QKLL hap ‘Tetorin e Librit’, muajin që do t’i kushtohet librit dhe shkrimtarëve shqiptarë

2 Tetor, 2021 - 12:56 pm

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit hapi sot Tetorin e Librit, muaj ky që do t’i kushtohet librit, shkrimtarëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, si një kremtim që ka në qëllim të tij kthimin në vëmendje të letërsisë shqipe. Ky muaj u çel me tryezën “Politikat e Librit në Shqipëri”.

Në fjalën e saj hapëse, Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, znj. Alda Bardhyli, përveç falenderimeve ndaj vëmjendjes që patën botues dhe shkrimtarë ndaj nismës së QKLL-së, u shpreh se “mbi 30 aktivitetet që nisin sot nga Tirana për të vijuar në biblioteka, shkolla të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë kanë vetëm një synim, nxitjen e leximit, si një prioritet kombëtar.

Autorë të huaj dhe shqiptarë do të jenë përgjatë këtij muaji në një dialog mbi vlerat e librit dhe lexuesin, nën moton ‘Fajin ma ka gjuha’, një thënie e huazuar nga libri më i fundit i shkrimtarit Virgjil Muçi, mbi të cilën ne duam të evokojmë një nga problemet kryesore të një kulture dhe gjuhe siç është shqipja, mungesa e hapjes ndaj kulturave të tjerave, përkthimit etj.”

Zonja Bardhyli përmendi prioritetet që QKLL-ja ka në hartimin e politikave në mbështetje të librit, ndër të cilat përmendim:

a) promovimin e frekuentimit dhe pasurimit të bibliotekave, librarive dhe të njohurive mbi prodhimin e librit në shqip duke nxitur përhapjen dhe përdorimin e tij;

b) bashkëpunimin midis institucioneve shkollore në të gjithë territorin, duke iu referuar veçanërisht bibliotekave të leximit publik dhe institucioneve të tjera ose shoqatave kulturore, me qëllim promovimin e leximit te të rinjtë;

c) të nxjerrë në pah dhe të mbështesë gjuhën shqipe, duke promovuar njohjen e veprave të autorëve shqiptare dhe përhapjen e tyre jashtë vendit, edhe përmes bibliotekave;

d) të nxjerrë në pah vlerën e larmisë së produkteve në fushën e botimeve, në përputhje me logjikën e tregut e të konkurrencës;

e) të nxisin leximin në fëmijërinë e hershme edhe përmes përfshirjes së qendrave të këshillimit, të pediatrisë familjare dhe të sallave të lojërave;

f) të promovojnë leximin në teatro, edhe në bashkëpunim me libraritë, brenda programeve artistike dhe kulturore përgjatë festivaleve.

Gjithashtu, ndër të pranishmit në këtë tryezë, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, z. Piro Misha, vuri theksin në “propozimin e kërkesave të përbashkëta për amendimin e ‘Ligjit të librit’ si një nevojë urgjente”, si dhe “të zgjidhet çështja e bibliotekave të qytetit apo edhe të bibliotekave vendore, të cilat kanë mungesë në përditësimin me titujt e rinj të botuar”.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve, z. Petrit Ymeri, u shpreh se “është e rëndësishme të bashkëpunojmë për shpënien përpara dhe zgjidhjen e problemeve që ka sektori i librit në Shqipëri. Mbështetja e autorëve të rinj dhe rëndësia që shkollat e Shqipërisë të jenë të hapura ndaj librit, duke lejuar promovime, biseda dhe aktivitete me botues, autorë apo përkthyes në mjediset e tyre”.

Një sektor i prekur dhe që shpreh nevojën për një rregullator është edhe ai i rrjetit të librarive. Z. Albert Gjoka u shpreh se “duhen hartuar politika për librarët dhe duhet rregulluar problemi i taksimit apo edhe i fiskalizimit”. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme