Si sot, 467 vjet më parë, nisi rrugën e vet fjala e shkruar shqip

20 Mars, 2021 - 5:58 pm

“U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë… “Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor shkruan Gjon Buzuku në Meshar, veprën letrare më të vjetër shqipe të botuar dhe të ruajtur deri sot.

Libri përbëhej nga 110 fletë mirëpo kopja e librit që ka arritur është e cunguar dhe i mungojnë 16 faqet e para dhe ndër to edhe kopertina me faqen kryesore.

Autori i librit ishte Dom Gjoni i biri i Bdek Buzukut, i cili nga dashuria për atdheun e tij, me anën e kësaj vepre, deshi me sa mundte, të afronte sado pak ata që do ta dëgjonin. Ai e nisi këtë me 20 mars 1554, dhe e mbaroi me 5 të Kallëndorit 1555, pa dalë qartë për ne, nëse ishte kjo koha e hartimit apo e shtypit apo u kryen këto dy punë paralelisht. Shumë pak gjëra dihen për shkrimtarin dhe jetën e tij. Ky emër na del në Sarajevë ku ka pasur njerëz të quajtur Buzuk, që e dinin veten fis shqiptarë e ku më 1887, provinciali i Françeskanëve të Bosnjës ka qenë Andria Buzuku, i cili vetë dëshmonte se të parët e tij ishin të dal prej Shqipërie.

Një lokalizim i emrit familjar të autorit tonë, pas kërkimeve të fundit të Justin Rrotës, u bë i mundur për një kohë rreth katër breza para tij. Në Katastrën Veneciane të Shkodrës, përmendet “Vlada “, e veja e një farë Gjura Buzuku për katundin e Reçit në breg të Bunës në krahinën e Ulqinit. Në një dokument të 1445, Buzulki del si emër katundi në krahinë të Tivarit, pranë Obotit të Krruçit. Pastaj ky emër do të jetë ndryshuar në Buzuku, me zëvendësimin e “ulk” me “uk”. Autori i veprës ishte një famullitar i thjeshtë i një komuniteti katolik shqiptar. Gjuha e tij mbete gjithmonë një gegërishte veriore disa veçori dialektore vetanake. Nga kjo del qartë se si ai ishte një bir i Shqipërisë së Veriut, por nuk dihet a i përket anës perëndimore apo lindore të kësaj treve. Nuk është e pamundur që vendi i tij i lindjes të ndodhte në një krahinë që ka mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme.

Justin Rrota mbron tezën se vendlindja e autorit të Mesharit duhet të kërkohet ndër krahinat e Krajës e Shestanit. Nga pikëpamja e historisë së Shqipërisë, sa i përket gjuhës, kemi të bëjmë me një gegërishte të shekullit XVI.

Rethanat politiko-kishtare që frymëzuan autorin

Historikisht kjo vepër nuk duhet shikuar e izoluar në vetvete, por përbrenda një pamjeje më të gjerë. Ajo atëherë nuk do çmohet ndryshe veç si fryt i një politike kishtare të zhvilluar rreth mesit të shekullit XVI.

Në një krahinë periferike, kufitare të Kishës së Romës, me një popullsi katolike-shqiptare e ortodoksesllave, ku antagonizmi fetar ekzistonte prej kohësh, ndonjë prelatë ose kryetar dioqeze ambicioz e largpamës si Arqipeshkvi i Tivarit, Gjon Bruni (1551-1571), ndërmori masa të përtërinte besimin katolik, ta ruante e ta zgjeronte. Momenti psikologjik për një vepër politiko-kishtare të këtij lloji, jo vetëm që nuk mund të zgjidhej më mirë, por vetë rrethanat e reja historike shtynin për një të tillë ndërmarrje: ishte koha e Koncilit Tridentin, dhe pikërisht periudha e intervalit midis dy kuvendeve të para 1545-1547, 1551-1552 dhe e të tretit 1562-1563. Me këtë Koncil, siç dihet, krahas me përtrirjen e Kishës Romake, nis lufta e saj kundër reformimit që kishte filluar të depërtonte edhe në Gadishullin Ballkanik. Nga ana tjetër, me pushtimin e kësaj zone nga osmanët, kishte filluar këtu largimi, sidomos i krahinave perëndimore, nga besimi kristian, largim ky që u shtua në shekujt e mëvonshëm. Këto janë afërsisht rrethanat poltiko-kishtare, brenda të cilave arsyetohet iniciativa që mori ky autor nën shtysën e ndonjë ipeshkvi ose arqipeshkvi të Shqipërisë së epërme për hartimin e shtypjen e një teksti liturgjik për elementin katolik shqiptar të kësaj krahine.

Këto rrethana janë reflektuar padyshim edhe në fushën mendore dhe për lulëzimin e tyre, këtyre u detyrohet literaturë shqiptare e vjetër. Buzuku përbën pikënisjen në këtë punë, e cila vazhdon pastaj me shkrimtarët e tjerë në shekullin XVII dhe XVIII. Gjithashtu, kjo veprimtari letrare lidhet historikisht në fund të fundit me efektet e kundër reformimit në Evropën Juglindore dhe të situatës që u krijua në këto anë nga sundimi osmanë.

Përfundim

Qëllimi i Gjon Buzukut ishte pajisja e Kishës Katolike shqiptare me një libër që të përmbushte nevojat e përditshme të shërbimeve fetare, dhe ngritjen e kulturës së kleri. Synimi tjetër ishte edukimi fetar i masës së besimtarëve në veshin e të cilëve do të arrinte më në fund fjala e tij, qoftë përmes gojës së priftit, qoftë me anë të leximit direkt të librit. Qëllimi tjetër ishte zëvendësimi i gjuhës së përgjithshme të liturgjisë romake me gjuhën e vendit. Dihet se përdorimi i një gjuhe nacionale brenda në liturgjinë e kishës katolike nuk është një punë e zakonshme. Buzuku, më i vjetri autor shqiptar që njohim, duke u ushqyer te rrënjët e kulturës së atdheut të tij, pati siç është e natyrshme, edhe disa ndikime nga jashtë që janë kryesisht të kohës e të vendit. Megjithëse ato nuk mundën të ndryshonin qenësisht veprën e tij, përsëri u dukën në disa anë të formimit të tij si shkrimtar, në trajtën e jashtme të librit, në karakteret e shtypit dhe zbatimin fonik të tyre. Në vend që të gjykohet autori e libri i tij në mënyrë të njëanshme nga caqet e kohës së sotme, duhet pasur gjithmonë parasysh që Buzuku, ka qenë një bir i Shqipërisë, i pari autor shqiptar, gjatë periudhës së mbarimit të Mesjetës dhe fillimit të Renesancës si dhe i rrethanave në të cilat u formua./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme