Takim me Basri Çapriqin përmes poezisë

14 Janar, 2019 - 3:04 pm

Jeta Zymberi

Zëri i një shkrimtari e fjala e tij, merr jehonë pothuajse gjithmonë në brezat e ardhshëm më tepër se në kohën kur jeton e vepron vetë shkrimtari. Por, për shkrimtarin Basri Çapriqi ndodhi që fjala e tij të jehojë edhe gjatë kohës sa ai ishte prezent në këtë jetë. Këtë ndoshta e bëri fuqia e tij e fjalës, veçantia si poet e njeri, karakteri i tij i thuktë dhe prezenca e tij nëpër gjenerata të ndryshme si një profesor që të gjithë e deshën, shkruan KultPlus.

Për gjeneratat e ardhshme, të cilët fjalën e Çapriqit do ta dëgjojnë, por rastin ta takojnë nuk do e  kenë fatkeqësisht, fjala e tij e stolisur padyshim që do të depërtojë te ta, por janë me fat të madh ata që patën rastin ta takojnë e të dëgjojnë zërin e tij teksa lexonte poezitë me një mjeshtëri të paparë, me ndjenjë e një emocion të papërshkruar, si rrallë kush.

Të tjerët që ishin prezentë në sallat ku ai lexonte, e ndjenin vetën të vegjël para tij. Ky ishte profesor Çapriqi, mjeshtri i fjalës, kritiku dhe profesori i nderuar.

Ishte kohe e ftoftë, kështu si sot, kur para një viti Çapriqi u largua nga kjo botë, për të bërë edhe më të acartë kohen për familjarët, miqtë, studentët e njerëzit përreth. Ai na la por jo duarthatë. Veprat e tij do të mbesin në mesin tonë e do të përcillen tek gjeneratat e reja për të përçuar në çdo kohë frymën e këtij poeti kaq të dashur e të pazëvendësuar.

Për të kujtuar fjalën e tij, PEN Qendra e Kosovës organizoi sot homazh poetik në shenjë të njëvjetorit të ikjes në amshim të poetit brilant dhe profesorit tonë të rëndësishëm, Basri Çapriqi.

Familjarë, miq e studentë sot u takuan në Teatrin Kombëtar të Kosovës të gjithë për një arsye, për të kujtuar profesor Çapriqin. U mendua që asnjë kumtesë e asnjë fjalim nuk mund të jepte të plotë portretin e këtij poeti të veçantë më shumë se sa vetë poezia e tij. Andaj disa poezi të përzgjedhura u lexuan nga aktorët profesionistë, si Teuta Krasniqi, Rozi Kryeziu, Shpëtim Selmani dhe Faris Berisha.

Ndonëse aktorët u mundua që të sillnin frymën e Çapriqit në mesin e të pranishmëve, kjo gjë dukej paksa e pamundur, veçantia e tij sidomos në interpretimin e poezive shkonte përtej asaj që dëgjuam sot.



Në hapje të këtij homazhi poetik për Basri Çapriqin, u tha që “Shkrimtari rron aq sa kujtohet nga të tjerët. Mosha biologjike është pakrahasimisht e vogël përballë kohës që shkrimtari mund të qëndrojë në kujtesën e njerëzve dhe lexuesve të tij. Takim i veprës së tij me lexues që nuk janë të moshës së tij biologjike, veçmas me lexues që do të lindin pas vdekjes së tij biologjike është takim i vërtetë. Vetëm atëherë vepra e një shkrimtari bën jetën e saj të njëmendtë. Kështu që, ndajmë bindjen tonë të plotë se vepra poetike e Basri Çapriqit do ta arrijë këtë takim të shumëdashur për secilin krijues dhe do të jetë në duart dhe në mendjen e lexuesve që janë sot dhe do të vijnë nesër.”

Poezia “Përkryerja e shiut” ishte ajo që hapi këtë homazh poetik, për të vazhduar tutje me poezitë si: “Dritaren lërë hapur”, Ti duhej të vdisje edhe më herët”, “Liria”, “Frutat bizare”, e shumë të tjera.

