‘Shëndeti si art dhe shkencë’, Diola Dosti promovoi mbrëmë librin e ri kushtuar shëndetit

14 Korrik, 2023 - 1:40 pm


Arlinda Hajdaraj

Horizontit të librave së Librarisë Dukagjini i’u shtua mbrëmë edhe ëmbëlsia e librit të ri të Diola Dostit, nutricionistës së njohur shqiptare, shkruan KultPlus.

Si një eksperte dhe pasionante e ushqimit, Diola mblodhi të gjitha grimcat e kësaj fushe vetëm për të sjellë në dritë librin kushtuar të ushqyerit të shëndetshëm.

Libri ‘Shëndeti si art dhe shkencë’ shkon edhe përtej persosshmërisë së dizajneve dhe shkrimeve të hijeshura në çdo copëz flete. Dilemat kthehen në qartësi dhe labirinti zgjidhet lehtasi, me vetëm një lexim prej syrit të njeriut.

Me gjithë atë larminë e informacioneve të gjendura në internet, që shpeshherë dinë të jenë të pasakta, libri i Diola Dostit, sjell të kundërtën e asaj që jemi mësuar të shohim. Dosti, ka bërë përmbledhje të informacioneve të cilat nuk janë të thëna do si do, por mbështeten shkencërisht, e vërteta e të cilave rrjedh vetëtiu.

“Çdo koncept i përfshirë në libër është i vërtetuar shkencërisht dhe ka një studim shkencor që e ka aprovuar atë”, theksoi Dosti.

‘Dieta dentale’, ‘edukimi i frigoriferit’ dhe ‘agjërimi’ janë disa nga konceptet bazë të këtij libri, për të cilat më detajisht, Diola Dosti ka folur për KultPlus.

“Në këtë tekst e kam përmendur konceptin e agjërimit që njëkohësisht është ndër elementet bazë të këtij libri. Ndërkaq, e kam përfshirë edhe një koncept tjetër, ku nga pjesa e nutricionit nuk është përmendur nga askush. Atë e kam quajtur si ‘Dieta dentale’, por që në fakt është një regjim ushqimor për dhëmbë të shëndetshëm. Pra, me fokusim tek problemet e dhëmbëve që vijnë nga faktorë të ndryshëm, qoftë prej mungesës së vitaminave apo edhe mineraleve”, theksoi Dosti për KultPlus.

Një pjesë tjetër të ndërgjegjësimit që Dosti ka përfshirë në librin e saj ka të bëjë me edukimin e frigoriferit, pasi në të fillon gjithçka. Në frigorifer ka një mix mes elementesh, të shëndetshme dhe të pashëndetshme, kështu që lehtësisht mund të bëhen zgjedhjet e gabuara, e që njerëzit të parandalojnë një gjë të tillë, Dosti ka përfshirë edhe këtë detaj si pjesë të librit të saj.

Koha e pandemisë për Dostin ishte shfrytëzim maksimal i kohës duke startuar me shkrimin e librit të saj, për të ardhur deri në finalizimin e tij vetëm tri vite më vonë. Në një dhomë brenda katër muresh, ashtu siç e donte ‘pandemia’, Dosti shkriu të gjitha qelizat e krijimtarisë së saj për të sjellë mbrëmë fuqinë e magjisë së saj, karshi fjalës ‘shëndet’ dhe gjithçka rreth saj.

“Ideja për të bërë këtë libër ka qenë e mbjellë në vitin 2020, kur ne u mbyllëm. Rrija deri në orën 6 të mëngjesit duke studiuar. Doja të gjeja ndonjë kurë se si mund ta rrisnim sistemin imunitar, e si të mos kishim pasoja nga izolimi”, përfundoi Dosti.

Ndërkaq, Dosti foli edhe për titullin e librit të saj duke treguar për KultPlus edhe një detaj interesant nga vendosja e një emri të tillë.

“Deri në momentin e fundit e kam pasur në mendje ta titullojë me emrin ‘Shëndeti në një lugë’, por e ndryshova, për faktin që e kuptova që shëndeti nuk qenka në një lugë të vetme, por më shumë se kaq.”
Ndërsa tregoi për versionin e parë të librit të cilin e la me aq, Dosti demonstroi edhe titullin e ri të këtij libri.

“Shëndeti është si art sepse ka elemente të meditimit, emocioneve që kemi kur konsumojmë ushqim dhe energjinë elektromagnetike të tokës, që faktikisht nuk janë fantashkencë por janë pjesë e mjekësisë kuantike që e përdorë NASA”, përfundoi Dosti.

Nutricionistja e njohur në mbarë trevat shqiptare, Diola Dosti, nuk la pa treguar edhe për disa nga sfidat e saj, gjersa arriti të vë qershinë mbi këtë libër.

“Gjithë kohën mësoja informacion të ri dhe thosha të mos e mbyll librin edhe pak, pasi përsëri kam gjëra të tjera për të shtuar. Pra, kur lexon shumë dhe merr informacione të reja, është sfidë e madhe. Unë për vete jam e anëtarësuar në revista te ndryshme botërore me kahje shkencore, informacione të cilat më është dashur t’i përpunoj, t’i sintetizoj dhe t’i bëjë të kapshme për popullatën”, përfundoi Dosti.

‘Edukatë fizike dhe shëndet’ dhe ‘Mësimet e Diolës’ janë dy librat paraprijës të botuar nga kjo autore vite më parë. / KultPlus.com

Të ngjajshme