Rexhep Hoti vlerësohet si zë i poezisë avangarde në hapësirat shqiptare

28 Tetor, 2017 - 9:00 am

Prezantimi i librit më të ri “Ndëshkimi i kujtimeve” i poetit Rexhep Hoti, një personazh i njohur në jetën politike dhe kulturore në Kosovë, në Instalacionin Reja në Tiranë, u kthye në një mbrëmje kulturore mbi raportet letrare mes Tiranës dhe Prishtinës.

Për shkrimtaren Diana Culi, zgjedhja e Hotit për ta prezantuar librin mes miqsh në Tiranë është një gëzim që nuk mund të mendohej vite më parë, kur komunikimi me Prishtinën ishte gati I pamundur. Në një kohë kur flitet kaq shumë për politikë apo probleme të tjera shoqërore, duket sikur poezia nuk ka pasur vëmendjen e duhur, mirëpo ajo është zhvilluar njëkohësisht me këto zhvillime duke pasur shtratin e saj që na e tregon më së miri veten. Pandeli Koçi redaktori që ka udhëhequr gjithë përpjekjet për botimin në Tiranë të poetëve shqiptarë të Kosovës në vitet 1969-1980 e quajti Hotin një zë të poezisë avangarde që bëhet sot në hapësirat shqiptare.

I njohur fillimisht me krijimtarinë e Hotit përmes shkrimeve publicistike dhe një kritike të Rexhep Qoses vite më parë për të, për Koçin ajo që i veçon vargjet e Hotit është lirshmëria e marrëdhënies me vargun. Hoti nuk fsheh asgjë, por kërkon ta tregojë njeriun brenda tij me gjithë ngarkesën emocionale që e shtyn drejt poezisë. Ai nuk ka frikë të pohojë gjëra që dikush tjetër mund ti fshihte. Koçi bëri një shtrim ndër vite në raportet mes Tiranës dhe Prishtinës duke thënë që nga viti 1945 deri më 1971 regjimi komunist i Tiranës kishte mbajtur një distancim nga letërsia shqiptare në Kosovë, duke krijuar kështu një terr të plotë informativ, në vend.

Këta poetë të shquar të Kosovës, ndërsa botoheshin në shumë vende të botës dhe merrnin pjesë dhe ekspozoheshin në shumë panaire të librit në Evropë, për paradoks nuk qarkullonin as në periodikun letrar, as në botimet e ndërmarrjeve shtetërore dhe as në bibliotekat e Atdheut të tyre.

Janë të pashpjegueshme arsyet e vërteta të këtij qëndrimi, por qysh atëherë, jo zyrtarisht, thuhej se kjo letërsi konsiderohej si “moderniste,” “dekadente” dhe “revizioniste” dhe si e tillë e papranueshme për rregullat strikte të variantit shabllon të realizmit socialist që aplikohej në Tiranë. Megjithatë një ditë të fillim vitit 1971, kemi një ndryshim të kursit në politikën zyrtare. Komiteti Qendror vendos të lejojë botimin e seleksionuar të poetëve dhe shkrimtarëve të Kosovës.

Pandeli Koci rrëfeu se megjithëse kishte siguruar një leje zyrtare për të lexuar, kontrolluar dhe seleksionuar fondin e rezervuar dhe të ndaluar për përdorim dhe konsultim të letërsisë së Kosovës në Bibliotekën Kombëtare Tiranë, kishte aq shumë pengesa gjatë redaktimit dhe botimit, sa ngjan me një ndërmarrje ilegale të Pandeliut, si një mision patriotik që i solli lexuesit të Shqipërisë, nxënësve, studentëve dhe kritikës letrarë gjysmën e mohuar të letërsisë kombëtare.

Në vitin 1962 u botua libri i Agim Gjakovës me titullin: “Dhe thonë se paqë ka në botë” dhe i Adem Istrefit “Net kosovare”, pastaj vjen Sulejman Krasniqi me një serë romanësh me tema nga lufta e përpjekjet e kosovarëve për liri e pavarësi për të vijuar më vonë. Koci foli për hermetizmin një rrymë kjo shumë e njohur në letërsinë e Kosovës. Maks Velo i pranishëm në këtë takim e quajti hermetizmin si një rrymë e cila tregonte një nivel të lartë mendimi në hapësirën shqiptare në Kosovë, dhe pse realiteti i jetës ishte shumë larg mendimit hermetik.

Monika Stafa, studiuese dhe gazetare e quajti poezinë e Hotit një poezi që mund të lexohet me një frymë për ndjesitë që mbart. Për të dialogu mes Tiranës dhe Prishtinës duhet të zgjerohet vetëm përmes këtij komunikimi që të jep arti. Një letërsi të angazhuar e quajti poezinë e Hotit, kritiku Jozef Radi. Duke iu referuar poezisë “Barbarët” që u interpretua nga aktori Laert Vasili, Radi u shpreh se ajo poezi tregon një autor që nuk mund të rrijë indiferent ndaj vendin dhe shoqërisë ku jeton. Në takim foli mbi poezinë e Hotit dhe poeti dhe kritiku Sali Bytyci. Ajo çfarë vihet re në poezinë e Hotit është një linjë e mendimit erotik, që ka munguar në kujtesën e vargjeve shqipe. Për Diana Culin, Hoti është poeti i kohës së re, i cili i cili krijon një poezi pa gjini, por që komunikon lehtë me çdo moshë. Gjatë mbrëmjes aktorë të teatrit Kombëtar interpretuan vargje të zgjedhura nga libri. / KultPlus.com

Të ngjajshme