Promovim dinjitoz i ‘Kosovës’ në Universitetin e Harvardit

25 Janar, 2022 - 4:30 pm

Në mbrëmjen e 24 janarit, në Harvard Faculty Club në Library Room, u promovua zyrtarisht libri historiografik në tri volume “Kosova” nga autori dhe historiani Jusuf Buxhovi, shkruan KultPlus.

Në praninë e një numrit të madh pjesëmarrësish, Buxhovi shpalosi pikat më kryesore të librit të tij, tezat hisorike që ngriten e shtjellohen aty, dhe të cilat shpartallojnë në gjenezë gënjeshtrën më madhore anti-shqiptare të sllavëve.

Si një ish-student, Faton Bislimi, ishte i pranishëm në këtë promovim si përfaqësues i Harvard Alumni Association për Kosovë edhe me Asociacionin e Studentëve Shqiptarë në Harvard.

“Si nikoqir të kësaj ngjarje historike, isha jashtëzakonisht i nderuar e krenar me përgjigjen pozitive të shumë studentëve e pjesëtarëve të komunitetit tonë që na u bashkangjitën në promovim”, ka thënë Bislimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

Bislimi tutje ka shtuar se ndjehet shumë mirë që pas gjithë atyre aktiviteteve dy ditore, arritën të fusin historinë e Kosovës, të mirëfilltë e faktike, në Universitetin e Harvardit, i themeluar në vitin 1638.

“Në këtë kohë kur po thyhen shumë shtiza në gjeopolitikë globale, të flasësh për Kosovën e për kombin shqiptar në kupolen e intelektualizmit akademik në SHBA është vlerë e shtuar për Republikën tonë të re.Një falëmnderim i veçantë për Shoqatën ‘Kosova’ në Boston, bashkë me Gred Brahon (Asociacioni i Studentëve Shqiptarë në Harvard), si dhe pronarin e Restaurantit ALBA në Quincy, MA, për përkrahjen e mikpritjen”, thotë në fund Bislimi.

Buxhovi e ka cilësuar  këtë si një tjetër fitore e madhe e depërtimit të historiografisë së Kosovës në universitetet më të njohura botërore. /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme