Romani “Rruga 66” i Binak Kelmendit, ose udhëtimi dramatik i njeriut me duar të lidhura

21 Tetor, 2018 - 11:02 pm

Këto ditë doli nga shtypi romani i katërt i Binak Kelmendit, “Rruga 66”.

Marrdheu dhe Japdheu janë Njëshi i Pandashëm. Njëri ndjekësi i sakrifikuar i lirisë dhe tjetri mbrojtësi i pakontestueshëm i robërisë. Gjithë kjo brenda Japdheut. Një betejë metaforike brenda identitetit personal, kokës së njeriut që kishte aspiruar rrëfimin ta fokusonte në sfondin e kauzës “historike”. Japdheu udhëton duke takuar të mirat dhe të këqijat që e kishin përcjellë në jetën e tij, po që është vetë jeta kolektive e një shoqërie. I rrëfen ato. Ishte kërkimi I përhershëm, destinacioni: Rruga 66 apo Route 66?! – ka shkruar shkrimtari e eseisti Ibrahim Berisha.

Plotësohen udhëtimi këmbëngulës i Japdheut dhe cinizmi i Marrdheut me iluzionin e tij se duhet të mbetej i njëjtë deri në fund. Rrëfimi ndërtohet mbi një botë e dyzuar pambarimisht me dialogje dhe projeksione, me plot konflikte dhe dramë të thellë psikologjike. Kujtime të ndërthurura me rrëfim mjeshtëror në vakuumin e botës reale, për dashurinë e largët, ajo që jeton përherë, për lëndimet nga pritja e lodhshme pakufi. Arbitri i pakontestueshëm Marrdheu është ai që rri mbi kokë, ai që e kufizon Japdheun në secilin hap, në secilën gjendje, që fëmijë, që i ri me prirje lirie, që ushtarë i rënë në moçalin e presionit. Është i pa kompromis dhe i vrazhdë në kontrollin e tij dhe bën që Japdheu asnjëherë të mos njohë dhe arrijë deri në fund lumturinë. Ai e kërkon dhe dëshiron, e rrëfen, por nuk e gjen askund madje as në Paris kur mendon se aty duhej të ishte ajo që po e priste, liria pra. Atë e ndjek vetvetja e shkrirë në përmasë kolektive, prandaj nuk mund të jetë asgjë para saj.

Proza e Binak Kelmendit është një udhëtim dramatik i njeriut me duar të lidhura ndërmjet kauzës dhe asgjësë, fotografisë së vetë botës që Japdheu nuk është asnjëherë i sigurt se do ta mbijetojë. Atdheu mbi të gjitha, tradhtia, plot përkujtesa diskursive që nuk e lënë të marrë frymë Japdheun dhe të arrijë në destinacion. Një luftë e botës së brendshme, kërkim identiteti i njeriut që e do dhe e gjakon më të thjeshtën, njerëzoren, dashurinë dhe përherë përpara tij është Mbinjeriu, që e përcjell kudo për t’ia përkujtuar misionin e tij për historinë, atdheun, idealin. Kudo sundon hija e shtypëse e një bote me mesazhe epike.

Romani i Binakut është një udhëtim në kohë, njëherësh edhe me shumë shenja simbolike që tronditin me përmasën e humbjes së Japdheut në kohë dhe hapësirë. Edhe në pikën më të skajshme, më të lartë në ikje dhe ardhje kudo është Mbinjeriu i tij që askund nuk arrin dhe nuk do t’i shmanget dhe as ka forcë madje ta mendojë këtë. Udhëtimi ikën në fantazinë historike të vonshme të jetuar realisht me ngjyra lavdi teutiane apo ngjyrë krizë boshe socialiste, kujtime ku liria është fëmijërore dhe pastaj robëria ushtarake, nën urdhra të forta zërash eprorë kur shumëçka është tragjike. Është kjo që përmbytë gjithë atë iluzion njeriu të pafuqishëm, i cili pajtohet me bashkëhumbjen në kohë dhe hapësirë duke kërkuar asgjënë në fakt, si trishtim i plotë dhe shterje jete. Kjo ikje e pafuqishme nga atdheu simbolik e mban të robëruar tërësisht Japdheun. Ironia përcjell rrëfimin përmes frazave dhe kodeve që funksionojnë si mesazhe epike historie.

Romani i Binak Kelmendit Rruga 66, i katërti me radhë i autorit, është shpalim i gjallë për një botë të humbur dikur reale, rindërtuar tashti përmes prozës metaforike me potencial dhe vlerë të jashtëzakonshme rrëfimtare.

Të ngjajshme