Risitë e ‘PISA 2018’ për Kosovën, nuk ka më test me shkrim

27 Tetor, 2017 - 2:37 pm

Pas Debaklit Botëror në nivelin e njohurive të nxënësve, Kosova ka filluar përgatitjet për një raund të dytë me një qasje të re teknike që nga Ministria e Arsimit kërkon improvizim.

Kanë mbetur edhe pak muaj nga koha kur Kosova do të ‘vë në test’ sistemin e saj arsimor përmes Programit Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA), që teston zbatimin praktik të njohurive në tri fushat kyçe që janë leximi, matematika dhe shkenca.

Testi PISA do të organizohet për herë të dytë në prill të vitit të ardhshëm, me më rreth 6000 mijë nxënës që do ta arrijnë moshën 15 vjeçe në atë kohë.

Megjithatë, për herë të parë, kësaj radhe testimi do të bëhet në kompjuterë, dhe jo me laps e letër si në testimin PISA 2015.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Mustafë Kadriu, menaxher për projektin PISA 2018.

Ai tha se në fazën e pilotimit ka pasur vështirësi në sigurimin e kompjuterëve ndërsa sipas tij për testimin final do të improvizohet në mënyrë që secili nxënës t’i nënshtrohet testit në kompjuter.

“Pavarësisht se cila shkollë përzgjidhet, nëse shkolla që është përzgjedh ka kompjuter atëherë vlerësohet në shkollën e vet, nëse nuk ka kompjuter gjendet një shkollë tjetër që ka kompjuter, më pastaj DVSM/MASHT ka 80 laptopë dhe administruesi i merr ata dhe realizohet testimi”, tha Kadriu.

Ai po ashtu theksoi se kanë vërejtur se nxënësit nuk kanë pasur probleme me pyetjet gjatë fazës së pilotimit në prill të këtij viti.

“Kodimi i pyetjeve të Testit pilot është realizuar (pilotimi ka për qëllimi rrjedhjen e procesit – nuk ka publikim të rezultatit , por vetëm se si kanë funksionuar pyetjet dhe se si nxënësit i kanë plotësuar pyetësorin)”, tha ai.

Historia e Kosovës me PISA-n

Vitin e kaluar Kosova u bë vendi i 72-të i përfshirë në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), në kuadër të Organizatës për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (OECD
Rezultatet e këtij testi të shpallura vitin e kaluar e radhitën Kosovën të tretën nga fundi sipas rezultateve të nxënësve në lexim, shkencë dhe matematikë.

Rezultatet e dobëta kishin nxitur reagime të shumta nga analistë, politikanë e të tjerë që fajësonin Ministritë e Arsimit ndër vite, për mospunë.

Megjithatë, ministri paraprak, Arsim Bajrami nuk kishte marrë përsipër përgjegjësinë e rezultateve duke thënë se testi reflektonte punën e ministrave të kaluar.

“Kjo situatë reflekton gjendjen 2010, 2014, periudhën para ardhjes time si ministër dhe jam i sigurt se vlerësimi PISA 2018 do ta rangojë Kosovën jo vetëm në nivelin e njëjtë me rajonin por edhe në nivel të Bashkimit Europian”, kishte thënë Bajrami.

Tani, Kosova ka një ministër tjetër të arsimit, Shyqeri Bytyqi i sapo zgjedhur i cili që nga marrja e mandatit në shtator të këtij viti nuk ka folur lidhur me PISA-n.

Kadriu po ashtu nuk deshi të komentojë lidhur me rezultatet e mundshme të vitit 2018 duke thënë se pritet të shohin nëse do të ketë ngritje të rezultateve. / KultPlus.com

Të ngjajshme