11 Qershor, 2025 - 1:43 pm
U mbajt promovimi i librit me poezi “Më quajnë Izmir” nga poetja Tinka Kurti në Librarinë Dukagjini, Prishtinë.
Panelistët folën për poezinë e Tinka Kurtit, e cila përmes vargut bën thirrje për zhvendosjen e të përjashtuarve drejt qendrës së vëmendjes dhe kujtesës.
Në promovim mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Më quaj Izmir” i Tinka Kurtit vjen si një zë i guximshëm në poezinë shqipe. Vargjet e Tinka Kurtit janë mall dhe revoltë, lidhje dhe shkëputje, komentime poetike mbi eksperienca jetësore.
Libri i saj, i cili që në pragun semiotik hyn në relacion intertekstual me lojën melvilliane të identifikimit të subjektit, është një provokim estetik, sepse paralajmëron një zë ‘androcentrik’, ndërsa shpejt kalon në këndvështrimin gjinocentrik, për ta theksuar paradoksin dhe për ta promovuar perspektivën. Duke e parë botën me sy të tillë, poetja Tinka Kurti sjell jo vetëm një optikë specifike personale, por edhe një zë autentik në botën tonë letrare.
Tinka Kurti ka studiuar Gazetari dhe Filozofi në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar disa vjet si gazetare në Prishtinë. Më pas ka qenë aktive edhe në politikë. Në 2021-2025 ka qenë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Jeton në Vjenë./ KultPlus.com