Përzgjidhet dhjetëshja e finalistëve për çmimin “Kadare”

29 Prill, 2019 - 9:46 am

Për çmimin letrar “Kadare” tashmë janë përzgjedhur dhjetë finalistët. Juria e përbërë nga shkrimtari dhe publicisti Mehmet Kraja, përkthyesja dhe profesoresha Diana Kastrati, studiuesja Genciana Egro, shkrimtari, dramaturgu e gazetari shqiptar Bashkim Hoxha, dhe drejtoresha e “UET PRESS”, njëherësh edhe koordinatore e këtij çmimi, Alda Bardhyli, pas një diskutimi katërorësh kanë përzgjedhur finalistët.

Bardhyli ka thënë se mes të përzgjedhurve spikasin autorë të rinj, ndër të cilët edhe një nga Kosova. Bëhet fjalë për shkrimtarin Imer Topanica, i cili konkurron me veprën “Lavdi marrëzive”. Finalistë janë edhe Fate Velaj me veprën “Itaka”, Fasil Haliti me “Për një gjysmë dielli”, Gaverina Muzhaqi me “Velloja e Majës”, Loer Kume me “Tregime”, Mimoza Hysa me veprën “Bijat e gjeneralit”, Majlinda Rama me “Lulet e bardha të janarit”, Roland Gjoza me “Te Deum”, Saimir Muhaka me “Mart Kajani” dhe Ylljet Aliçka me “Metamorfoza e një kryeqyteti”.

“Ka qenë një mbledhje e gjatë, ku u shqyrtuan me seriozitet më shumë se 50 dorëshkrime që u dorëzuan këtë vit pranë këtij çmimi. Dhjetë autorët e përzgjedhur kishin dakortësinë e jurisë, bazuar në vlerat që mbarte secili dorëshkrim”, ka thënë Bardhyli.

Juria do ta mbajë mbledhjen e radhës në mes të muajit maj, për ta ngushtuar listën në pesë finalistët e këtij edicioni. Ndërkaq fituesi i çmimit të madh shpallet në Ditët Letrare të Razmës, që do të mbahen të premten e parë të qershorit në fshatin që ndodhet rreth 41 kilometra në veri të Shkodrës dhe cilësohet si porta hyrëse e Alpeve shqiptare.

Ky është edicioni i pestë i çmimit letrar “Kadare”. Themeluesit e çmimit konsiderojnë se në katër vjet ky konkurs ka arritur të kthehet në një institucion të rëndësishëm besimi mbi gjykimin e letërsisë, dhe të kthejë debatin e munguar mbi letërsinë shqipe. Fakti që konkursi është për vepra në dorëshkrim ka nxitur dhe nxit shkrimin e prozës shqipe, gjë që vihet re dhe në numrin e madh të dorëshkrimeve pjesëmarrëse në këtë edicion.

Fituesit e deritanishëm kanë qenë: Rudolf Marku, Shkëlqim Çela, Musa Ramadani dhe Virgjil Muçi. / koha.net/ KultPlus.com

Të ngjajshme