Thëniet më të mira të Oshos, për të reflektuar thellë…

23 Mars, 2018 - 1:30 pm

Thëniet e Oshos flasin për dashuri, ndërgjegje dhe rritje personale. Janë një dhuratë për këdo që dëshiron të reflektojë, të vërë pikëpyetje dhe të shkojë përtej asaj që duket.

Osho ishte një filozof spiritual, një guru indian dhe orator i madh. Një pjesë të madhe të jetës ia dedikoi mbajtjes së fjalimeve në të gjithë Indinë. Kaloi kohë edhe në SHBA, ku themeloi komunitetin me emrin Rajnishpuram. Megjithatë, disa prej veprimeve të tij nuk i shpëtuan kritikave dhe polemikave.

Ata që e njohën e quajtën një revolucionar. Një njeri në gjendje të hidhte poshtë bindjet më të thella të shoqërisë së tij. Falë karizmës dhe aftësive në oratori, ishte në gjendje të kishte mijëra ndjekës dhe t’u transmetonte atyre mënyrën si e shihte jetën dhe vdekjen.

Ai shkroi një sërë librash spiritualë, mes të cilëve Libri i Sekreteve, Me ty dhe pa ty, dhe Meditimi dinamik. Padyshim që na ka lënë një trashëgimi të madhe, që sot mund ta kujtojmë me disa prej thënieve të tij më të mira.

Dashuria është të dish të vlerësosh

Të dashurosh do të thotë të dish të japësh krahë, jo zinxhirë. Eshtë koncepti i dashurisë i Oshos. Nëse e kufizojmë partnerin, nëse i kërkojmë të sillet në një mënyrë të caktuar apo të ndryshojë, nuk do të jetë më ai apo ajo që duam. Do të humbasë thelbin dhe do të bëhet kush nuk është. Duhet të respektojmë të tjerët dhe të pranojmë natyrën e tyre.

“Nëse e do një lule, mos e këput. Sepse nëse e këput, ajo vdes dhe pushon së qëni ajo që doje. Nëse e do një lule lëre të jetojë. Dashuria nuk është të zotërosh; dashuria është të dish të vlerësosh”.

Të maturohesh do të thotë të pranosh përgjegjësinë e të qënit vetvetja

“Ji vetvetja. Mos kërko kurrë të jesh ndryshe, kështu mund të piqesh. Maturimi është pranimi i përgjegjësisë së të qënit vetvetja, cilado qoftë kostoja”.

Eshtë një prej frazave të Oshos, për t’u mbajtur gjithmonë parasysh. Të jesh si dëshirojnë të tjerët nuk do të thotë të piqesh, por të pëlqehesh, të kërkosh miratim dhe në fund, të gënjesh veten.

Njeriu i pjekur e pranon veten dhe, mbi të gjitha, është përgjegjes për veten në të gjithë kuptimet. Nuk bën rolin e viktimës, por të protagonistit dhe vepron sipas kësaj. Nuk pret që gjërat të ndodhin, por nis rrugëtimin për të ndërtuar fatin e tij. Nuk injoron as gabimet e veta, por i sheh si një mundësi për t’u rritur.

Gëzimi, si prioritet në thëniet e Oshos

Osho e konsideronte themelor gëzimin, për të patur një jetë të plotë. Megjithatë, nuk fliste për një gëzim sipërfaqësor dhe material, por atë që vjen së brendshmi, nga ndërgjegja. Një ndjesi që buron nga vlerësimi i gjërave të vogla dhe mrekullive që na rrethojnë përditë.

Kërkonte ndryshimin, në vend të apatisë dhe vuajtjes. Shprehjet e tij nxisin të dalim nga zona e rehatisë, për të gjetur vendin tonë në botë dhe të vetëpërmbushemi.

“Gëzo! Nëse nuk arrin të gëzosh me punën tënde, ndryshoje. Mos prit!”

Jemi unikë

“Askush nuk është superior, askush nuk është inferior, por është e vërtetë edhe që askush nuk është njësoj. Njerëzit janë thjesht unikë, të pakrahasueshëm. Ti je ti, unë jam unë. Unë duhet të kontribuoj me potencialin tim në jetë, ti me tëndin. Duhet të zbuloj qenien time, ti duhet të zbulosh tënden”.

Një tjetër shprehje e Oshos që vlen të kujtohet, si fillim i një reflektimi. Nuk jemi as superiorë, as inferiorë dhe as të njëjtë. Përballjet rrallëherë janë të duhurat për shkak se nuk jemi në kushte barazie.

Të jetosh sipas sistemit, duke marrë si pikë referimi atë që bëjnë të tjerët është gabim. Objektivi është i qartë, duhet shfrytëzuar gjithë potenciali dhe aftësitë që kemi; një objektiv për të cilin është e nevojshme të lidhemi me të tjerët dhe të ofrojmë më të mirën e vetes.

Kurajo për të parë brenda vetes tonë

Osho na kujton se përtej prishjes së skemave, akti më i madh i kurajos është aftësia jonë për të parë brenda vetes.

Guximi për të parë frikërat, mbushur boshllëqet dhe ndriçuar pjesët tona të dëmtuara është themelor, nëse duam të rritemi. Duhet të kushtojmë vëmendje, sepse ashtu si na shpie përpara, mundet edhe të na shpjerë pas, apo të na burgosë. Duhet të shohim brenda vetes me përgjegjshmëri, pranim dhe respekt.

“Nuk njoh kurajo më të madhe se sa ajo e nevojshme për të parë brenda vetes”.

Rëndësia e momentit të tashëm

Momenti i tashëm është një argument qendror në frazat e Oshos, në fakt gjendet në shumë citime. Fuqia e të tashmes dhe vetëdijësimi për të na dhuron eksperiencët e të jetuarit intensivisht.

Nëse kapemi pas të kaluarës apo pritshmërive për të ardhmen, jeta na shpëton pa e kuptuar. Të jesh i lumtur nuk varet nga e djeshmja apo e nesërmja, por nga e sotmja, dhe me sa duket, kemi zakonin e keq që e harrojmë këtë gjë.

“Eshtë ky sekreti i thjeshtë i lumturisë. Çfarëdolloj gjëje që bën, pos lejo që e shkuara të ndërhyjë, mos lejo që e ardhmja të të trembë. Sepse e kaluara nuk ekziston më, dhe e ardhmja nuk ka ardhur ende. Të jetosh në kujtime, në imagjinatë, do të thotë të jetosh në mosekzistencë”.

Të jetosh pa frikë

Frika na kufizon, na paralizon, na fut në kurth. Na zhvat prej jetës osnë. Duhet të jemi kurajozë dhe të përballemi me atë që na tremb. Në rast të kundërt, do të mbetemi gjithmonë me “Po sikur” dhe me “Por”, si dhe me pritshmëri të parealizuara kurrë.

Duhet ta kapërcejmë frikën, duhet të kemi kurajon të kalojmë vijën dhe të shohim atë që ndodh. Shpesh herë imagjinojmë një skenar shumë më katastrofik se sa ai i vërteti. / Përgatiti: bota.al

Të ngjajshme