Krejt për fund u lexuan edhe dy poezi shumë të veçanta kushtuar autorit të ndjerë nga dy miqtë e tij poet, Milazim Krasniqi dhe Sali Bashota . Leximi i këtyre poezive emocionoi publikun e në veçanti autorët. Madje Bashota pas krejt kësaj në një fjalë për KultPlus nuk mund t’i mbante lotët për mikun e ndjerë.

“Çapriqi ishte i veçantë në jetë dhe në vepër, poet, kritik, profesor, një personalitet i rëndësishëm i kulturës shqiptare, vepra e të cilit çmohet si një vepër e rëndësishme sidomos në fushën e poezisë. Çapriqi ka treguar një pasqyritet të veçantë në poezinë bashkëkohore shqipe, qoftë me ligjërimin poetik, qoftë me figurat por edhe me temat që ka trajtuar në poezitë e tij. Na mungon çdo çast dhe mungesa e tij është duke u nderuar dhe kujtuar me aktivitete të tilla si sot”, u shpreh Bashota pë r KultPlus, duke vazhduar tutje të  tregojë  sa shumë  kujtime ndanë  me të .  

“Kemi shumë kujtime bashkë sepse nga viti 78 jemi bashkë, plot 40 vite, kam qenë në zyre me të, në ligjëratë e gjithandej. Unë e kam botuar këtë vit një libër kushtuar Çapriqit dhe poezia e parë është “S’ke me dalë nga parajsa”, poezi që i kushtohet veprës dhe jetës së tij”, tregoi tutje miku i pandashëm i Çapriqit.

Për mungesën e madhe që poeti i ndjerë  i ka lë në  vendit tonë , ka folur edhe Ibrahim Berisha.

“Sot në  një  vjetorin e vdekjen ne e kuptojmë se sa shumë mungon Basriu, jo vetëm si poet, por edhe si një personalitet publik, natyrisht ajo që  na bë në të jemi krenarë është pikërisht vepra e tij, poezia veçmas dhe puna që ka bërë  rreth 40 vjet në kultivimin e një ambienti dhe atmosfere kulturore në hapësirën shqiptare. Ishte një organizim i mirë sepse poezia e tij doli ashtu siç ai do të  kishte dëshirë, e lexuar por edhe e përjetuar si një  frymë  thjesht artistike, por gjatë leximit u kuptua se sa të  qëndrueshme dhe të përjetshme janë këto poezi”, u shpreh Ibrahim Berisha për KultPlus.

Një vit i vështirë dhe i rëndë pa mikun, ka qenë edhe për Osman Gashin.

“Kemi qenë shokë të pandashëm, jemi takuar ditëve të punës gjithmonë, kemi debatuar për gjithçka, andaj është një periudhë e rëndë  për të gjithë miqtë e tij, kolegët dhe krijuesit, sidoqoftë  trashëgimia e profesorit Çapriqi është shumë e vlefshme. Ajo që ne duhet të bëjmë është që të ju themi të rinjve që trashëgimia letrare dhe shkencore e profesorit Basri është një prej dhuratave të çmueshme që ka lënë ai për brezat e rinj”, u shpreh Gashi për KultPlus, ku vazhdoi të  tregoj edhe disa prej vlerave të  profesorit.

“Profesori Basri ka pasur tri vitet e fundit të jetë së tij të mundimshme shumë, unë e mbaj mend si një njeri që nuk është ankuar asnjëherë. Ne si shoqëri nuk e kemi ditur saktë as diagnozën, as procedurat e mundimshme që i ka bërë, sepse ai i ka kursyer miqtë e tij prej mundimeve të veta shumë të mëdha. Kjo është një prej vlerave të veçanta të tij. Basriu ka qenë  njëri për të gjithë”, u shpreh krejt për fund Gashi.

Homazhi poetik për Basri Çapriqin përfundoi duke përçuar mesazhin që  vepra e tij duhet lexuar dhe vlerësuar përcjellë  gjeneratave të  reja si një  vlerë  e çmuar e letërsisë . /KultPlus.com

Të ngjajshme