‘Vatra’ i kërkon Parlamentit riatdhesimin e eshtrave të Fan Nolit: Ç’e pengon të prehet në mëmëdhe! 

10 Dhjetor, 2023 - 12:23 pm

Debati për riatdhesimin e eshtrave të Fan Nolit, konkretizohet me një kërkesë të shoqatës “Vatra” drejtuar Parlamentit Shqiptar, ku kërkohet kthimi i trupit në mëmëdhe. Por, parë precedentët me Faik Konicën dhe Mithat Frashërin ku varret u janë dhunuar ka dhe nga ata që mendojnë se është shpejt.

58 vjet pasi mbylli sytë në Florida, shqiptarët që duan të vendosin një tufë lule në banesën e fundit ku prehet imzot Fan Noli, u duhet të shkojnë në varrezat e Forrest Hill Cemetery, të Bostonit. Por, Noli, si personalitet shumëdimensional, i përket gjithë shqiptarëve, ndaj, sipas Degës së Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” në Queens në Neë York, me president Skënder Murtezanin, ai duhet të jetë pranë tyre, edhe si figurë frymëzuese. Debatin për riatdhesimin e eshtrave të tij kësaj here “Vatra”, në  10-vjetorin e krijimit të saj , e konkretizon me këtë kërkesë drejtuar Parlamentit Shqiptar këtë 7 dhjetor.

“E nderuar kryetare e Kuvendit znj. Lindita Nikolla, vatranët e degës së Queens-it, mbas të gjitha bisedave, sondazheve, mbledhjeve që kemi patur nëpër forume, këto dhjetë vitet e fundit, na rezulton se ka ardhur koha që Theofan Stilian Noli të prehet përfundimisht në tokën mëmë”, shkruhet në kërkesë.

Riatdhesimi i eshtrave të Nolit, sipas “Vatrës” do të ndikonte edhe për të rregulluar disbalancën në komunitetet fetare.

“Ne kujtojmë Fan Nolin si një arkitekt të madh të përpunimit të fjalës shqipe dhe inkubator i zhvillimit të mendimit dhe shkrimit publicistik. Noli ishte shkrimtar, historian, diplomat, poitikan, orator Arqipeshkop, “Metropolit i Kishës së Durrësit”, krijues i Kishës Autoqefale Shqiptare në atdhe dhe Amerikë. Ai ka shërbyer si Kryeministër i Shqipërisë, ishte kryediplomati që përfaqësoi Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve. Fan Noli duhet të jetë në Shqipëri. Atëherë ç’e pengon Nolin të prehet në mëmëdhe?! Për ne vatrarët Noli është si gur që peshon rëndë në vendin e tiuj. Imzot Noli peshon në kulturën e kombit dhe atdheut të tij”, thuhet më tej.

“Vatra”, cek më tej kontributin e Nolit në shtetformimin shqiptar, por edhe përkrahjen ndaj Kosovës, duke theksuar, se riatdhesimi do të ishte dëshira e tij.

“E tërë kjo veprimtari kolosale , atdhetare e Fan Nolit na reflekton si një respekt i munguar që shteti duhet t’i bëjë atij kolosi. Nga respekti për Konicën, At Noli bëri ç’mos të riatdhesohet Faik Bej Konica. Pse mos ta dëshironte të njëjtën për vete?! Po fundja-fundit, a ka nevojë për një testament një atdhetar gjigand si At Fan Noli”?”, shkruhet në kërkesë.

Mirëpo përkundrejt drejtuesve të kësaj dege, ka edhe anëtarë të “Vatrës”, siç është Valentin Lumaj, që ndonëse nuk janë kundër kthimit të eshtrave të Nolit në Shqipëri, mendojnë se vendimi, nëse shteti shqiptar nuk jep garanci të plotë që të mos cënohet figura e tij, mund të jetë i nxituar. Si precedentë përmend dhunimin e varreve të Faik Konicës dhe Mithat Frashërit.

“Unë nuk e shikoj shumë të arsyeshme për momentin për të riatdhesuar eshtrat e Fan Nolit, kjo duke parë eksperiencën me Faik Konicën dhe Mithat Frashërin që të dyve iu dhunuan varret në Shqipëri. Në këtë kohë të paqartë politike të ngarkuar me ngarkesa të forta politike të së kaluarës por edhe të reja. Dhe ndoshta njerëzit e shikojnë edhe negativisht dhe jo me pëlqim. Shumica mund ta pëlqejnë por është një pjesë që është pak ekstravagante . Unë personalisht ngaqë e adhuroj Nolin Konicën Mithat Frashërin këto emblema të Vatrës nuk kisha pasur qejf që të cenohej sadopak figura e tyre sepse janë të shenjtë për kombin. Nga ana tjetër po ta shohim kishën Autoqefale të Nolit, në Boston këto janë dy trashëgimi të Nolit, dhe sikur Noli të largohet prej këtu sikur Vatra dhe Kisha ngelen pa rrënjë”, thotë Lumaj.

Lumaj thotë se kthimi i eshtrave të Nolit, duhet bërë në kushte më të qeta politike dhe etnike.

“Këto janë të pakëndshme se është një bumerang që kemi ne atje me figurat tona që i kemi dhe nuk i vlerësojmë por nuk jam kundra, edhe sikur të jetë një qasje e Parlamentit që ta mbrojmë,. Por ende është e ngarkuar edhe me kishën greke, sepse ende e lufton, ka tendenca është koha e regjistrimit të popullsisë, ka ngarkesa politike dhe etnike”, vijon ai.

Ndërsa vatranët drejtues të degës së Quuens-it theksojnë se ‘Trupi i Nolit, askund veç tokës amtare nuk do të gjente qetësinë dhe prehjen e përhershme’.

Të ngjajshme