht, as i shpëtueshëm, por i vendosur në një hapësirë ku e përditshmja dhe arketipi ndërthuren.
Si tërësi vepra e Alketa Gashi Fazliut na vë para një euforie ndjenjash. Përflakja e unit poetik, e kthyer në përflakje ndjenjash na vë ballë një fillimi të pambarimtë. Poetja asnjëherë nuk përfundon atë që ka nisur në një të kaluar të afërt. Shtatëmbëthjetë stinët e poetes japin shtatëmbëdhjetë perceptimet ndijore që e dërrmojnë deri në mbarim. E mbarimi i saj konsiston në fillimin a lindjen e një vetje poetike, “vete të ndarë në hise” shkruan poetja.
Kjo vete ecën hapekrah drejt lexuesit, pa maska e pa mburoja, ku hapet dritarja e shpirtit si një akt i vetëzhveshjes poetike ku poezia herë-herë transformohet. Prej brishtësisë ngurtësohet, idealizohet në utopi, nuk është më shprehje, por mbetje, një ftohje e thellë, e brendshme, ku ndjenja nuk pushon së ekzistuari, por ngulitet në një formë të qetë, të palëvizshme, thuajse rituale.
Në këtë fazë poezia jo vetem që shpërfaq ndjenja, ajo edhe mer formën e dhimbjes. Është një shenjë e ndjeshmërive të lashta, një kujtim që mbijeton përmes pafundësisë së kërkimit të një identiteti që vazhdon të shpërbëhet dhe rindërtohet. Ky është edhe hapi i fundit që poezia bën: nga forma e thjeshtë e shprehjes, kthehet në një rit, në një proces që nuk mund të arrihet kurrë, por gjithmonë kërkohet. Ndjenja e krijimi përfundimisht dyzohen.
Në përmbyllje, poezia e Alketa Gashi Fazliut sa afrohet aq largohet nga vetja. E mes këtij largim-afrimi, afrim-largimi, subjekti lirik ikën nga pasqyra. Nuk ka më nevojë të shohë, të njohë apo të dashurojë veten. Kalimi matanë pasqyrës së ujit shënon një tejkalim të vetvetes, një kapërcim të formës dhe të identitetit, ku rrugëtimi shpirtëror arrin një pikë qetësie të ftohtë, thuajse pasnarcistike. Ky nuk është më reflektim, por një shpërbërje e figurës, një dalje përfundimtare nga iluzioni i vetvetes apo i tjetrit, si qendër emocionale e botës./ KultPlus.com