Pse Ibrahim Rugova nuk e festonte ditëlindjen?

2 Dhjetor, 2018 - 10:02 pm

Sa herë që vjen 2 dhjetori, Islam Visokës i kujtohen momentet nga e kaluara e tij me Presidentin Historik, Ibrahim Rugova.

Kjo pasi më 2 dhjetor të 1944 u lind udhëheqësi i shqiptarëve gjatë viteve 90-ta, që u vu në krye të i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Visoka që dikur punonte në sigurimin e Ibrahim Rugovës, thotë të mbajë mend kur ia uruan ditëlindjen Rugovës fill pas lufte.

Se Rugova nuk e kishte në qejf festimin e ditëlindjes e thotë edhe njëri ndër njerëzit më të afërt të tij gjatë viteve 90-ta. Milazim Krasniqi thotë se ditëlindja për Presidentin Rugova ka qenë një moment reflektimi.

Por, Adnan Merovci e kujton rastin kur Rugova e kishte gostitur atë me tortë të ditëlindjes në shtëpinë e tij në Velani.

E kujtime të mira për vitet në punë me të, i ka të freskëta ende Milazim Krasniqi.

Edhe Adnan Merovci thotë se do ta kujtojë gjithmonë Ibrahim Rugovën si njëri të mire dhe se puna me të ka qenë nder i madh.

Në 74 vjetorin e lindjes së Rugovës, Kryesia e LDK-së ka bërë homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës.

Ibrahim Rugova u lind në Cërcë të Istogut 74 vite më parë.

Fati e deshi që ai kurrë mos ta njoh babanë e tij, Ukën, pasi së bashku me gjyshin e Ibrahimit u vranë nga pushteti jugosllavë në vitin 1945.

Por, Ibrahimin që u rrit jetim, nuk e ndali tragjedia e familjes. Ai e kreu shkollën fillore në Istog, të mesmen në Pejë e Fakultetin e Gjuhës Shqipe në Prishtinë, ku e përfundoi edhe doktoraturën.

Në vitin 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, ku mbahet mend për debatet me shkrimtarët serb mbi të ardhmen e Jugosllavisë.

Një vit më pas, Ibrahim Rugova themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilën e udhëhoqi deri në vdekje.

Nën udhëheqjen e tij u organizua sistemi paralel i viteve 90-ta si rezistencë paqësore ndaj pushtetit serbe dhe u ndërkombëtarizua çështja e Kosovës.

E për punën e tij, Parlamenti Evropian e nderoi me çmimin Saharov, të cilin më parë e kishte fituar edhe Adem Demaçi, njëri ndër kundërshtarët më të ashpër të Rugovës.

Pas luftës, i fitoi të gjitha zgjedhjet e mbajtura deri në vitin 2006, kur edhe ndërroi jetë.

Presidenti historik ishte i martuar me Fanën me të cilën kishte 3 fëmijë, Mendimin, Ukën e Teutën.

Rugova që sot do të mbushe 74 vite, ishte presidenti i parë i Kosovës dhe nga shumë njerëz cilësohet si arkitekti i pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Të fundit

Të ngjajshme