Promovohet “Libri im i kujtimeve” nga Rafet Rudi, autobiografia e parë e një kompozitori shqiptar

24 Maj, 2025 - 7:08 pm

Dje në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, u promovua libri “Libri im i kujtimeve” nga kompozitori dhe dirigjenti i njohur Rafet Rudi. Shumë dashamirë të librit dhe të muzikës morën pjesë në këtë ngjarje të veçantë kulturore, ku dhe patën mundësinë të diskutojnë me autorin dhe ta marrin librin me nënshkrimin e tij, shkruan KultPlus.

“Libri im i kujtimeve” paraqet një “kronikë të jetës muzikore” nga vitet ’70 deri në 1999, parë nga perspektiva e autorit si kompozitor, dirigjent dhe publicist. Ai tregon ngjarje dhe kujtime personale, duke përfshirë shkrimet e tij që datojnë që nga viti 1975, ku përshkruan zhvillimet në jetën muzikore në kontekstin e kushteve politike, sociale dhe kulturore. Libri ka karakteristika biografike, por është më shumë një kronikë e kohës dhe e ndikimeve që kanë formuar autorin. Ai ofron informacione të vlefshme për periudha të rëndësishme të jetës muzikore, të cilat janë të vështira për t’u gjetur në arkiva zyrtarë.

Rafet Rudi është kompozitor, dirigjent dhe mendimtar në fushën e publicistikës dhe të filozofisë së muzikës. Si anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencës dhe të Arteve, Rudi përbën personalitetin më të spikatur dhe më aktiv në 2-3 dekadat e fundit në botën muzikore të Kosovës. Ka shkruar veprat: kantatën “Flijimi” (1983), “Fantasia in Si” (1985) për violinë e piano, Koncerti për kitarë e orkestër (1986) etj. Rudi ka punuar si profesor në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, përderisa, si shef-dirigjent i Korit të Filharmonisë së Kosovës, ka realizuar një sërë koncertesh në Maqedoni, Kroaci, Shqipëri, Itali, Angli etj.

Në panelin diskutues morën pjesë: autori Rafet Rudi, filozofi dhe kritiku Shkëlzen Maliqi, kompozitori dhe studiuesi Nestor Kraja, si dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj. Moderatore e panelit ishte muzikologia Rreze Kryeziu Breznica e cila e mori fjalën e para për të hapur këtë promovim libri.

“Është kënaqësi e veçantë të ndaj me ju këtë moment të rëndësishëm promovimi. Është një ngjarje që shkon përtej promovimi tradicional. Është një promovim për një libër që erdhi për të ndriçuar një periudhë historike, profesionale dhe shpirtërore, që bart në vete kujtesën e një kohe dhe kontributin e një personaliteti të rëndësishëm siç është profesori Rafet Rudi. Ai është një nga figurat më me ndikim përgjatë dekadave të fundit. Veprimtaria e tij kompozicionale përfshin një gamë të gjerë veprash nga ato vokale-instrumentale e deri tek kompozimet për ansamble të vogla, vepra këto që dëshmojnë një qasje krijuese që ndërthur përvojën personale me zhvillimet estetike bashkëkohore. Profesor Rudi ka kontribuar edhe në fushën e arsimit si profesor në Fakultetin e Arteve së Universitetit të Prishtinës. Ai qëndron një prej figurave më përfaqësuese dhe me autoritet të kulturës muzikore shqiptare bashkëkohore”, thotë ajo.

Konsiderohet se “Libri im i kujtimeve” i autorit Rafet Rudi me natyrën e tij si memoar dhe kronikë personale, në mozaikë reflektimesh e kujtimesh, vjen si një urë themeltare për të shfaq një pasqyrë më të plotë dhe për të përkujtuar historinë e muzikës profesionale, për të rindërtuar narrativen e munguar. Libri pra vjen si homazh për muzikën si mënyrë jetese, si formë rezistence dhe si mjet kujtese.

Sipas saj, ky libër po ashtu shpalos përmasat më të thella të marrëdhënies mes artistit dhe kohës dhe këto memoare janë të rëndësishme për shkak të dritës që hedhet mbi mënyrën se si një artist ka jetuar, ndjerë, menduar brenda një kohe të mbushur me sfida e transformime. Dalja e këtij libri nuk konsiderohet vetëm si një ngjarje artistike por nevojë imediate, një ndërmarrje kulturore që shkon përtej komunitetit muzikor.

“Libri ka 14 kapituj që janë dëshmi të gjalla të një kohe, të rrëfyera me qartësi dhe thellësi që vetëm përjetimi i drejtpërdrejt mund të ofrojë. Profesor Rudi shfaq me finesë ndikimin e kontekstit politik dhe estetik në zhvillimin e jetës muzikore në Kosovë, duke vendosë artin në rrethana të pandashme shoqërore-kulturore të kohës”, thotë Kryeziu Breznica.

Filozofi dhe kritiku Shkëlzen Maliqi ka thënë se profesori Rudi i ka lënë mbresa të mëdha gjersa ai ka lexuar përmbajtjen e librit “Libri im i kujtimeve”.

“Më vjen mirë që kam kontribuar në botimin e librit të kujtimeve. Me Rafetin jam njoftuar shumë më afërsisht në vitin 2002 kur është botuar libri i parë i tij në kolazhin Fryma të Dukagjinit. Kur e kam parë atë libër dhe kur e kam lexuar, më ka mahnitur shumë dhe është një nga librat që më ka lënë përshtypje të thella kur e kam redaktuar. Mirë është që ai libër të ribotohet pasi që ka kaluar shumë kohë. Aty përfshihet edhe muzika e shekullit 20-të, avangarda muzikore e modernizimit. Në vitin e kaluar më kujtohet se profesori më tregoi se do botonte dy libra të tjerë. Ai insistonte të bëhem redaktor dhe unë e kam bërë me shumë kënaqësi. Libri i kujtimeve është një biografi personale e autorit dhe thellohet akoma më shumë në materien e muzikës”, ka thënë Maliqi.

Kompozitori dhe studiuesi i shquar, Nestor Kraja, ka treguar se profesori Rudi brenda librit paraqitet si një vëzhgues i vëmendshëm ndaj fenomeneve që rrethojnë jetën e tij, nga mentalitete të ndryshme e të kundërta të Beogradit e deri tek ndjesitë e njerëzve të kulturës në periudhën e pasluftës që gjykoheshin në bazë të meritave patriotike.

“Është një libër i shkëlqyer që të ngjallë një proces të menduari, të bën përshtypje këndvështrimi i një intelektuali të llojit të Rafetit. Mendoj se është një dokument i gjallë i argumentuar, i fakteve historike në lëmine e muzikës së Kosovës dhe më tej. Studentët e muzikologjisë kanë shumë nevojë për këto informacione. Faktet lidhen haptazi dhe direkt me analiza filozofike. Është dualizmi i një intelektuali erudit që shikon gjerë dhe i vjen keq për vendin e vogël që i rezervon realiteti imazhit të tij idealist. Jeta përshkruhet me një gjuhë të vërtetë e të gjallë, si në film, duke përcjellë dhe emocionet e kohës së gjatë. Këto emocione bëhen prekëse për brezat e ndryshme, autori i shtron drejtë faktet por dhe i përgjysmon ato. Autori paraqet një kulturë dhe nivele filozofike të qenësishme duke pasqyruar situatën e konfliktit të zhvillimit si pedagog i Akademisë së Muzikës. Ai pikturon personazhe dhe ngjarje jo me linja të shkurtra por të shpejta e të furishme, duke zbuluar vetë jetën me kontradikta”, thotë ai.

Sipas tij, profesori Rudi ka arritur maja emocionale, duke iu referuar një shkrimi që ka ekstraktuar nga Jusuf Gërvalla. Ai thotë se në këtë libër ka elemente edukative, duke përshkruar me imtësi rrugëtimin e vetë artistik dhe kësisoj iu shërben brezave shembuj të duhur artistik.

“Në një mënyrë, Rafeti paraqitet si një vëzhgues i vëmendshëm ndaj fenomeneve që rrethojnë jetën e tij, nga mentalitete të ndryshme e të kundërta të Beogradit e deri tek ndjesitë e njerëzve të kulturës në periudhën e pasluftës që gjykoheshin në bazë të meritave patriotike. Libri është një burim i pafund i temave të cilat do duhej të thellohen edhe më shumë nga muzikologjia kombëtare. Sinqeriteti i idealistit shquhet në shumë rreshta të këtij libri”, përfundon Kraja.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj ka treguar se për momentin është duke u punuar për publikimin e monografisë së Filharmonisë së Kosovës, në të cilën kontribuon edhe profesori Rafet Rudi.

