Shqipëria në vitin 1996, kujtuar nga Ernesto Sabato

7 Korrik, 2018 - 8:55 pm

Së bashku me Borgesin dhe Markezin, Ernesto Sabato konsiderohet si njëri ndër tre shkrimtarët më të shquar hispanik të gjysmës së dytë të shekullit XX.

I lindur më 1911 në Rohas afër Buenos Airesit, Ernesto Sabato vendosi t’i përkushtohej letërsisë dhe pikturës. Gjatë jetës së tij, ai vizitoi dy herë Shqipërinë, vendin e origjinës së nënës së tij shqiptare.

Ja si e kujtonte Sabato vizitën e tij në Shqipëri më 1996, në librin e tij me kujtime, “Përpara fundit: rrëfim për një shekull”:

“U ktheva nga Shqipëria, ku mora Çmimin Kadare. Isha i shkatërruar, po, megjithatë, mblodha forcat dhe shkova, për të mos e zhgënjyer këtë Vend të varfër. Në Tiranë m’u bënë një nga vlerësimet më emocionuese të jetës sime. Organizuan këngë e vallëzime me rastin e dhënies së çmimit. Një poet më ofroi një vazo plot me dhe të mbledhur nga toka e lindjes së sime mëje. Ditën tjetër na përshëndetën me muzikë e lule; ishte kaq emocionuese, saqë u ndjeva keq nëpër korridoret e aeroportit të Vjenës”, ka shkruar ai.

“Sërish në shtëpi, mendoj për sa pashë në tokën e disa të parëve të mi: një popull, që ka vuajtur vite nënshtrimi. Në vetminë e dhomës, pyeta veten se cili Zot mund të fshihet pas vuajtjes. Gjatë udhëtimit në Shqipëri, njoha një djalë me emrin Valter, i cili kishte braktisur shtëpinë në rrethinën e Tukumanit për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve në bashkësinë fetare të Terezës së Kalkutës. E kujtoj me emocion të gjallë. Sa herë dëgjoj lajmet e tmerrshme të ardhura prej atij Vendi kaq të mistershëm, them me vete: ku do të jetë vallë, a do të mund t’i lexojë ndonjëherë këto fjalë mirënjohjeje për heroizmin e tij fisnik”./ KultPlus.com

Të ngjajshme