Poeti që i shkruante jetës kujtohet nëpërmjet vargjeve të tij

31 Korrik, 2019 - 2:30 pm

“Unë e kam pasur sëmundje me kriju vlera, por atëherë s’e kam ditur se ato e kanë çmimin e lartë”, kishte shkruar shkrimtari Ragip Sylaj më 12 qershor të 2007-s në letrën të cilën ia kishte dërguar vëllait të tij në Zvicër. U nxor nga sirtari ku është ruajtur, 12 vjet pas. Atë e lexoi i vëllai i shkrimtarit Bujar Sylaj të martën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Familjarë, miq e kolegë të tij janë bërë tok në homazhin poetik “E kujtojmë dhe e lexojmë Ragip Sylajn”, organizuar në njëvjetorin e vdekjes. Sylaj ndërroi jetë më 30 korrik të vitit të kaluar në moshën 59-vjeçare.

“Unë (si unë) po e këndoj pothuajse të njëjtën këngë jetësore. Dikur më është dukur interesante dhe me vlerë të dish të shkruash bukur (ndoshta pse njerëzit tanë më parë nuk janë marrë me libra), por vonë e kam kuptuar se më së pari duhet të kesh talent për të jetuar. Këto gjëra nuk do t’i thosha po të mos kishte gjëra që ta helmojnë jetën, pas të cilave vijnë edhe ato që të ringjallin”, ishte një pjesë nga letra e poetit. Edhe në këtë letër, e cila është private dhe familjare, shkrimtari nuk kishte lënë pa biseduar për letërsinë.

“Po mundohem të lexoj, mirëpo ky farë zanati në Kosovë është bërë i rëndë dhe depresiv. Përveç depresionit këtu me lexim mund të fitosh përqeshje dhe përbuzje”, kishte shkruar shkrimtari.

Miku e kolegu i shkrimtarit, Adil Olluri, kur kishte ftuar njerëzit që ta kujtojnë e lexojnë poetin edhe pas vdekjes, kishte thënë se shkrimtari jeton aq sa kujtohet dhe lexohet nga të tjerët.

“Ai jeton përherë në mendjet dhe zemrat e lexuesve të veprës së tij. Homazhi poetik ‘E kujtojmë dhe e lexojmë Ragip Sylajn’ do të na e sjellë edhe njëherë shpirtin e Ragip Sylajt përmes poezive të tij. Ai do të jetë mes nesh me krijimet dhe mendimet e tij”, kishte shkruar në njoftimin e tij për homazhin. /KultPlus.com

Të ngjajshme