Promovohet libri “Mbi “Mbi çështjen shqiptare – bashkëbisedim me Arbën Xhaferin”, i autorit Musli Krasniqi

19 Shkurt, 2024 - 10:55 am

Në vigjilje të përvjetorit të 16-të të Pavarësisë së Kosovës, në Institutin Albanologjik të Prishtinës është promovuar libri “Mbi çështjen shqiptare – bashkëbisedim me Arbën Xhaferin” i autorit Musli Krasniqi.

Libri përmban shtatë intervista me politikanin dhe personalitetin e shquar shqiptar, Arbën Xhaferi, të realizuara nga autori në vitet 2006-2009 dhe të botuara në shtypin e kohës në Prishtinë.

Tema kryesore e librit është çështja e Kosovës, por edhe temat tjera trajtojnë çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi, me shtrirje në kohë të një harku gati tri vjet dhe në gjithë hapësirën gjeografike shqiptare.

Në libër trajtohen edhe zhvillime historike të Serbisë dhe të politikave të saj antishqiptare, si dhe analiza të karakterit global, por gjithnjë në funksion të temës kryesore. Në ceremoninë e promovimit të librit, për mendimin dhe doktrinën politike të Arbën Xhaferit, folën veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, Mehmet Hajrizi, njëherësh recensent i librit, prof. Arsim Bajrami nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, studiuesi i filozofisë politike të Arbën Xhaferit, Flakron Bexheti nga Maqedonia e Veriut, si dhe botuesi librit nga Shtëpia Botuese URA, shkrimtari Xhemë Karadaku.

Ceremonia u moderua nga shkrimtarja dhe krijuesja e njohur nga Tirana, Rudina Xhunga, e cila po ashtu vite më parë ka botuar një libër të ngjashëm nga bashkëpunimi me Arbën Xhaferin, ndërsa gazetarja nga Prishtina Rina Mujku riktheu para audiencës pjesë nga mendimi politik i Arbën Xhaferit.

Të gjithë panelistët gjatë diskutimeve të tyre vlerësuan lart figurën poliedrike të Arbën Xhaferin, veprimtarinë kombëtare të tij dhe kontributin e jashtëzakonshëm gjatë zhvillimit të proceseve të rëndësishme kombëtare jo vetëm në Maqedoni, por në gjithë gjeografinë shqiptare.

Vet autori i librit, Musli Krasniqi, potencoi se promovimi i këtij libri në prag të përvjetorit të pavarësisë nuk është i rastësishëm, ngase asnjë përvjetor i pavarësisë së Kosovës nuk do të jetë i plotë pa kujtuar figurën dhe kontributin e Arbën Xhaferit.

Libri “Mbi çështjen shqiptare – bashkëbisedim me Arbën Xhaferin”, i autorit Musli Krasniqi përbën orientim dhe referencë, jo vetëm për studiuesit por edhe për veprimtari praktike shtetërore. Ai ka karakter njohës, edukues, frymëzues dhe udhëzues, të cilat do t’u duheshin personaliteteve të larta të shtetit e deri te lexuesi i rëndomtë. Libri përmban dy parathënie, nga veprimtari Mehmet Hajrizi dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko. / KultPlus.com

Të ngjajshme