Përurohet kolana ‘Thesar kombëtar’, botim i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi

15 Korrik, 2022 - 9:00 pm

U mbajt sot në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi takimi përurues i kolanës “Thesar kombëtar” në 11 vëllime, botim i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi.

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi iu drejtua të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse.

Gjinushi përgëzoi shoqatën për veprimtarinë e saj të suksesshme atdhetare e kulturore dhe vlerësoi faktin që tashmë shqiptarët në Suedi kanë intelektualë, njerëz të ditur, shkrimtarë e studiues, që shkruajnë e botojnë vepra me cilësi. Kjo krijimtari është pjesë e trashëgimit dituror shqiptar.

“Thesari” juaj është dhe yni, prandaj e kemi mirëpritur këtë veprimtari dhe ky është vetëm fillimi. Ne synojmë organizimin e një veprimtarie të përbashkët me të gjitha shoqatat e krijuesve shqiptarë në mërgim.Ju jetoni atje ku e keni ndërtuar jetën larg atdheut, por me atdheun me vete: me gjuhën, traditat, kulturën e paraardhësve. Shumë mirë që keni dëshmuar dinjitet dhe jeni pranuar e respektuar në vendin mikpritës. Jam i sigurt se ju u përcillni brezave të rinj, bashkë me kodin gjenetik, edhe ADN-në e trashëgimit kombëtar. Kjo është arsyeja që ne e çmojmë si një qëndrim shumë pozitiv mospërfshirjen në politika kalimtare të njëanshme. Çështja kombëtare që ju e keni orientim themelor është e mjaftueshme si drejtim politik”, – tha Gjinushi.

Gjithashtu mbajti fjalën e tij përshëndetëse edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tiranë, Skënder Durmishi.

Ambasadori Durmishi përveç vlerave letrare dhe estetike të kolanës “Thesar kombëtar”, çmoi edhe përpjekjet për ruajtjen e gjuhës shqipe në mërgim. Ai tha se këto punë po memorizohen në një institucion në adresën e duhur që është Akademia e Shkencave në Tiranë. Ambasadori i falënderoi autorët e veprës dhe tha se ju emigrantët keni qenë të vlefshëm dhe të dobishëm për atdheun, se keni afirmuar vlerat dhe atdheut dhe të kombit.

Veprimtaria u përshëndet dhe nga dr. Mimoza Hysi, drejtore e Drejtorisë së Botimeve për Diasporën dhe Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi.

Bedri Islami e vlerësoi veprën “Thesar shqiptar” si një kronikë të jetës së shqiptarëve mërgimtarë në Suedi e në vendet nordike, më vlerë njohëse dhe historike.

Jolanda Lila e vlerësoi librin “Thesar shqiptar” si tribunë të mendimit atdhetar dje e sot.

Fetah Bahtiri e vlerësoi veprën si një urë midis dy kulturave dhe foli për kontributin e albanologut, përkthyesit dhe mikut suedez të shqiptarëve Ullmar Qvick.

Viron Kona e vlerësoi kolanën “Thesar shqiptar” si tribunë krijimtarie letrare.

Akad. Shaban Sinani, sekretar shkencor në Akademinë e Shkencave, me kumtesën “Kërkim dhe dije në periodikun “Thesar kombëtar” çmoi prurjet e këtij botimi, që do t’ju shërbejnë studiuesve si një informacion i rëndësishëm.

“Një pasuri dhe një shërbim tjetër që i bëhet shoqërisë përmes këtij botimi është edhe mënyra sesi pasqyrohet historia shqiptare nga emigrantët. Është një zëdhënëse polifonike që nuk vë kufij, që s’ka përjashtime, që boton krijimtari, kritikë e debate që në një farë mënyre shpërfill ideologjitë dhe sheh çfarë është me dobi për shqiptarët”, tha akad. Shaban Sinani.

Osman Ahmetgjekaj u ndal në pasqyrimin e arsimit kombëtar në Suedi në faqet e tribunës “Thesar shqiptar” dhe foli për kontributin e çmuar të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë ne Suedi./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme