Presidenti Erdogan dëshiron më shumë shkollim fetar në Turqi

26 Janar, 2018 - 7:57 pm

Presidenti i Turqisë dëshiron të krijojë ‘një gjeneratë që do të punojë për ndërtimin e një civilizimi të ri”.

Kjo është vetëm një prej deklaratave të fundit të Erdoganit, i cili nuk e ka fshehur dëshirën e tij që në shkollat e Turqisë të ketë më shumë përfshirje të terminologjisë islame dhe ideologjisë fetare islame.

“Dua që gjeneratat të respektojnë vlerat, historinë dhe kulturën turke” tha Erdogani së fundmi pasi vizitoi një prej shkollave në Stamboll. Në shtator të vitit 2017-të, Erdogan vizitoi edhe shkollën ku ai ka kryer mësimet, ndërsa u fotografua me një djalë i cili po lexonte Kuranin – librin e shenjtë.

Në anën evropiane të Stambollit, janë 800 fëmijë që po shkollohen në kompleksin shkollor ‘Recep Tayyip Erdogan Anatolian Imam Hatip’ ndërsa të tjera komplekse shkollash të tilla po hapen në tërë shtetin.
Prindërit e fëmijëve që shkojnë në këto shkolla thonë se këtë po e bëjnë sepse duan që fëmijët e tyre të edukohen me moral.

Batuhan Aydagul, drejtor i Iniciativës Reformiste për Edukim, thotë se ajo çka po ndodhë tani është një identitet kombëtar i formuar me anë të edukimit.

Në anën tjetër, planprogrami shkollori i prezantuar së fundi e ka përjashtuar teorinë e evolucionit të Darvinit nga librat. / KultPlus.com

Të ngjajshme