Reka e Epërme – trevë autoktone shqiptare me traditë të lashtë e të pasur kulturore

16 Gusht, 2022 - 1:16 pm

Nga Agim Vinca

Më 7 gusht të këtij viti mora pjesë në Takimin tradicional të banorëve të Rekës së Epërme, të shtatin me radhë, organizuar nga Shoqata Kulturore “Reka e Epërme” nga Gostivari. Deri tani Rekën e kam parë kryesisht nga larg, duke kaluar me makinë rrugës Mavrovë-Dibër (dikur me autobus në xhadenë e vjetër gjarpërore) dhe nga librat, kurse atë të diel gushti e preka si të thuash me dorë dhe e pashë në dritë më të plotë. Tubimi, që u mbajt në fshatin Rimnicë, në një lëndinë të rrethuar me pyje dhe pranë një përroi të kthjellët, degë e Radikës, ishte organizuar jashtëzakonisht mirë dhe kishte një program të pasur artistik me këngë e valle popullore të kësaj treve, me improvizimin e dasmës rekase (marrja e nuses me kalë) dhe pika të tjera artistike, që tregojnë rrënjët shqiptare të Rekës së Epërme me 24 katunde me popullsi autoktone shqiptare, ortodokse dhe myslimane, por sot, mjerisht, kryesisht të pabanuar. Nga kjo trevë ishte edhe poeti dhe publicisti rilindës Josif Bageri, një atdhetar i flaktë, dishepull i Naimit, që vdiq në Prishtinë në vitin 1915, për të cilin kam shkruar një ese qysh në fillim të viteve nëntëdhjetë. Në tubimin e Rekës së Epërme me një pjesëmarrje masive, krahas të tjerëve, fola edhe unë dhe u lexua poezia ime “E prapë ai lumë…”, kushtuar Rekës dhe qëndresës shqiptare në shekuj. Me kërkesën time këtë poezi e recitoi aktori i Teatrit të Tetovës, Muzafer Etemi, me të cilin dolëm bashkë në skenë.

Pas një nate të kaluar në fshatin Lemnovë, si mysafir në familjen Halimi dhe pas pjesëmarrjes në Takim, u ktheva i mbushur me mbresa grykës së Radikës dhe të Drinit, duke kaluar Dibrën, Koxhoxhikun, vendlindjen time, Veleshtën, për të arritur në mbrëmje në Strugë, në një gazmend familjar, aty ku “Drini plak e i përrallshëm, që mburon prej Shëndaumi, nis udhëtimin me ngadalë mes-për-mes nër Shqipëri…”.

Më poshtë po japim një fotografi që flet për pasurinë dhe bukurinë e kostumeve popullore të Rekës së Epërme, të vajzave e djemve, si dhe poezinë e lexuar, e cila, ndonëse flet me gjuhën e simboleve, zgjoi interesimin e publikut dhe u mirëprit nga të pranishmit…

Prishtinë, 14 gusht 2022

E PRAPË AI LUMË…

Rrjedh Radika mes maleve –
lot i ngrirë në qepallë.
Përpëlitet me shpirt ndër dhëmbë
Reka, vendi im.
Bageri vdes sërish në Prishtinën e okupuar.
E askund varri. As kortezhi.
Askund gjëmë as vajtim.
Një plak i thinjur mbëlton pemë
e i lutet zotit për një pikë shi.
Një re e zezë harbon qiellit
me breshër e mëri.
Thyen filiza, faron farë
një larash i marrë.
Rivdes Bageri në Prishtinë,
Bogdani meshon për shpirtin e tij.
Gjëmon Radika e Drini plak. Korabi kreshtëbardhë.
E prapë ai plak e ai kopsht magjik e ajo re idhnake.

Kot e ke mike
Jam rrap jo shkurre!

1995. / KultPlus.com






Të fundit

Të ngjajshme