Pinoku shqiptar i Cuk Simonit

26 Qershor, 2023 - 10:00 am

Nga: Manjola Sulaj

Hyrje

Romani “Pinoku”, i shkrimtarit të shquar për fëmijë Carlo Collodi, një nga librat më të famshëm jo vetëm të letërsisë italiane por edhe asaj botërore, botuar për herë të parë në gjuhën shqipe më 1935, është përkthyer nga Cuk Simoni. Përkthimet dhe reflektimet teorike që shoqërojnë veprat letrare kanë një rol të rëndësishëm në historinë e kulturës së çdo vendi sepse ato favorizojnë zhvillimin e letërsive kombëtare, duke sjellë modele të reja në sistemin e kulturës në të cilën futen. Përkthimi konsiderohet si një akt, që jo vetëm lejon të tejkalohen barrierat gjuhësore, por edhe të njihet diçka ndryshe, duke lejuar komunikimin dhe qarkullimin e kulturave. Në këtë kontekst përkthimi në shqip i “Pinokut” ka rëndësi të madhe sepse vjen në Shqipëri, në periudhën midis dy luftrave botërore, kur përkthimi në shqip i librave për fëmijë zë një vend të rëndësishëm qoftë duke mbushur, në një farë mënyre, hendekun e krijuar nga mungesa e librave origjinalë për fëmijë, siç pranon Astrit Bishqemi, qoftë në shtysën ose në modelin që i ofron letërsisë shqipe për fëmijë për t’u shkëputur nga tekstet shkollore dhe për të krijuar mëvetësinë. “Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë e të rinj” rregjistron një numër të konsiderueshëm librash për fëmijë të përkthyer midis dy luftrave botërore. Le të përmendim disa syresh: “Përralla të zgjedhura nga të vjershëtorit të madh La Fonten” (1921), të përshtatura nga Çajupi; “Në hijen e hurmave” (1924), përralla arabe përkthyer nga anglishtja nga Faik Konica; “Robinson Kruzo” i Daniel Defoe-s, që botohet me dy përkthime (1934 dhe 1936) nga Dhori Koti dhe Gjergj Pekmezi etj. Nga letërsia italiane për fëmijë përmendim: romani “Zemra” i E. De Amicis-it, që njeh tre botime midis dy luftërave botërore përkatsisht në 1923, 1932 dhe 1938; novela “Kikibio dhe Shapatorja me një këmbë” (1933) e G. Boccaccio-s, botuar në revistën “Vatra e Rinisë”; novela “Princi i çuditshm i shkretinës” (1933-1934) i A. Cipolla-s, e cila botohet me vazhdim në dhjetëra numra të revistës “Vatrës së Rinisë”; “Pinoku” 1935 i C. Collodi-t, përkthyer nga Cuk Simoni, Shkodër, Botim i përkthyesit rr. Gurakuqit 40.

Edhe pse “Pinoku” është i njëkohshëm me romanin “Zemër” të shkrimtarit De Amicis, për të mos thënë ca vite më i vjetër, ai vjen në shqip 12 vjet më vonë. Kjo na bën të mendojmë se tendenca deamiçisiane, ashtu si në Itali, kishte pasur një ndikim më të madh edhe tek intelektualët shqiptarë në fillimin e shekullit të shkuar. Jo vetëm kaq, por edhe gjatë periudhës së Regjimit Komunist, duket qartë preferenca për romanin e De Amicis-it. Po t’i hedhim një sy kurbës së ribotimeve të dy romaneve në shqip, do të shohim se romani “Zemër ” ribotohet tri herë të tjera deri në vitet ’90, (1957, 1964, 1977,) kurse “Pinoku”vjen vetëm një hërë përgjatë të njëjtës periudhë (1959). Kjo i detyrohet faktit se në kohën e monizmit, në faqet e romanit “Zemër”, përpos të tjerash, shikohej një dëshirë e zjarrtë për të armatosur fëmijët me virtyte të larta kundër ndikimit helmatues dhe egoizmit shtazarak të shoqërisë borgjeze. Vetëm pas viteve ’90 “Pinoku” njeh një numër të madh përkthimesh dhe përshtatjesh duke u ribotuar në vitet: 1994, 2000, 2004, 2006.

Përkthimi në shqip i romanit “Pinoku” shoqërohet në shtypin e kohës nga recensione dhe nga artikuj kritikë që vlerësonin si veprën dhe autorin e saj ashtu edhe talentin e përkthyesit shqiptar. Libri u prit mirë nga lexuesi dhe kritika që me entuziazëm e vlerësoi pozitivisht duke mos lënë mënjanë edhe vlerat e përkthimit.

Karl Gurakuqi në faqet e “Illyria-s” (nr. 21, 7 shtator 1935) ka bërë një recension të përkthimit. Pasi vlerëson librin e “Pinokut” si një shoq i pa-ndam i kalamanit italian dhe

autorin e tij Carlo Collodi-n si njoftës të thellë të shpirtit të fmivet, ai ndalet tek përkthyesi Cuk Simoni duke e vlerësuar si nji shkrimtar qi punon pa bujë e pa tantame, nën dy gërmat C. S. Nuk mungojnë padyshim në këtë shkrim edhe vlerësimi pozitiv për përkthimin : C. S. në përkthimin e librit “Pinocchio ” ka treguem cilsi të rralla të njij shkrimtari të mirë, njoftës i hollë i gjuhës shqipe. Për të përkthyem si duhet, asht e domosdoshme të njiftet mirë gjuha nga e cila përkthehet, por të dihet me rrajë edhe ajo në të cilën bahet përkthimi.

Në revistën “Leka ” (nr. 9, shtator 1935) gjejmë në rubrikën e përshtypjeve një shkrim të shkurtër nga Zalvi (Giuseppe Valentini) ku autori vlerëson si punimin letrar edhe veprën e hieshme të përkthyesit e cila sjell në shqip një pasuni gjuhe e shprehjesh si n ’origjinal.

Anton Logoreci me një shkrim të shkurtër, prej tre paragrafësh, paraprin botimin (“Illyria”, nr. 23, 21 shtator 1935) e parathënies së librit “Pinoku” shkruar nga vetë Cuk Simonit. Ai tërheq vëmendjen e lexuesit drejt parathënies që shoqëron librin, që sipas tij nuk është një parathënie e kotë apo formale por nji revelacjon…. një prozë e zhdërvjellët, e qartë dhe e thjeshtë përnjheri, ndërsa Cuk Simonin e quan një talent. Duke përfunduar, autori i këtij shkrimi, shton se letrat arbnore presin kontributin t’uej të çmueshëm, z. C. S.

Në nr. 24 të datës 28 shtator 1935 të gazetës “Illyria” gjejmë një artikull të titulluar “Letër e hapun përkthyesit të “Pinokut” shkruar nga Dom Lazër Shantoja. Në artikull, ku gjithashtu nuk mungon trilli artistik, përgëzohet autori që i mësoi Pinokut edhe gjuhën shqipe dhe vlerësohet përkthimi i Cuk Simonit.

Tek “Hylli i dritës ” (nr. 9, 1935) botohet një tjetër shkrim nga Gjush Sheldia, i cili pasi përgëzon punën e mirë të “Vatrës së Rinisë”, si e vetmja që i dedikohet fëmijëve, e cilëson veprën “Pinoku” të C. Collodi-t si edukatore dhe gaztore. Ai nënvizon suksesin e veprës që sipas tij kishte njohur deri në atë kohë më shumë se 700 botime. Autori i shkrimit nënvijëzon gjithashtu vështirësinë e përkthimit i cili karakterizohet nga një gjuhë e pastër, stil i lehtë e i rrjedhshëm dhe një besnikëri ndaj origjinalit.

Libri “Pinoku” shoqërohet nga një parathënie e vetë përkthyesit. Në të tregohet se si rastësisht, kur autori i përkthimit gjendej në Itali, pasi kishte mbaruar punët e tij, duke u endur nëpër vitrinat e dyqaneve shikon Pinokun. Kjo parathënie ka formën e një tregimi artistik të pasur me figuracion dhe imagjinatë që i përshtaten botës fëmijënore e në të njëjtën kohë është në harmoni të plotë me rrëfimtarinë që e ndjek. Përkthyesi e ka të qartë botën e ndryshme të të vegjëlve dhe këtë e vë në dukje që në parathënie duke përdorur një gjuhë specifike dhe të thjeshtë, të rrjedhshme dhe lehtësisht të kuptueshme. Ky tregim-parathënie është i pasur me dialogje të autorit me Pinokun, përshtypje për librin, të cilin padyshim që përkthyesi e njihte më parë, dhe sigurinë se ai do të mirëpritej edhe në Shqipëri si në shumë vende të tjera të botës ku ishte përkthyer deri në atë kohë.

Cuk Simoni ishte i ndërgjegjshëm dhe e pranon hapur faktin se t’i mësoje shqipen Pinokut do të ishte një ndërmanje e vështirë sepse, siç thotë vetë ai, “nuk ishte i degës”, megjithatë meqë nuk gjeti “ndonjë tjetër që merrej me këto punë ” dhe meqë e kishte shumë përzemër Pinokun nuk mund ta linte mënjanë, ndaj vendosi t’i mësonte gjuhën letrare, “një gjuhë e punuar, e holluar” siç e quan ai, por duke parë se fëmijët nuk e kuptonin në gjuhën letrare e solli Pinokun me “gjuhën që flitej” pra në gjuhën shkodrane.

Tashmë është i njohur fakti se përkthimi nuk është një akt i pastër kalimi nga një kod në tjetrin. Distanca kulturore dhe gjuhësore midis tekstit origjinal dhe tekstit të përkthyer sjell gjatë procesit të përkthimit vështirësi dhe e detyron përkthyesin të bëjë disa zgjedhje arbitare. Pinoku i Cuk Simonit është më shumë se një kalim nga një gjuhë në tjetrën, është më shumë se një strukturim i thjeshtë i fjalive dhe fjalëve bazuar besnikërisht në tekstin origjinal. Teksti i tij anon nga rishkrimi. Në vijim po sjellim disa arsye që na çojnë në këtë përfundim.

Në origjinal titulli i romanit është “Aventurat e Pinokut” (“Le avventure di Pinocchio ”) ndërsa Cuk Simoni vendos ta titullojë librin e përkthyer në shqip “Pinoku”. Kjo zgjedhje e vë theksin më shumë tek fëmija-kukull sesa tek aventurat e tij. Emri Pinocchio është rishkruar sipas grafemave të alfabetit të shqipes Pinoku, në mënyrë që të ruhet shqiptimi ashtu siç është në italisht, duke zëvendësuar grupet e shkronjave -cch- me shkronjën k.

Për shkak të ndryshimeve midis alfabetit shqiptar dhe atij Italian, përkthyesi ka bërë disa ndërhyrje përshtatëse, të pranishme në gjithë shtrirjen e librit. Emrat e përveçëm i nënshtrohen jo vetëm ligjeve të fonetikës së gjuhës shqipe por edhe ndryshimeve morfologjike, sipas fleksionit të gjinisë dhe numrit por edhe të rasave.

Emrat e përveçëm, që i janë nënshtruar fleksionit morfologjik dhe fonetiko-grafik mund të ndahen në:

1. emra që respektojnë tingëllimin italian si: Pinoku (Pinocchio), Pulçinela (Pulcinella), Arlekini (Arlecchino) etj.;

2. emra që i përshtaten kuptimisht emrave të personazheve në variantin italian si: Cigliegia në shqip Qershia, Mangiafoco në shqip Zjarmngranësi etj.

3. emra që përshtaten në shqip, sipas zonave ku përdoren, si master’Antonio i përkthyer sipas dialektit verior mjeshtër Ndou.

Cuk simoni nuk bën një përkthim fjalë për fjalë. Ai është më shumë besnik i lexuesit të vogël shqiptar sesa tekstit origjinal. Prioriteti i tij nuk është equivalenca në planin formal por këmbëngulja në ekuivalencën kuptimore dhe stilistike, gjë që e bën tekstin e tij dinamik. Këto janë disa nga arësyet që na shtyjnë të themi me bindje se lexuesi i tij shqiptar e ka shijuar “Pinokun” në të njëtën mënyrë si ai italian. Për të arritur këtë, Cuk Simoni ka reduktuar në minimun shprehjet, strukturat apo fjalët të cilat transmetojnë kulturën e huaj. Edhe pse përkthyesi e njeh mirë gjuhën shqipe, përkthimi i tij nuk i ka shpëtuar aty-këtu depërtimit të elementëve të huaj.

Nga këndvështrimi sintaksor, vihen re disa modifikime në strukturën e fjalisë, edhe pse italishtja nuk është strukturalisht shumë e ndryshme nga shqipja. Kjo tregon qartë se Cuk Simoni ka tentuar të ruajë ekuilibrin e vështirë midis besnikërisë së përkthimit dhe përshtatjes. Herë-herë vëmë re përgjatë përkthimit një reduktim të disa fjalëve të tekstit origjinal, në funksion të ruajtjes së kuptimit, gjë që tregon edhe vështirësitë dhe pamundësinë e sjelljes së një kulture të huaj gjuhësore në shqip.

“…il medico le aveva ordinato una grandissima dieta, cos’i dove contentarsi di una semplice lepre dolce e forte con un leggerissimo contorno di pollame ingrassate e di galletti di primo canto.”

“…mjeku e kishte pasë porositë me mbajtë perizë të madhe, i u desht me u kondëndue vetëm me një leper percjellë me pakpula të majme e gjela të n.”

Vetëm në fragmentin e sjellë më sipër janë reduktuar 7 fjalë (una, cosi, dolce e forte, contorno di) dhe dy prapashtesa (issima/o). Una grandissima dieta mund të ishte përkthyer një perizë shumë të madhe (një dietë shumë të fortë), por meqë -issimo-shumë shërben si përforcuese e fjalës e madhe përkthyesi ka preferuar ta heqë për të evituar përsëritjen, të njëjtën gjë mund të themi edhe në rastin e leggerisimo-shumë pak. Ndërkohë përkthimi i fjalës contorno-garniturë është evituar dhe galetto di primo canto-gjel i këngës së parë është preferuar të përkthehet gjela të ri sepse rezulton më e qartë në shqip.

Shembulli i mësipërm na tregon qartë se reduktimet e Cuk Simonit janë bërë për të evituar përsëritjet në shqip, të cilat në italisht tingëllojnë bukur, ose për t’i qëndruar besnik kuptimit.

Vështirësia e sjelljes së një tjetër kulture në tërësinë e saj, e ndryshme nga ajo e gjuhës së përkthimit, sjell papërkthyeshmërinë e disa shprehjeve, por kjo e ka orientuar përkthyesin Cuk simoni t’i zëvendësojë ato me të tjera të gjuhës së tij, në shumicën e herëve, me kuptim të përafërt. Shumë shpesh përkthyesi i lejon vetes të shtojë fjalë, por dhe shprehje, kur e ai e shikon të nevojshme në funksion të kuptimit por edhe të hijeshisë artistike. Nuk mungon zëvendësimi i shprehjeve të italishtes, të cilat mund të përktheheshin fjalë për fjalë, me të tjera që në shqip tingëllojnë më dinamike. Të tilla modalitete hasen dendur në tekstin e Cuk Simonit. Ja disa shembuj:

“… tutti lo chiamavano maestro Ciliegia, per via della punta del suo naso, che era sempre lustra e paonaza, come una cigliegia matura. ”

“… të gjith e thirrshin mjeshter Qershija, për shkak të majes së hundës, qi e kishte gjithmonë të shndritshme e të kuqe, si nji kokerr qershi e pjekun.”

Cigliegia matura është përkthyer kokerr qershi e pjekun në vend të qershi e pjekur.

“Appena maestro Ciliegia ebbe visto quel pezzo di legno, si rallegro tutto: e dandosi una fregatina di mani per la contentezza, borboto a mezza voce: …”

“Porsa mjeshtër Qershija pau at cope dru, i u knaq , fort zëmra: e tuj ferkue duert prej gzimi tha me vedi:…”

Si rallegro tutto është përkthyer i u knaq fort zëmra në vend të u gëzua shumë, borboto a mezza voce është përkthyer tha me vedi në vend të mërmëriti me gjysëm zëri.

“Come potete immaginarvelo, la Fata lascio che il burattino piangesse e urlasse una buona mezz ’ora, a motivo di quel suo naso che non passava dalla porta di camera; e lo fece per dargli una severa lezione e perchë si correggesse dal brutto vizio di dire bugie, …”

“Si mund të ju a marrë mëndja, Zana e la njiherë Pinokun të kjajë e të vajtojë per nja ’ i gjysë ore të mirë, për punë t’asajë hundë qi s ’mund të kalote per derës s’odës: pse desht me e ndeshkue e me e ba me zanë mënd, qi mos të rrëjë ma kurr …”

Come potete immaginarvelo është përkthyer si mund të ju a marrë mëndja në vend të si mund ta imagjinoni; fjala njiherë është futur nga përkthyesi sepse nuk ndodhet në origjinal; che non passava është përkthyer qi s ’mund të kalote në vend të që nuk kalonte; e lo fece per dargli una severa lezione e perchë si correggesse dal brutto vizio di dire bugie është përkthyerpse desht me e ndeshkue e me e ba me zanë mënd, qi mos të rrëjë ma kurr në vend të dhe e bëri për t’i dhënë një mësim të mirë dhe të korigjohej nga vesi i keq i të thënitgënjeshtra.

Në tekstin e Cuk Simonit nuk mungojnë edhe rastet kur për një shprehje në italisht jepen dy të tilla në shqip.

