Së shpejti në shqip libri i Robert Elsie kushtuar bektashinjve shqiptarë

23 Korrik, 2020 - 1:15 pm



Libri “Bektashinjtë shqiptarë, historia dhe kultura e një rendi dervishësh në Ballkan” nga shkrimtari Roberl Elsie, së shpejti vjen dhe në gjuhën shqipe, ka njoftuar kështu Shtëpia Botuese ‘Artini’, përcjell KultPlus.

Ky vëllim i kushtohet rendit të dervishëve bektashianë në Shqipëri dhe rolit të tij në historinë shqiptare. Merret vetëm përciptazi me bektashinjtë e Turqisë dhe gjetkë, për të cilët tashmë është shkruar shumë, edhe pse kryesisht në turqisht.

Libri është i ndarë në katër seksione themelore:
Seksioni i parë është përmbledhje e historisë dhe e kulturës së bektashinjve shqiptarë, që shërben si hyrje në lëndën, për të cilën shpresohet të jetë mjaftueshëm e përgjithshme për lexuesin mesatar, por që të përmbajë po ashtu detaje të mjaftueshme për të përmbushur edhe kërkesat e lexuesit ‘jo mesatar’.
Ky pasohet nga një seksion më i gjatë që paraqet një larmi shkrimesh mbi bektashinjtë shqiptarë nga udhëtarët e hershëm dhe studiuesit e shquar. Këtu janë të përfshirë shumë artikuj shumë të rëndësishëm që u qasen studimeve për bektashinjtë nga këndvështrime të ndryshme.
Seksioni i tretë ofron një katalog të gjerë të teqeve (manastireve) kryesore dhe tyrbeve (faltoreve) të bektashinjve shqiptarë, të dhëna në mënyrë alfabetike sipas emrit të vendit, me informacione historike për origjinën, zhvillimin dhe rëndësinë, aty ku është e mundur. Katalogu nuk është aspak shterues pasi ka shumë faltore të vogla dhe teqe që nuk janë përfshirë këtu për shkak të mungesës së informacionit rreth tyre. Lexuesi do të hetojë se për disa teqe në këtë katalog, lënda është relativisht gjithëpërfshirëse, ndërsa për shumë të tjera ka boshllëqe. E tillë është gjendja e studimeve bektashiane për momentin.
Seksioni i katërt i këtij libri është një katalog i figurave më të shquara historike dhe legjendare të bektashinjve shqiptarë. Përsëri, të dhënat biografike për disa nga këto figura është i paktë, por ne kemi dhënë këtu atë që mund të mblidhet.
Korpusi kryesor i librit është rrumbullakuar me një fjalor të termave dhe një bibliografi për t’ia mundësuar lexuesit të interesuar që të ndjekë studime të mëtutjeshme në këtë fushë, nëse ai apo ajo dëshiron. / KultPlus.com





Të ngjajshme