Sylë Maxhera promovon librat “Zana” dhe “Rrugëve të botës”

6 Tetor, 2022 - 11:25 am

Elvi Sidheri

Poeti dhe muzikanti Sylë Maxhera, mbrëmë, në mjediset e KultPlus Caffe Gallery, promovoi dy librat e tij të rinj, Zana dhe Rrugëve të Botës.

Ky autor me krijimtari të pasur letrare dhe muzikore, si përherë vjen nga Madridi, kryeqyteti i Spanjës, ku jeton prej disa dhjetëvjeçarësh, për të sjellë në Prishtinë artin e tij të shkruar, kësaj radhe në formën e dy librave të krijuar së fundmi, të cilët i përkasin fushës së poezisë, mjeshtëria e tij parësore në letërsi, dhe prozës, një risi për Sylë Maxherën, e palëvruar më parë prej tij në shqip.

Zana, novela e re në prozë nga ky shkrimtar, na ofron një histori prekëse, ky ndjenjat e fuqishme dhe dashamirësia njerëzore, fatmirësisht përmbyllin një cikël vuajtjesh që përndryshe do të kishin pasur një fund të dhimbshëm, kurse Rrugëve të Botës, përbën vazhdimësinë në vargje, të frymëzimit poetik të poetit Sylë Maxhera, i cili përmes disa librave të tjera të mëparshëm, ngaherë është shprehur me bukuri të rrallë poetikisht.

Ndërkaq, pas novelës në prozë, të titulluar Los Inocentes (Të Pafajshmit), të botuar në Madrid disa muaj të shkuara, një krijimi origjinal të tij në prozë, të shkruar drejtpërdrejt në spanjisht, gjithsesi, sikundër e theksuam më sipër, sprova e tij në prozë, përbënte edhe risinë e veçantë të këtij autori në shqip, nëpërmjet novelës Zana.

Për ta kremtuar këtë ngjarje të vyer letrare, dhe gjithashtu edhe vetë autorin e këtyre dy librave, ishin mbledhur njerëz të ndryshëm të letrave dhe artit nga Prishtina, Tirana, e jashtë trojeve shqiptare, miq e dashamirës të autorit, Sylë Maxhera.

I pari që e mori fjalën për ta nderuar autorin, dhe njëherësh për të folur lidhur më dy librat e tij të rinj, në mënyrë tejet shtjelluese dhe të kthjellët, ishte Dan Ibrahimi, një ndër poetët më burimorë dhe të spikatur në skenën e poezisë së Kosovës në ditët e sotme, po ashtu edhe redaktor i novelës Zana.

Vlerësimet, këndvështrimet dhe përshkrimet e Dan Ibrahimit, u ofruan të pranishmëve frymëzimin e duhur për t’i njohur mëtëjshëm këto dy botime, krahas edhe vetë krijimtarisë së deritanishme të autorit, Sylë Maxhera, duke ngjallur më tepër kërshërinë për këtë poet, falë këtyre fjalëve dhe këndvështrimit tejet profesional.

Më pas fjalën e mori miku i autorit, shkrimtari dhe përkthyesi shumëgjuhësh Elvi Sidheri, i cili u përqendrua në kontributin e Sylë Maxherës në gjallërimin e jetës letrare të Prishtinës me praninë e tij dhe poezitë, prozën e muzikën e lëvruar pareshtur prej tij.

Më tutje, nuk munguan të pranishmit në mjediset e KultPlus Caffe Gallery, të cilët dëshiruan të thoshin fjalët e tyre për autorin dhe dy librat e tij, duke nisur nga botuesi Hajdar Fejzullahu, i shtëpisë botuese Lena Graphic, që nuk i kurseu fjalët më të mira për Sylë Maxherën, ashtu sikundër edhe poeti dhe botuesi Lan Qyqalla, botuesi më i vjetër në Kosovë, Abdullah Zeneli, i shtëpisë botuese Buzuku, me humorin e tij ironik si gjithmonë, etj.

Për autorin dhe letërsinë e muzikën e tij, folën po ashtu edhe gazetarja e njohur e Radio Kosovës, autore e disa librave me intervista të kolosëve të letrave shqipe, Vera Pelaj, dhe gazetari e fotografi artistik anglez Marc Perry, i cili e vlerësoi autorin, Sylë Maxhera, për dimensionet multikulturore të krijimtarisë së tij.

Mbrëmja vazhdoi mes muzikës, tingujve të kitarës, haresë dhe atmosferës artistike, duke u shpërfaqur më tutje edhe ana muzikore e Sylë Maxherës, i cili gjithashtu shquhet edhe për lëvrimin e pandalshëm në muzikë, si kitarist, tekstshkrues e këngëtar tejet i zoti.

KultPlus ishte si përherë mikpritës i këtij aktiviteti mirëfilli artistik, duke u shndërruar sërish në vendin e duhur ku artistët t’i gëzohen artit të tyre, duke u ndier si në shtëpinë e tyre./ KultPlus.com

Të ngjajshme