“- Questo legno ë capitato a tempo…”

“- Shi në kohë të mirë më ra në dorë kjo dru…”

Për shprehjen ë capitato a tempo- ndodhi në kohën e duhur, përkthyesi jep dy të tilla: Shi në kohë të mirë dhe më ra në dorë kjo dru

Përfundime:

1. Leximi i kujdesshëm i “Pinokut” të Cuk Simonit tregon qartë se kriteret që kanë shërbyer si

udhërrëfyese gjatë përkthimit të romanit kanë qënë ato estetike, besnikëria e shpirtit por edhe e fjalës së origjinalit. Përkthimi i tij është art sepse nuk është një kopje e thjeshtë por një vepër ku duket qartë delli krijues i përkthyesit, i cili e ka konvertuar tekstin në shqip në një rikrijim në të njëjtin nivel me origjinalin.

2. Gjatë përkthimit Cuk Simonin e ka shoqëruar kalimi krijues nga njëra gjuhë në tjetrën dhe duket qartë se ai e ka rindjerë këtë akt krijues duke lënë mënjanë rregullat me rëndësi gjuhësore dhe duke iu dedikuar çastit të rikrijimit. Edhe pse përkthyesi ka arritur t’i japë veprës një autonomi estetike në shqip, përkthimi i tij letrar mund të konsiderohet si një proces që i konsideron dy tekstet në një marrëdhënie dinamike midis tyre.

3. Pinoku shqiptar i Cuk Simonit është një nga veprat më të mira të përkthyera në shqip, e cila ka pasuruar fondin e lexuesit të vogël shqiptar, jo vetëm në kohën kur është përkthyer por edhe në vitet në vijim.

______________

Shënime

1 Për shkak të origjinalitet të stilit të tij Collodi është cilësuar si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit XIX. Këtë e provojnë shkrimet e shumta kritike që i kanë dedikuar “Aventurave të Pinokut” kritikët letrarë dhe studiues të tjerë të disiplinave të ndryshme.

1 Bishqemi, A., 2008, “Histori e Letërsisë Shqiptarepër Fëmijë dhe të Rinj”, botues Pëllumb Zekthi, fq. 101-102

1 Të tria botimet e këtij romani të bëra midis dy luftrave botërore vijnë me titullin “Zemra”, ndërkohë që titulli i librit në original është në trajtë të pashquar “Zemër” (Cuore). Në ribotimet pas Luftës së Dytë Botërore është përdorur herë titulli “Zemër” e herë “Zemra”.

1 Collodi, C., 1981, “LeAvventure diPinocchio”, Giunti Marzocco, Firenze, fq.54

1 Simoni, C., 1935, “Pinoku”, botim i përkthyesit, rr. Gurakuqit 40, Shkodër, fq. 62-63

1 Collodi, C., 1981, “LeAvventure diPinocchio”, Giunti Marzocco, Firenze, fq. 5

1 Simoni, C. 1935, “Pinoku”, botim i përkthyesit, rr. Gurakuqit 40, Shkodër, fq. 9

1 Collodi, C. 1981, “LeAvventure diPinocchio”, Giunti Marzocco, Firenze, fq. 5

1 Simoni, C., 1935, “Pinoku”, botim i përkthyesit, rr. Gurakuqit 40, Shkodër, fq. 9

1 Collodi, C., 1981, “LeAvventure diPinocchio”, Giunti Marzocco, Firenze, fq. 78

1 Simoni, C. 1935, “Pinoku”, botim i përkthyesit, rr. Gurakuqit 40, Shkodër, fq. 89

1 Collodi, C., 1981, “LeAvventure diPinocchio”, Giunti Marzocco, Firenze, fq. 5

1 Simoni, C., 1935, “Pinoku”, botim i përkthyesit, rr. Gurakuqit 40, Shkodër, fq. 9

Bibliografia

Bishqemi, Astrit, (2008) “Histori e Letërsisë Shqiptare për Fëmijë dhe të Rinj”, botues Pëllumb Zekthi

Collodi, Carlo, (1935) “Pinoku”, përkthyer nga Cuk Simoni, Shkodër, Botim i përkthyesit rr. Gurakuqit 40

Collodi, Carlo, (2000) “Pinoku”, përshtatur në shqipen letrare nga Zef Simoni, “Naim Frashëri”, Tiranë

Collodi, Carlo (1981) “Le Avventure diPinocchio”, Giunti Marzocco, Firenze,

Dedja, Bedri, (1971) “Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë”, Tiranë, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”

Hylli i dritës, nr. 9, 1935

Illyria, nr.21,7 shtator 1935

Illyria, nr 23, 21 shtator 1935

Illyria, nr. 24, 28 shtator 1935

Leka,nr. 9, shtator 1935. / KultPlus.com

Të ngjajshme