Sot, Ag Apolloni në KultPlus Caffe Gallery, bashkëbisedim për Shpellën, Kësulëkuqen e Gurin e Nënës Pashkë

12 Tetor, 2023 - 9:30 am

Në KultPlus Caffe Gallery do të mbahet sot një bashkëbisedim letrar me një nga autorët më të rëndësishëm të letërsisë në Kosovë, Ag Apollonin.

Ky event do të jetë një shans i rrallë për të bërë një udhëtim në botën e letërsisë së Apollonit, një autor i njohur për krijimtarinë e tij të pasur dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës.

“Shënime nga shpella” është libri i tij i fundit që tashmë është në duar të lexuesit, libër për të cilin edhe do të bisedohet në këtë panel diskutimi, sikurse që do të bisedohet për rëndësinë e përfshirjes së luftës së Kosovës në letërsinë e Apollonit, sidomos të grave të dhunuara nga serbet, sikurse dhe për Gurin e Nënës Pashkë, gur që mori zë pikërisht nga reagimet e këtij shkrimtari.

Ag Apolloni është një autor që shpesh ngre zërin për shumë çështje të rëndësishme historike dhe shoqërore në Kosovë, duke ngritur diskutime mbi tema të ndjeshme por të pakapërcyeshme.

Andaj, ky event do të përfshijë një diskutim të hapur dhe të lirë me shkrimtarin Apolloni mbi këto tema që janë të pranishme edhe në veprat e tij të fundit.

Studentë, kritikë, profesorë dhe lexues, KultPlus ju fton që të jeni pjesë e këtij takimi me shkrimtarin Ag Apolloni, që më pas keni mundësi edhe personalisht të diskutoni mbi interesimet e juaja.

Eventi mbahet sot, datë 12 tetor, ora 12:00, në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

Të ngjajshme