“Më vjen shumë mirë që tashmë në duart tona është ky libër të cilin e kam dëgjuar prej kohësh se profesori është duke e shkruar. Gjithë ato rrëfime të cilat ne mund ti kemi dëgjuar në ligjërata apo në studion e tij, unë gjithmonë kam tentu me i mbajt mend por ndonjë rast kur do të më duheshin tashmë do i gjej në libër të përmbledhura. Profesorit shpeshherë i duhet shumë kohë e analizë derisa vendosë në botimin e një libri. Ne kemi kaluar disa vjet duke punuar për monografinë e Filharmonisë së Kosovës të cilën jemi duke punuar ende dhe shpresoj ta botojmë sivjet. Në të njëjtën kohë, ai përfaqëson një prej figurave që na ka ekspozuar ndaj muzikës avangarde së shekullit 20-të. Ai në Korin e Filharmonisë së Kosovës ka meritë të veçantë për zbulimin e muzikës së vjetër të kompozitorëve të trevave të ndryshme, duke vendosur një standard që sot e kësaj dite vazhdon me qenë standardi i repertorit që e përcakton fizionominë e Korit dhe Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, por edhe gjithë muzikës korale në trevat tona”, ka thënë Selimaj.

Në pamundësinë për të qenë prezent fizikisht, akademiku Vaso Tole nëpërmjet një videoje që u shfaq nga një ekran, ka vlerësuar lartë punën e profesorit Rudi.

“Jam i kënaqur që më bëtë pjesë në këtë aktivitet të rëndësishëm. Libri i profesor Rudit është autobiografia e parë e një kompozitori shqiptar. Libri është një rrëfim i pasur dhe i ndjerë që tejkalon përmasat e një jete personale me synimin për të afruar një pasqyrë më të gjerë e të thellë të zhvillimeve kulturore-artistike-historike. Libri është thurur me një mençuri me vlerat kolektive duke sjellë një panoramë të gjithanshme të një kohe të trazuar dhe një kulture në ndërtim e sipër. Ky libër është i rëndësishëm sepse është dëshmi personale e ngarkesave historike, kulturore. Autobiografia ofron një dëshmi të drejtpërdrejtë ndaj ngjarjeve muzikore, kulturore e politike. Dokumentimi dhe zhvillimi i muzikës është diçka tjetër që vlerësoj brenda librit. Rrëfimi i Rudit mbush boshllëqet siç janë: historitë me institucionet muzikore, sfidat e muzikantëve apo rruga drejt profesionalizmit të muzikës artistike në vend”, ka thënë ai.

Krejt në fund, vetë autorit i librit, profesor Rafet Rudi ka treguar se lloji i shkrimit i përdorur brenda librit ka qenë diçka e huaj për të, mirëpo ashtu është nevojitur të jetë natyra e librit.

“Merrem me shkrime qysh herët dhe ato kanë qenë kryesisht të një karakteri. Një qasje filozofike të muzikës do shfaqet edhe në librin tjetër që do promovohet në fillim të muajit qershor. Libri i kujtimeve ka disa karaktere që për mua shkaktojnë mjaft probleme. Nuk jam i mësuar fare që të shkruaj në vetën e parë dhe pas disa momenteve delikate jetësore të fëmijërisë dhe të kohës të vështira e traumatike të jetës, pa emocionin e duhur, mbesin vetëm si identitet. Gjatë shkrimit të librit, më është dashur ndihma e poetëve dhe ka qenë një terren jo i njohur te unë ky lloj shkrimi”, ka shpalosur ai.

Secili nga panelistët ndau përshtypjet dhe mendimet për librin, duke i kujtuar ngjarjet e ndryshme që ka kaluar populli ynë nëpër vite e dekada dhe takime e momente me vetë autorin, gjë që e bëri akoma më të ngrohtë këtë promovim./ KultPlus.com

Të ngjajshme